Letër Milaimit
Nga: Ilir Levonja
I dashur Milaim, nisur nga pamja, duhet të jesh boll i lodhur nga hallet e tua. Ashtu si e shumta e shqiptarëve këtej dhe andej kufijve. Jemi vëllezër të një gjaku por të ndarë nga ca kunja shkrepseje. Ca kunja që janë dhuratë e politikës, a mosmarrëveshjeve historike të esnafit tonë. Dashje pa dashje po të përdorin edhe ty. Nuk e di se me çfarë merresh aty në Krushën e përvëluar, por nëse je bujk kushtoju arave. Nëse merresh me bagëti, kushtoju gjësë që të mban gjallë. Politika është kurvë, por për ne shqiptarët po del kryekurvë. Sidomos kur luajnë me patriotizmin. Sidomos kur bijtë e nomeklaturës flasin për tradhti kombëtare.
Mbase nuk e di por deri më 1948, bijtë e nomeklaturës edhe abetaren e nxirrnin me emrat e Titos dhe Enverit. Sot nuk e kemi dot një abetar të përbashkët. Madje vetëm në Tiranë ke rreth 16 të tilla. Na tmerron përbashkësia. Kosovës ja kishin bërë në kokë, madje kishin përgatitur edhe letrat ta bënin Shqipërinë republikën e tetë të Federatës. Sot çirren për tradhti. Vrasjet në kufi ishin normale, por edhe ai që i shpëtonte plumbit të ushtarit, e arratisej. ”Vëllezërit” jugosllavë e kthenin peshqesh. E njëjta gjë ndodhte edhe me ju, shqiptarët e Kosovës, që sot ju thërrasin kosovarë, jo shqiptarë të Kosovës. E kanë për zor, ndaj u thërrasin kosovarë. Ndonjë ditë ku tadish, mbase çeçenë. Ashtu sikundër kishte dhe raste që nuk ktheheshin, por ishin nën survejim, ishit organikë e sigurimit të shtetit me preteksin si agjentë të UDB-ës. Këta që i bënin këto punë ishin baballarët, sot janë bijtë e tyre. Ndofta nuk e ke dëgjuar se kështu vepruan me një poet kuksian Havzi Nela. U arratis, erdhi tek ju, po vëllezërit jugosllavë e kthyen peshqesh. E ekzekutuan me varje në litar, bash në muzgjet e fundit të diktaturës, gusht 1988. Një nga firmëtarët është babai i atij që sot është kryeministri i Shqipërisë.
Ne shqiptarët harrojmë kollaj, për më tepër nuk e njohim ndjesën publike. E bëjmë xhelatin kuvendar. Siç e ke sot krye kuvendarin e Shqipërisë, firmëtarin e ekzekutimit të djemve shkodranë më 2 prillin e vitit 1990. Eshtë zanat pa bereqet t’i afrohesh politikës, për më keq të të përdorin. Për herë të parë u fol në vitet 90-të për një rrugë që të na afronte, madje një malsor i Gjakovës tha që do shesim edhe bizhuteritë e grave. Na u mbush trupi me mornica. Nuk po diskutomin më asgjë, veç faktin që do i shkonim njëri-tjetrit për punë orësh, Tiranë Prishtinë dhe ansjelltas. Vetëm këtë rrugë kemi. Metropolet e botës kanë sa të duash, kanë edhe linjat e hekurta. Ne, megjithëse një pazar minierash nuk e kemi dot një linjë të hekurt. Këta që po të përdorin sot, nuk lanë gurë e kusur pa hedhur e thënë për këtë rrugë, madje i vunë edhe trarin. Katër vjet lehu pa pushim një shqiptar i vogël, gjithmonë i nevrikosur, sot e ke zëvëndës kryeministër. Sot ke edhe një tarifë për të ardhur në vendin amë. Megjithëse atëhere kryeministri i Kosovës Rramush Haradinaj hodhi idenë e një fondi buxhetor ndërqeveritar për të mirëmbajtur këtë arterie gjaku mes shqiptarëve të ndarë.
Ky patrioti jonë, gjë kaba, e hodhi edhe gjyq kryemistrin tuaj. U ofendua se kryeministri juaj komandant Rramushi u tha Shqiptarëve hapur për një pakt me Serbinë, për një ndarje të mundshme territoriale. Mbajeni shënim… një kryeministër shqiptar hedh në gjyq, në gjykata e huaja, po një kryeministër shqiptar. (Tetor 2019). Ky që sot flet për tradhti. Ky që as zbor nuk ka bërë se ishte i biri i babait. Që nuk ja di erën barutit, flet për tradhti. Që ndofta në 1999, kur ju vriteshit, thurte plane me një kone tjetër në bodrumet e Tiranës, në ato orgjitë e tia prej djali Tirone. Sot, flet për tradhti. Jo, e pamundur. Ata që gjoja e duan Kosovën, nuk dëgjojnë, pasi u interesojnë xhepat, karrika, jo shqiptaria. Flet për tradhtarë, megjithëse që nga 2013-ta ka ndyrë hundët në dy nga vatrat e antishqiptarizmës, Stambollin dhe Beogradin. Eshtë dishepulli i Erdoganit dhe një pragmatist enverist që për hir të pushtetit nuk e ka problem të vëj poshtë bythës edhe gjithë Kosovën. Më 2013 në Shkodër nënshkroi pakt socialist me LSI dhe Ilir Metën në sy të Tadiçit. Sot e dy vjet u gërrvërret shqiptarëve se ka të bëj me një president pijanec. Shtrëngon duart lart e poshtë me Vuçiçin ndërsa hiqet patriot në lidhje me çështjen e Kosovës. Sot vëlla Milaim, Shqipëria e këtij pinjolli është për tu mëshiruar, nuk ka sikur një skuadrilje aeroplanësh, një anije bregdetare, një kundraajroj a çfarë të them.
Madje deklaratave të Vuçiçit në paralelizmin me konfliktin Armen nuk i përgjigjet dot. A e di përse, sepse nuk ka sikur një depo armatim. Megjithëse vendet e rajonit janë sot në një mini garë armatimesh pas kofliktit turko-grek, ky patrioti merret me kasetën tënde, me ty, me liderin e opozitës. Ka si ushtri vetëm atë që ka mes shalëve dhe se armiku i shqiptarëve qënka lideri i opozitës. Kështu bënte edhe Enveri çdo dy a tre vjet, shpallte dhe demaskonte nga një armik. Dhe shqiptarët urra. Sot në detin e Shqipërisë, madje në kufijtë e shqiptarëve kushdo mund të demonstrojë forcë. Patrioti ynë kujton se mbrohet vendi me shallvaret e tija. U zgjata ca Milaim, por desha të them se ne shqiptarët kemi nevojë për tjetër gjë. Energjitë t’i harxhojmë atje në Hagë. Madje edhe buxhetin…, sa boll na ndanë motet e krriçat si ky. Boll na ndau propaganda, e kunjat e shkrepseve. Kemi nevojë për njëri-tjetrin, të shkojmë e të na vini, kemi nevojë për ekonomi të fortë, rrugë të afaltuara, të hekurta. Kemi nevojë për tekste të përbashkëta të paktën në gjuhën amtare. Kemi nevojë për krushqi, dasma. Kemi nevojë për shkolla fetare se jemi bërë sirianë, turq, arab, irakenë, kurd, e veç shqiptarë jo. Se na qorton poeti Esad Mekuli kur thotë, për kë u rrita o bij? Kemi nevojë për spitale e t’i gjëndemi njëri-tjetrit si më 1999. Si më 2019-ën në tërmetin fatkqe. T’i gjendemi edhe sot me ekipe mjekësh, ashtu sikur iu ofruam edhe Italisë. Dhe mbi të gjitha kemi nevojë për ushtri solide. Jo për kallamoq misri të parruar si ky e shpura e tij, që po na ndajnë me gjallje, siç na ndau Enveri. Jetë e shëndet vëlla.