Loja me shërbimet sekrete: A ka një fushatë italiane kundër Shqipërisë?

Vetëm javën e fundit dy artikuj në shtypin e shkruar dhe një reportazh televiziv në mediat italiane, kanë dhënë alarmin e xhihadistëve të shtetit islamik të rekrutuar në Shqipëri drejt shtetit fqinj. Në informacionet e botuara që i referohen burimeve nga shërbimet sekrete italiane, flitet për shifra afro 2 mijë euro në muaj dhe njohje e gjuhës italiane për të përfituar statusin e të rekrutuarit nga shteti islamik.

Dalja e këtyre informacioneve në media brenda një periudhe të shkuërtër kohe nuk është e rastësishme dhe as e paqëllimtë. Në rastin më të mirë shërbimet e shtetit fqinj po përpiqen të thonë një të vërtetë që homologët e tyre shqiptare po na e fshehin. Ndërsa në rastin më të këq, kjo fushatë kundër imazhit të shqiptarëve në vitin kur Shqipëria po rreket të hapë negociatat me BE, duket të jetë e orkestruar ose sponsorizuar. Mbeten për t’u identifikuar autorët dhe qëllimet e tyre.

Gazetarët shqiptarë e dinë shumë mirë sa e vështirë është që të filmosh apo marrësh një deklaratë nga të ashtëquajtur xhihadistë në vendin tonë. Ata janë hermetikë, në ndonjë rast edhe agresiv. Tentativat e stafit të emisionit Tonight Ilva Tare, por besoj dhe emisioneve të tjera që mund të kenë hulumtuar mbi fenomenin e rrezikshëm kanë dështuar. Disa të kontaktuar kanë pretenduar se nuk kanë asnjë lidhje me shtetin islamik dhe luftën në Siri, ndërsa familjarët e tyre nëse nuk kanë aktruar, kanë qenë në padijeni të plotë të përfshirjes së djemve në luftë, qoftë ajo dhe e shenjtë.

E vërteta është diku në mes. Disa kanë dijeni dhe janë plotësisht të përfshirë, të tjerë përdoren falë varfërise dhe padijes së tyre që i shndërron në viktima të një lufte që nuk u përket dhe as e kuptojnë. Shteti shqiptar në vend të heshtjes dhe minimizimit të situatës për median venase, vecanërisht në disa zona që shërbimet sekrete i kanë nën kontroll duhet të zgjidhte të ishte më i pranishëm dhe llogarikërkues. Është e pafalshme që autoritetet që përfaqësojnë institucionet fetare në Shqipëri të mos mbajnë përgjegjësi për atë cfarë predikohet në xhamitë e ngritura si kërpudha me financime për të cilat mungon transparenca e burimit të tyre.

Nëse shërbimet sekrete italiane u kanë thënë gazetarëve të tyre se nga Shqipëria janë rekrutuar rreth 1 mijë luftëtarë për llogari të ISIS, ky është një informacion që e kanë pa asnjë dyshim edhe shërbimet inteligjente shqiptare. Fshehja e një të vërtete të tillë për median shqiptare, është një strategji e gabuar, pavarësisht faktit se këto janë të dhëna delikate dhe mund të keqpërdoren për shtimin e të rekrutuarve. Sikundër zvarritja e pakuptimtë e gjyqit të imamëve të arrestuar ekzaktësisht një vit më parë, është një sinjal i gabuar që e vë në pikëpyetje besueshmërinë e akuzave të ngritjes ndaj tyre. Porse jep edhe një mesazh të gabuar për të gjithë ata që duhet të kenë frikë nga ndëshkimi në rast të përfshirjes në luftën e shtetit islamik.

Investimi i kolegëve përtej Adriatikut për të denoncuar rrezikun e rekrutimeve të ISIS nga Shqipëria drejt Italisë është i dëmshëm për imazhin e një vendi që pret të hapë negociatat me Bashkimin Europian. A ka interesa të vendeve anëtare të BE ose të shteteve që janë kundër projektit europian që do të donin ta penalizonin Shqipërinë nga përparimi në rrugën europiane? Padyshim që ka, por nuk kanë arsye që të angazhohen fuqimisht kundër aspiratave europiane të shqiptarëve, sepse për këtë kujdeset vetë elita politike që e largon vendin nga Brukseli sa herë duket sikur në horizont po afron shteti ligjor.

SHKARKO APP