Liria e medias e kërcënuar edhe në vende demokratike

“Reporterë pa kufij” prezantoi raportin për lirinë e shtypit 2017. Në të gjithë botën vihet re një përkeqësim i gjendjes së lirisë së shtypit. Shqipëria renditet në këtë raport e 76-a, Kosova e 82-a, Maqedonia e 111-a.

Infografik Journalists killed in 2015 and 2016Grafika e gazetarëve që humbën jetën gjatë punës – viti 2015-2016

Retorika armiqësore kundër medias e politikanëve udhëheqës, ligjet më të ashpra, por edhe influenca e politikës edhe në vende demokratike kanë sjellë përkeqësimin e gjendjes së mediave në të gjithë botën. Ky është konkluzioni i organizatës  “Reporterë pa kufij” në raportin e publikuar, 2017.

Nënvlerësim i medias

Në vende si SHBA, Polonia dhe Britania e Madhe liderë të politikës e shfaqin hapur përçmimin që kanë për gazetarët. Përkeqësimin e gjendjes e ka shkaktuar edhe sjellja e paskrupullt ndaj medias e qeverive të vendeve si Egjipti, apo Burundi. Në Turqi po ashtu është përkeqësuar  gjendja e gazetarëve dhe medias, pas një vale të pashembullt represioni që nga përpjekja për puç ushtarak verën e kaluar. Ndërsa në vendet e krizës apo aty ku luftohet, si Siria, Jemeni apo Libia gazetarët ndeshen me kërcënimin për jetën. Në vende të tjera grupet islamiste, si “Shteti Islamik” kërcënojnë rregullisht jetën e gazetarëve si Afganistan, ku talibanët vranë vitin e kaluar 10 gazetarë gjatë punës.

Kreu i organizatës “Reporterë pa kufij”, Michael Rediske është shprehur, se “shokuese është që edhe në vendet demokratike ka kufizime të pavarësisë së medias dhe punës së gazetarëve, në vend që liria e shtypit të mbahet lart, si një vlerë themelore.”

Përkeqësim në vendet demokratike

Shqetësim paraqet gjendja edhe në SHBA që renditet në vendin e 43 këtë vit. Nga gjysma e dytë e vitit të kaluar janë shtuar proceset juridike kundër gazetarëve investigativë dhe “zbuluesve” të skandaleve në SHBA. Presidenti Donald Trump me fyerjet e pandalura ndaj mediave kritike distancohet nga një traditë e vjetër e SHBA-së si mbrojtësja e lirisë së shtypit, kritikon organizata “Reporterë pa kufij”.

Michael Rediske Reporter ohne Grenzen und DJV (dapd)

Edhe në Francë gazetarët ndeshen me fyerje të politikanëve gjatë fushatës zgjedhore, vëren raporti. Ndërsa në Poloni, qeveria nacional-konservatore ka vënë nën kontroll televizionin publik, thuhet në raportin e “Reporterëve pa kufij”. Më shumë se 22 gazetarë kanë humbur punën, që nga ndërrimi i pushtetit në Poloni. Hungaria po ashtu ulet në renditje, dhe kritikohet fakti, që në tetor 2016 një oligark i afërt me qeverinë bleu grupin mediatik “Mediaworks”, tek i cili dy javë më parë u mbyll gazeta opozitare “Nepszabasag” dhe ku bëjnë pjesë 12 gazeta rajonale e një gazetë sportive.

Vendin e parë në listë për gjendjen e mirë të lirisë së shtypit e zë Norvegjia dhe vendet nordike renditen pas saj, si Suedia e Finlanda. Gjermania renditet e 16-ta, pranë Luksemburgut dhe Sllovakisë. Rusia nuk ka ndryshuar renditje, ajo vazhdon të zënë vendin e 148-të në renditje dhe organizata kritikon faktin, që qeveria vepron ashpër kundër mediave kritike.

Renditja e Europës Juglindore

Në rajonin e Europës Juglindore përkeqësim ka pasur Kroacia, që ka humbur 11 vende, duke u renditur e 74-a. Organizata kritikon faktin që qeveria kroate vitin e kaluar hoqi nga puna drejtorin e përgjithshëm të televizionit publik, HRT dhe e zëvendësoi atë me një proqeveritar.

Shqipëria renditet në vendin e 76, me një përmirësim prej 6 pikësh, krahasuar me vitin e kaluar, kur renditej në vendin e 82-të. Edhe Kosova ka një përmirësim të lirisë së shtypit, ajo renditet këtë vit në vendin e 82, ndërsa vitin e kaluar zinte vendin e 90-të. Maqedonia zë vendin e 111-të, megjithë një përmirësim me 7 pikë nga viti i kaluar. Megjithatë në grafikën globale të lirisë së shtypit vendet e Ballkanit janë të ngjyrosura me ngjyrën e portokallisë që tregon se këto vende ka probleme të ndjeshme me lirinë e shtypit. Vendet ku gjendja është e lirisë së shtypit është e kënaqshme kanë një renditje me ngjyrë të verdhë, ato me gjendje të mirë, zbardhojnë.(DW)

SHKARKO APP