Letër babait, unë e di ti po më pret

Nga Luan Rama –
UNË E DI, TI PO MË PRET …

(Letër babai)

Komandanti im i dashur,

U bënë njëzet ditë që nuk takohemi dot!

Njëzet ditë, që unë nuk kam mundësi të vij e të të përqafoj me gjithë dashurinë e shpirtit, në atë ritualin tonë të përditshëm, që është aq unik e vetëm i yni, që është aq i magjishëm e hyjnor, sa vetëm marrdhënia e atit dhe birit mund të jetë.

Njëzet ditë, që nuk mundem dot të vi e të ta vendos dorën mbi ballë, të t’i ledhatoj faqet, që të prek aty magjinë e jetës e të dashurisë që më fale.

Njëzet ditë, që nuk t’i shoh sytë e qielltë të dritëzojnë, përherë njësoj, ashtu siç unë t’i mbaj mend që prej kur t’i kam parë për herë të parë, e deri më 9 mars, kur erdha për herë të fundit e të takova në ditën e lindjes time.

Njëzet ditë, që nuk e dëgjoj më zërin tënd gjithë dashuri të më thuash:
-erdhe o bir?

Njëzet ditë, që unë nuk kam mundësi të vi e të të ulem pranë për të të pyetur:
– si je?

Njëzet ditë, pa ta ndjerë “sikletin” e fshehjes së dhembjes së mesit, që prej kur u rrëzove e një eshtër t’u thye, që të më “gënjesh”, të më thuash:
– Mirë jam, ja vjen ti dhe bëhem më mirë!

Njëzet ditë, sa njëzet shekuj dashuri dhe mall!
Njëzet ditë, sa njëzet jetë të ndarë!

Ra kjo flamë dhe u ndamë!

U ndamë në emër të jetës, kur në fakt jeta vetë ka lindur prej bashkimit e jo prej ndarjes.

U ndamë në emër të dashurisë, kur në fakt ndarja e vret dashurinë.

U ndamë në emër të së mirës e për ta mundur të keqen, kur në fakt të qenit bashkë e sjell të mirën dhe e bën të keqen të pajetë!

A nuk kemi thënë gjithmonë bashkimi bën fuqinë?

Mirëpo, ja që paska edhe fuqi që vjen prej ndarjes e që bashkimin e bën të pavlerë.

Të ndahesh, për t’u mbrojtur!

Njëzet ditë, që prej 9 marsit të ditëlindjes time, pa u parë!

Shumë ditë, vërtetë shumë!

Flama që shpërndan një virus në formën e kurorës, ka pushtuar e ka ndarë gjithë botën!

( Kurorë! Sa flijime e luftëra janë bërë për ty! Sa jetë e sa e gjak janë marrë për ty! Sa dhembje e sa ndarje ka vuajtur njerëzimi për ty!)

Pra komandanti im i dashur, nuk jemi vetëm unë e ti të ndarë.

Të ndarë janë të gjithë njerëzit botës. Dhe dashuritë e gjithë botës janë ndarë.

Pra, është një ndarje për të mirë. Sepse është ndarje për të mbrojtur jetën, për të mbrojtur njeriun.

Më thua shpesh në telefon kur flasim se të ka marrë shumë malli!

E di, e ndjej peshën e maltë të mallit, se edhe mua më ka marrë po aq e më shumë.
Por malli na bën mirë. Malli e mban larg ndarjen, edhe pse është mall ndarjeje.

Bota e sotme, edhe pse e pushtuar nga koronavirusi, na i ka krijuar mundësitë me teknologjitë që ka shpikur, t’ja dëgjojmë zërin njëri-tjetrit, pothuaj njësoj si të jemi pranë e pranë, edhe pse duket sikur flasim si prej skajeve të botës.
Edhe njëri-tjetrin mund t’a shohim nëpërmjet ekraneve të smartfonëve dhe po aty përshëndetemi.
Falë teknologjisë, përqafohemi nga nga larg, njësoj si në përralla.

Komandanti im i dashur,

Ti me siguri do të më pyesësh pasi t’a lexosh, se përse po t’a shkruaj këtë letër?

Ne komunikojmë dhe flasim çdo ditë e këto që po t’i shkruaj me letër, mund të t’i thoja edhe përmes telefonit.
Po, mund të t’i thoja nëpërmjet telefonit. Mirëpo, ashtu me telefon se si më duket,si pa jetë.

Ndërsa letra ka një magji që nuk e ka asnjë mjet apo mënyrë tjetër komunikimi. Letra ka jetë, letra jeton.

Prandaj, zgjodha letrën!

Por e zgjodha edhe për një arsye tjetër. Sepse dua të të kërkoj ndjesë! Të kërkoj ndjesë, ngaqë nuk munda të t’i sjell mbrëmë ilaçet që mi kërkoi zëri shenjtëror i nënës, teksa mes forcës e mgashërimit më tha:
– babi ka një krizë, por nuk kam qetësues, qenkan mbaruar!

Ç’të bëja?! Ku ti gjeja?!
Më duhej leje për të dalë. Dhe për t’a marrë lejen, duhet aplikuar në një portal të qeverisë!
Ndaj, ti komandanti im i dashur, duhet të durosh e të presësh deri sa unë të bëj aplikimin dhe pas aplikimit, të më vijë përgjigja.
Duhet të durosh e të presësh të paktën 24 orë, se përgjigjja vjen pas 24 orësh! Nëse vjen sigurisht.

Në djall leja dhe qeveria e lejeve!

Dola pa pyetur për lejen e qeverisë e pa e vrarë mendjen për aplikimin saj. Dola dhe rendja nëpër natën e mpirë të Tiranës.

“Rend or rend” i thotë Noli maratonomakut, po për ku të rendja! Sepse po rendja drejt asgjëkundit!
Nuk gjeta asnjë farmaci hapur!
Urdhëri i qeverisë nuk i lejon hapur as farmacitë!

Renda dhe u enda dëshpërimisht i pafuqishëm rrugëve të Tiranës, po nuk gjeta asnjë farmaci të hapur!

Erdha poshtë dritares së shtëpisë e nga rruga, vura re siluetën e nënës që rrinte zgjuar.
Priste në këmbë pranë dritares…

Dashuritë e mëdha kështu janë, qëndrojnë gjithnjë zgjuar, në këmbë!
Sepse janë dashuri jete!

A nuk ke qëndruar edhe ti komandanti im i dashur gjithë jetën në këmbë?

Unë e di, ti po më pret…

Unë e di, do të të gjej në këmbë.

Dhe ti do të më thuash:
– erdhe o bir?

Dhe pastaj do të përqafohemi sërish, si në atë ritualin tonë të përditshëm, që është aq unik e vetëm i yni, që është aq i magjishëm e hyjnor, sa vetëm marrdhënia e atit dhe birit mund të jetë.

Me dashuri dhe mall për ty ati im!

Tiranë, 29 mars 2020

SHKARKO APP