“Listat e mbyllura” kundër “listave të mbyllura”
Nga Artan Fuga –
Asnjë mënyrë votimi që ndryshon vetëm renditjen e kandidatëve për deputetë në një listë partie dhe vetëm kaq nuk e bën atë listë të hapur!
Asnjë!
Lista bëhet e hapur vetëm atëhere kur elektorati jep votën për cdo kandidat për deputet në listën e cdo partie, dhe…, dhe…, dhe…, kur partia merr votat e saj globale vetëm si shuma e të gjitha votave që marrin kandidatët e paraqitur prej saj!
Vetëm në këtë rast është elektorati ai që përcakton se cilët janë përfaqësuesit e tij në Kuvend!
Vetëm në këtë rast partitë do të vendosin kandidatura që i do elektorati!
Përndryshe kur votat për cdo kandidat për deputet në listën e një partie nuk e ndikojnë fare votën për partinë, atëhere sa vota merr cdo kandidat për deputet ka rëndësi vetëm për kandidatët në listë dhe asgjë më shumë. Kush do ja zërë vendin njeri tjetrit. Për elektoratin ajo mbetet një listë e mbyllur.
O Ali Hoxha o Hoxhë Aliu!
Zgjidhet brenda një rrethi të mbyllur përcaktuar nga partia!
O do jetë Ali Hoxha para Hoxhë Aliut
O do jetë Hoxhë Aliu para Ali Hoxhës!
Madje kjo mund të kishte si pasojë që lidershipi i një partie të vendoste veç vetes, kandidatë që të mos merrnin në atë listë vota më shumë sesa pjestarët e udhëheqjes. Pra, t’a përkeqësonte listën atje ku nuk ka ku të shkojë më.
Me këto “farë listash të hapura” ne rrezikojmë si qytetarë të kemi kandidime mediokre në një masë të madhe ose shumë shumë të politizuara.
Nuk do të kishim lista vërtet të hapura, pavarësisht çfarë formule ndiqet, por lista ku “vëllezërit ujq”, kandidatët për deputetë të një partie do i fusnin shkopinj në rrota njeri tjetrit për t’i zënë vendin njeri tjetrit, dhe merakun e lidershipit për të kandiduar në zona të sigurta dhe pa rivalë brenda partisë së tyre.
Kështu edhe lidershipi i partive nuk testohet në elektoratin e gjerë, por atje ku janë kondensuar militantët e partisë, pra në bastionet e saj.
Zonat e sigurta elektorale do të jenë llokmat që do t’u bëhen dhuratë të privilegjuarve!
Prandaj, lista të hapura nuk ka!
Beteja deritani bëhet mes “listave të mbyllura” dhe “listave të mbyllura”. Deri tani! Se çfarë bëhet më pas, sikurse thoshte Witgenstein te Traktati logjiko-filozofik, nuk dihet. Asgjë që i takon së ardhmes nuk është as probabël as improbabël, as e mundshme as e pamundshme. Megjithëse unë them që më shumë duket e pamundur sesa e mundur!