Letra e një socialisti për Ben Blushin

Nga Novruz Limaj

Jam një socialist, këtu e 26 vjet më parë, i nderuar zoti Beni, bashkëthemelues i PS-së në kongresin e qershorit 1991. Tani jam pensionist. Jam inxhinier nafte, që jam rritur dhe formuar në punë të vështira dhe sakrifica të mëdha, në syrin e ciklonit të udhëheqies më të lartë të ish-sistemit komunist, në disa beteja “stalingradi” shkencor dhe realizimi të asaj industrie, por kam qenë dhe jam akoma i apasionuar edhe me librin. Për kuriozitetin tënd, dikur student dhe disa vite më vonë, i dija përmendësh poezi dhe poema të Majakovskit, Pushkinit, Lermotovit, Eseninit, Gëtes, Hajnes, Bërnsit, Kajamit, Petëf, etj, etj për të mos folur për të mëdhenjtë tanë Kadarenë, Agollin, Nolin, etj.

Nuk njihemi bashkë, megjithse jam lexuesi yt dhe pothuaj i të gjitha librave të tu dhe i kam marrë nga dora jote me nënshkrimin tënd. Nuk jam delegat, por mendova të përfshihem si socialist në debatin tuaj  në PS, sespse më dhemb situata e krijuar në familjen tonë të përbashkët politike, me bindjen që jam asnjanës e objektiv, sepse nuk më lidh asnjë interes personal me askënd në PS, aq më tepër me Ramën, që s’e kam takuar kurrë si edhe nuk do t’ia lejoja vetes t’i bëja qejfin apo të jem fanatik i verbër i tij. Të kam ndjekur dhe kam qënë në krahun tënd kur nise kritikat për jetën e brendshme në PS, sepse shumë prej tyre janë reale, mbi të gjitha shkelja e statutit për të zgjedhur kryetarin e partisë në çdo 4 vite me “një anëtar një votë”.

Të drejta janë edhe kritikat për mosfunksionimin e asamblesë dhe të kryesisë së PS-së, e cila, si forca fituese e zgjedhjeve, nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë së kontrollit dhe llogaridhënies të qeverisjes së saj. Dihet që për këto mangësi, përgjegjësia kryesore bie mbi Ramën, si kryetar i partisë. Dihet dhe duket qartë që edhe kritikat e tua janë vetëm për Ramën, megjithëse dihet që asambleja drejtohet nga një tjetër socialist, që edhe ai njihet jo vetëm për përvojën e madhe, por edhe për korrektesën me rregullat e partisë.

Problemi është që, megjithëse është shpjeguar dhe sqaruar nga të gjithë pse ka ndodhur dhe çfarë duhet bërë, aq sa nuk besoj se ka njeri normal në këtë vend që të mos e dijë arsyen dhe rrethanat, Ju i dashur Beni, nuk doni t’i dëgjoni ato dhe ata, e ke rrokur atë shkelje fort dhe e ke bërë flamur beteje e lufte, që po i lodh të gjithë socialistët.  Dhe më e hidhura është që, ditët e fundit, juve e keni vendosur Ramën dhe PS-në në cep të ringut jo si e qysh të shqyrtohen dhe të zgjidhen këto shkelje e mangësi të funksionimit të partisë, për të vijuar jeta nomale e saj dhe e qeverisjes së saj, por si t’i japësh grushtin për ta rrëzuar nokaut atë dhe PS-në nga pushteti.

Për mua, dhe kam mendimin për shumicën e socialistëve, nuk pranohet që të përdoret një rregull partie si tabu për të krijuar një situatë paqëndrueshmërie të qeverisë së saj me synimin rrëzimin ose zëvendësimin e Ramës. Të lutem, mos e trumbeto kaq gjatë këtë rregull, se të gjithë e dimë që edhe ish-partia komuniste, e cila parimet dhe rregullat i kishte dogmë, hante llogjikë për t’i trajtuar dhe rregulluar gjërat pa shkatërruar vetveten. Edhe sikur qëllimi të jetë demokratizimi i PS, sic thoni ju, askoha, as toni dhe mbi të gjitha as mënyra e përdorur nuk justifikohet. Në fakt te mua është krijuar mendimi që Juve nuk ju udhëheq ndonjë kauzë apo mision për të shpëtuar PS e aq më tepër vendin, sic deklaroni, por shkatërrimi i Ramës. Unë nuk e di shkakun e këtij mllefi dhe egërsie ndaj tij, por nuk besoj se është e drejtë që duke përdorur një sebep, ta sulmosh atë, pa marrë parasysh pasojat e familjes dhe të vendit.

Dhe kur, pikërisht tani që socialistët dhe gjithë populli shqiptar është sy e veshë e shqetësimplotë për reformën në drejtësi, të nisësh një luftë të tillë kundër partisë dhe qeverisë tënde që e ka mision kryesor këtë reformë, është me të vërtetë krim i madh për vendin, socialistët dhe gjithë shqiptarët. Më vjen keq, por edhe kritikat tuaja për qeverisjen, kanë të njëjtin frymëzim, shkatërrimin e Ramës, shpesh me etiketime e armiqësi të tilla që ja kalojnë edhe Saliut dhe “të gjatit” të mallakastrës që bën aritmetikë herë pas here në shtypin e PD-së. Për efekt vendi, dua të qëndroj vetëm në 2-3 prej tyre.

Keni kohë që flisni p.sh. për varfërinë dhe nivelin e ulët të jetesës. Dakord, të gjithë e pranojmë atë, por mos thuaj që Rama qenka pa shpirt e bën sehir, sikur ti nuk e di që edhe kjo plagë është e trashëguar, ndërkohë që edhe mjetet për kapërcimin e saj janë të kufizuara e duan kohë, sepse çelësi, në fund të fundit, janë fondet buxhetore të shtetit, të cilat duhet të mbulojnë të gjitha nevojat e tjera të vendit dhe të shoqërisë dhe që kanë një burim të vetëm, taksat. Nëse ke vërejtje me politikën e taksave apo mbledhjen e tyre që nuk sigurojnë të ardhurat që pastaj kthehen ndihmë për të varfërit, investime, rritje eknomike, etj, thuaje hapur dhe jemi me ty, por mos thuaj që taksat janë të larta dhe duhet të ulen (sic thoni ndonjëherë), siç gënjen kryeopozitari “mendja fyll” sepse lekët nuk vijnë nga qielli me parashutë nga amerikanët, siç gënjente Berisha shqiptarët në vitin 1991!

Nuk them se shtiresh si Saliu e nuk të dhimbset me të vërtetë situata e tyre, por duhet të jesh realist. Edhe unë kam shumë nevoja si pensionist, e ndërkohë kam edhe shumë njerëz të mi të varfër e në nevojë, por mos na shfrytëzo për t’ju kundërvënë Ramës. Jo se jemi fanatik, por i njohim arsyet e mundësitë aktuale. Vetëm disa egoistë që mendojnë vetëm për vete e flasin qesim, mund t’i kesh kontigjent të pakënaqësisë tënde.

Flet se është rritur borxhi, sikur nuk e di përse, ku vete ai dhe gjithë buxheti i vendit, si dhe çfarë po bëhet për ta ulur sipas skenarëve të përcaktuar edhe nga FMN dhe BB! Nuk është zor i madh për ty të marrësh informacionet reale tek ministrat dhe administrata përkatëse për këto gjëra, por mesa duket ke vetëvendosur kufinj edhe me ta. Thua që do të shohësh formatimin me LSI-në. Ke harruar që në vitin 2009 e kritikove Ramën që nuk diti të sjellë PS-në në pushtet, sepse, përveç të tjerave, nuk diti të bëjë marrveshje me LSI-në dhe kërkuat me ngulm largimin e tij, ndërkohë që nuk pranonit fare vjedhjen e votave që e dinin të gjithë shqiptarët, përveç jush dhe Berishës. Tani që ai e realizoi këtë marrëveshje (me jo pak kosto), realizoi çlirimin e vendit nga një kriminel dhe bashkëqeveris me LSI-në, ti thua do ta rishoh formësimin e qeverisjes me të.

Flet për korrupsionin dhe ke të drejtë, sepse ndajmë të njëjtin shqetësim në lidhje me pritshmëritë në këtë fushë, por mos fol si Berisha, kampioni i hajdutërisë e i krimeve, që për 25 vjet vodhi e vrau, që edhe kur cicërin në facebook ose përmjerr para mediave të veta, kryefjala e vetme e opozitarizmit është akuza që Edi Rama është më i korruptuari në botë. Luftohet shumë dhe me çdo mjet që të krijohet psikoza që edhe këta janë njëlloj, të gjithë hajdutë.

Unë mendoj, i dashur Blushi, që ka njerëz të ndershëm në këtë vend dhe në këtë qeveri, por nëse nuk mund të vë dorën në zjarr për te gjithë në lidhje me korrupsionin, për 2-3 gjëra jam i bindur dhe guxoj ta vë dorën në zjarr: Së pari, nëse Ju do të ishit ministër, të jesh i bindur që mali i akuzave dhe i baltës së Berishës e këlyshëve të tij, do të binte edhe mbi ty, njëlloj si mbi kolegët e tu ministra. Nuk besoj se e ke haruar (ne jo) etiketimet kur ishe ministër i Nanos. Në këtë aspekt dhe në një farë mënyre, gëzohu që Rama nuk të përfshiu në ekipin e vet.

Së dyti, as ti Beni dhe asnjë socialist tjetër nuk ka “gjoksin”, vullnetin dhe karakterin e Ramës për t’u përballur me situatën dhe problematikat e mëdha aktuale që ka Shqipëria dhe të kryejë reforma e operacione të tilla që kanë kosto për vetë atë dhe PS-në. Ti nuk i quan ato reforma, po masa rutinë. Po mirë, ju nuk e quani reformë atë që u bë për pensionet, që nëse ishte bërë më herët unë me 42 vite punë në shtet nuk do merrja tani 24 000 lekë në muaj, por mbi 40 000 lekë? Po ajo në arsim, në rregullimin e territorit, në energjinë elektrike, në rend, në informalitetin e tregut, etj nuk janë reforma?

Ti e di që ato janë reforma, bile të thella e shumë të vështira, që kanë krijuar kosto jo të vogël për Ramën dhe PS-në, e di që ka edhe pakënaqësi, por mos i shfrytëzo ato për të dobësuar nga brenda PS-në dhe qeverisjen aktuale. Nuk besoj se do të kesh në krah ata që duan të bëhet njëherë shtet normal ky vend. Une nuk fluturoj me arritjet e qeverisë Rama, por ndryshe nga Ju e shoh realitetin 80 % plot, jo 50 % bosh.

Së treti, është hera e parë në këta 25 vjet që përfaqësohemi jashtë shtetit me një kryeministër që nuk e njeh dhe as nuk e përjeton inferioritetin me asnjë të huaj, kushdo qoftë dhe nga cilido shtet, i madh apo i vogël, ai ndihet dhe prezantohet i barabartë, jo vetëm me fqinjët, ku thënia hapur e barazia në gjithçka është tani profili i tij i pandryshuar me këdo në këtë rajon akoma të trazuar, por nuk besoj se ka patur ndonjë shqiptar normal që nuk i kanë lënë mbresa të mira krenarie, takimet e tij të lira, të qeta, të këndëshme e të qytetëruara sidomos me Papën, Merkel, Kerry e Vuçiç, këtu e atje, Obama etj. etj. personalitete botërore, të cilat na fshinë nga mendja pozat e pamjet Urian Hipp të paraardhësit të tij që edhe tani na bëjnë për të vjellë…….

E di që ka shumë probleme dhe pritshmëri për politikën e brendshme të tij, nga të cilat do vecoja lehtësimin e varfërisë së trashëguar nga berishizmi dhe performanca e administratës publike që janë akoma dy “armiqtë” afatgjatë të Edi Ramës, si kryeiministër. Por të gjithë e dimë që sfida aktuale e tij dhe PS është reforma në drejtësi, që Berisha me të tijtë po lëvizin të gjitha fijet që të dështojë.

Pozicioni i tyre kuptohet, sepse e dinë që i pret burgu, por çudia është pse pikërisht tani që PS me Ramën përballet me këtë sfidë madhore që përcakton të ardhmen tonë, ti gjete një sebep e punon për ta rrëzuar Ramën, që në fund të fundit do të çojë në dështimin e reformës. Çdo socialist sado qejfmbetur apo synime personale të kishte, do të mendohej thellë para se të kryente veprime dhe sjellje që çojnë ujë tek mulliri i Berishës për ta dështuar këtë reformë, do të mbante përgjegjësi dhe mallkimin e gjithë socialistëve dhe shqiptarëve të ndershëm, e mbi të gjitha të shpirtit të atyre 4 burrave të vrarë në 21 janar.

I vrau Berisha Beni, jo Rama. Apo Rama i solli para plumbit dhe i tha Berishës vriti!!! Nuk është burrëri të sulmosh shokët dhe familjen në vështirësi, apo betejë .. mos e tërhiq më shumë litarin se mund të këputet, mos harro që të quajmë kapital të madh në PS dhe ke gjithë premisat të realizosh ambicien tënde në zgjedhjet e radhës. Dije, në fund të fundit, shqetësimi ynë nuk është aq i lidhur me fatin politik të Edi Ramës, por me fatin tonë e të vendit tonë. Nëse dështon ai tani, kemi dështuar të gjithë, ne shqiptarët e ndershëm dhe të drejtë të këtij vendi që megjithëse bëjmë shumicën, qënkemi të nëmur e të dënuar të vuajmë pa fund. Ji me ne Beni, se kështu je edhe me Shqipërinë!

(Marre nga shekulli)

SHKARKO APP