Ligjërimi politik Rama-Berisha, ka sosur në formë bejtesh
Nga Ben Andoni
Edhe pse ka pak studime, lidhur me natyrën e ligjërimit të politikës shqiptare, një i tillë i bërë pak kohë më parë nga OSFA tregonte realisht imazhin e kësaj kategorie, duke e treguar nivelin e kulturës politike shqiptare në kuota të ulëta emancipimi. Dhe, jo sepse në vazhdimësi mungon shprehja e duhur e kategorive dhe trajtave politike, por edhe mënyra sesi e kuptojnë atë liderët shqiptarë lë shumë për të dëshiruar.
Në leksikun e përbashkët Rama-Berisha (Basha, merret me rezervë prej realitetit të tij të munguar si udhëheqës- edhe pse i përgjigjet këtij binomi politik) ka mangësi të theksuara konceptesh, parimesh dhe përcjelljesh mendimesh në krahët e politikës që përfaqësohen. Që do të thotë se në vend të koncepteve të djathta për t’u shprehur nga ana e liderit de facto të opozitës artikulohen vetëm akuza, stigma dhe ofendime, kurse nga ana e liderit të majtë Rama, përcillet një retorikë e fryrë, fare larg koncepteve të majta dhe e mbushur me pasazhe të tëra me fjali nënrenditëse dhe figuracione qesëndisëse: lexo tallëse. Në fakt, fyerjet janë kthyer në një normalitet të tillë, saqë është e vështirë të ndash urrejtjen, akuzën apo kinse pretendimet.
Kurse në vend të një ligjërimi, që i shkon programit reciprok, nga liderët përdoret gjithnjë e më shpesh shumësi frazash të cilat të vendosura me kujdes në realitet letrar, mund të shërbejnë si fillesa bejtesh në kohët moderne. Pra krejtësisht anakronike, për kohën që jetojmë dhe problemet e vërteta me të cilat përballet elektorati shqiptar.
Por, ndërsa bejtja në shekullin XVIII ishte një kërkesë e kohës, që këtë zhanër të letërsisë të krijuar në territoret e banuara nga shqiptarët, t’ia sillte mesazhet fetare dhe ato pastorale në formë burimore me gjuhën e popullit (por me alfabetin arab), në shekullin XXI, në konatocion negativ, bejtet e politikanëve vinë më shumë si refleks i gjysma poezive anakronike dhe gjysma shprehjeve për të ofenduar dhe denigruar njëri-tjetrin.
Mjafton që një nga liderët të fillojë diskursin e tij dhe patjetër në mëndje do kalkulojë hapësirën për të ofenduar kundërshtarin, qoftë edhe pa e shtjelluar idenë e tij mirë. Kryesore është denigrimi dhe gazi që prodhohet nga fyerja. Dhe, anasjelltas. Niveli i diskutimeve, që pason nga pjesa tjetër e deputetëve, është pastaj një mbushës i argumenteve të dy liderave në nivele edhe më të ultra në shumicën e rasteve.
I gjithë ky realitet, na tregon si shqiptarë me një kulturë politike të mjerueshme, ku niveli demokratik i klasës politike dhe elitave tona është i ulët. Për të ardhur keq, pasi edhe pse me kohë, parlamenti ka pasur nivele profesoriati në përbërje dhe gjithnjë e më shumë përfaqësim femrash, niveli i tij jo vetëm nuk ka ardhur duke u përmirësuar, por përkundrazi, ka rrëshqitur në ligjërime politike krejt pasens. Kjo do të thotë se niveli politik demokratik i vendit shprehur me këtë ligjëratë politike është i mangët, por edhe tregues se demokracia jonë është ende minore dhe në faza parapolitike. Dhe, ky është problemi, që ne e personifikojmë lehtë nga artikulimet shpesh bajate të dy liderëve të vërtetë të vendit (Java).