Lërini “heronjtë” e vërtetë të flenë gjumë

 

Nga Mero Baze

Mendoni pak 11 lojtarët e ekipit kombëtar që do të jenë nesër në fushë. Ata kanë gjithë ditën që bombardohen me lajme që nisin me arrestimin e Morinës dhe përfundojnë me kërcënime idiote anonime për trazira. Pastaj vijon presioni i tifozëve që duan fitore për jetë a vdekje, presioni i politikanëve që bëjnë sikur flasin për paqe dhe kanë ndezur luftën.

Ata po bëhen gati të hyjnë në fushën e lojës, por më shumë se sa udhëzimet e trajnerit De Biazi, ata e kanë ngarkuar kokën e tyre me historinë shqiptaro­serbe, me betejën e Fushëkosovës, me dinastinë e Karagjeorgjeviçit, me luftën e NATO­s e UÇK­së në Kosovë, me mitin e Adem Jasharit dhe maskarat e Akranit… Kështu si po i bombardojmë ne ata, po i transformojmë nga lojtarë në personazhe historikë, duke i dërrmuar përfundimisht, për shkak të një kompleksi që kemi përballë serbëve.

Nuk do të thosha që është kompleks urrejtje, por më shumë se kaq. Kemi brenda vetes një bindje që me serbët nuk ia kemi dalë në shumicën e rasteve në histori. Ata ose na kanë mundur në beteja, ose na kanë pushtuar, ose na kanë masakruar, ose na kanë poshtëruar, ose na kanë sunduar. Na e kënë bërë këtë në tokën tonë, në vendin ku jetojmë, në familjet tona, në hapësirën tonë gjeografike, më shumë në Kosovë, por dhe në Shqipëri. Të vetmen betejë që ja kemi dal më 1999, ja dolëm vetëm se ishim në aleancë me Perëndimin kundër tyre, aleancë e cila angazhoi NATO në krahun tonë. Vetëm si të tillë mund ti mundim. Vetëm si perëndimorë. Në të gjitha rastet e tjera na kanë mundur.

Ndaj ngarkesa që kemi ndaj tyre nuk është thjesht urrejtje, por dhe një kompleks inferioriteti, një raport i pasinqertë me veten sidomos kur flasim për histori. Është kjo arsyeja që në ndeshjen e nesërme ne jemi për të gjithë luanë, pasi është rasti fatlum kur do përballemi në emër të popullit, por jo si popull, por thjesht si 11 lojtarë. Ne po bëjmë si të marrë se nuk po ndeshemi vet, se beteja nuk është në duart tona, as në këmbët dhe mendjet tona, por në këmbët e 11 lojtarëve, të cilëve nuk u mjafton të dinë të luajnë futboll, por duhet të dinë dhe gjithë komplekset që ne kemi trashëguar nga historia e bashkëjetesës dhe luftës me serbët dhe t’i mbajnë si çant shpine nëpër fushë kur të luajnë. Përfytyro pastaj dhe komentatorë gomerë televizivë që më shumë flasin për historinë sesa për futbollin dhe kur transmetojnë ndeshjen.

Si burracakë që jemi, meqë do bëjmë sikur do përballemi me serbët, por jo vet, jemi bërë të gjithë agresivë, të padurueshëm, me plot ankthe dhe pritshmëri për rezultatin, shumë herë më tepër se kur vendosen fatet e vendit tonë në raport me serbët që nga 1913­a e deri më 1999­ën.

Është ekzaktësisht personaliteti ynë i dyfishtë, i cili na bën të dukemi sikur po veshim uniformat e UÇK­së, meqë beteja reale nuk është mes nesh dhe serbëve, por mes 11 lojtarëve shqiptarë dhe serbë. Edhe nëse na mundin dhe nëse i mundim, ata nuk përfaqësojnë historinë tonë, por historinë e futbollit dhe historia e futbollit serb, është shumë më e mirë se historia e futbollit shqiptar. Do të ishte mrekulli t’i mundim dhe asgjë e jashtëzakonshme po të fitojnë

ata. Burracakëria jonë është se duam t’i vëmë 11 lojtarët tanë në gijotinën e përgjegjësisë historike; ose të fitojnë, ose të mos t’ua shohim sytë.

Mos e çani kokën djemë! Fikni televizorët, mos lexoni gazetat, mos lexoni portalet, as gazetën Tema dhe futjani gjumit. Dëgjoni vetëm Gani De Biassin, të vetmin njeri të kthjellët që keni afër këto ditë, i cili do fitoren tuaj në fushë. Ne të tjerët duam fitoren tonë mbi serbët që s’e kemi arritur dot me këmbët, duart dhe mendjet tona. Ndaj mos pyesni fare për ne. Na lini në budallallëkun tonë dhe shikoni ndeshjen. Po fituat, futjani një gotë verë dhe vazhdoni stërvitjen, po nuk fituat mos e humbisni, se keni ende shans. Ju jeni heronjtë e vetëm të kësaj beteje, edhe sikur të humbisni, ndaj flini gjumë të jeni të shplodhur për nesër. Ne burracakët që s’ua kemi dalë dot serbëve, do vazhdojmë të bëjmë sikur kemi luftë nesër.

 

TEMA

SHKARKO APP