Ligji i dekriminalizmit dhe Mirela
Nga Mero Baze.
Mirela Ferracaku është deputetja më e re e Kuvendit të Shqipërisë, që merr mandatin e pamundur për t’u ushtruar nga dy vëllezërit Frroku, për shkak të dënimeve të tyre. Ajo mori mandatin në ditën kur Kuvendi i Shqipërisë miratoi një ligj për dekriminalizimin e politikës, i cili tenton të krijojë standarte morale të forta për njerëzit që duhet të përfshihen në politikë. Edhe pse ka plot probleme me standartet kushtetuese të një vendi normal, ligji tenton të mbushë boshllëqet që ka krijuar depërtimi i krimit në politikë dhe deinkurajimi i kësaj kategorie për t’u marrë me politikë. Ligji u përshëndet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi ata shpresojnë se do të ketë ndikim në të ardhmen politike. Por, ligji është një kompromis politik, për të mos prekur të pandëshkuarit e parlamentit aktual, dhe për të ridënuar moralisht, ata që janë dënuar një herë penalisht. Ligji nuk parasheh, siç duhet të parashihte, që politikanët që kanë mbyllur gjyqet me procedurë apo imunitet, siç është rasti i Bashës dhe Mediut, të paraqiten para drejtësisë. Ligji nuk parasheh paraqitje vullnetare para drejtësisë për persona përgjegjës për ekzekutime politike, siç është rasti i 21 janarit. Ai thjesht parashikon, që nëse ndonjë deputet apo zyrtar është dënuar brenda këtyre 20 viteve, të iki nga politika dhe posti. Bëhet fjalë për njerëz pa peshë në politikën e sotme, por që është një standart që vlen për të mos i lejuar ata, të afrohen në të ardhmen në politikë. Fryt i parë i dekriminalizimit është pikërisht deputetja Mirela Ferracaku. Nuk e njoh Mirelën dhe besoj se shumë pak e njohin dhe zonën e saj, pasi as ajo vet, nuk ka besuar se do bëhej ndonjëherë deputete. Por, gjëja e parë që më bëri përshtypje pozitive tek ajo, ishte fakti që Mirela ishte me shkollë të mesme. Kjo gjë më gëzoi sinqerisht, pasi kemi në parlament një vajzë që tregon atë që ka, dhe atë që di. Shumica e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë kanë mbi dy diploma, por një pjesë prej tyre, nuk kanë as shkollë të mesme. E vërteta është se ata kanë bërë një plan si të bëhen deputetë dhe “kanë bërë letrat”, kurse Mirela ka ardhur në Kuvend ashtu siç ka qenë në fshatin e saj, me shkollë të mesme. Do t’i uroj të rrijë kështu dhe të mos tentojë të bëjë shkolla me urgjencë, se nuk ka çfarë i duhen në atë Kuvend. Shumë nga shoqet e saj që kanë diploma, bëhen objekt humori kur dalin e flasin, dhe të tjerë që kanë mbi dy diploma, nuk dinë të të thonë kë kanë pas shok shkolle. Mirela së paku këtë gabim nuk e ka bërë. Ajo nuk ka pasur ndonjë plan për të kapur parlamentin me letra, por fati e ka çuar aty aksidentalisht, për shkak të efekteve që kanë dhënë në shoqërinë tonë dy ndërhyrje ligjore, detyrimi për të respektuar kuotat gjinore në Kuvend, dhe ligji i dekriminalizmit. Për shkak të detyrimit për kuotat e barazisë gjinore në Kuvend, çdo i treti deputet në listë, duhet të jetë një femër, dhe për këtë shkak ajo është sot deputete. Shto dhe ligjin për dekriminalizimin, dhe ajo është deputetja e parë që është një produkt laboratorik ligjesh dhe jo politike në Kuvend. Për këtë arsye unë shpresoj se formalizmi do të funksionojë, edhe pse të pandëshkuarit e mëdhenj rezistuan në Kuvend dhe bënë një ligj që të mos kishin konkurrencë nga mafiozët e rrugës.