Liqeni Artificial, shembulli i bashkëpunimit të korrupsionit politik
Nga Gjergj Bojaxhi
Zona e parkut mes Korpusit të Universitetit dhe territorit të Gardës së Republikës ka qenë gjithmonë pjesë e Parkut të Liqenit, por ajo tashmë është bërë gati për t’u benotizuar me ndërtime. Kemi arritur në këtë pikë si rezultat i një serie vendimesh kryeministrash dhe kryetarësh të bashkisë së Tiranës:
Në vitin 2004, me vendim të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës RAMA dhe të Kryeministrit NANO kjo zonë u hoq nga Parku i Liqenit duke e shtyrë kufirin e parkut në brendësi.
Në vitin 2006, me vendim të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës RAMA dhe të Kryeministrit BERISHA zonës iu ndërrua destinacioni nga park në zonë ndërtimi.
Në vitin 2013, me vendim të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës BASHA dhe të Kryeministrit BERISHA, Plani i ri i Rregullimit të Tiranës e cakton këtë zonë për ndërtime pa asnjë kufizim në intensitet e lartësi. Kjo do të thotë që ajo mund të betonizohet e gjitha me ndërtime të larta.
Shkatërrimi i Tiranës ka qënë një proçes i qëllimshëm dhe sistematik i klasës politike që na ka qeverisur këtë çerek shekulli. Shkatërrimi i hapësirave publike ka ardhur për shkak të korrupsionit të kastës sonë politike, në bashkëpunim me klientët e tyre. Për çdo trotuar të zaptuar, për çdo lulishte të bërë pallat, për çdo terren sportiv të betonizuar një grusht politikanësh e një grusht biznesmenësh të tyre kanë futur miliarda në xhep. Kurse ne qytetarëve na kanë lënë një qytet gati të pabanueshëm.
Pjesa e parkut mbas meje është një nga shembujt më domethënës dhe më të këqij të korrupsionit politik. Por mbi të gjitha është shembull i një fakti të dhimbshëm: ndërsa politikanët e të dy krahëve zihen e shahen gjoja për demokracinë, kur vjen puna për të grabitur vendin, për t’ju shërbyer klientëve të tyre ata janë gjithmonë bashkëpunëtorë të ngushtë.
Tirana është sot një qytet i marrë peng dhe që shfrytëzohet nga një grusht njerëzish. Ne qytetarët e Tiranës duhet ta ndalojmë këtë pengmarrje të qytetit me votën tonë më 21 qershor.