Loja me statistikat e bazuara vetëm te numëruesi

“Por nga një studim që kryem në Pacific Institut for Research and Evaluation (me qendër në Uashington), rezultoi se numri i vdekjeve për 1000 ndalime të ligjshme të policisë (në trafik, nëpër lagje, etj.) ishte i njëjtë si për të bardhët, edhe për njerzit me ngjyrë”…

Nga Eduard Zaloshnja

Ditët e fundit, në mediat shqiptare u raportua se borxhi publik shqiptar u rrit këtë vit. Javët e fundit, në mediat amerikane u raportua se numri i njerzve me ngjyrë të vrarë nga policia është përpjestimisht më i lartë se i të bardhve.

Të dyja raportimet janë të sakta, por tregojnë vetëm gjysmën e së vërtetës – ato bazohen vetëm në numëruesin e thyesës, duke lënë në hije emëruesin e saj.

Kështu, është e vërtetë se borxhi publik u rrit nga 1.04 trilionë lekë më 2015, në 1.06 trilionë lekë më 2016, por kjo rritje na tregon vetëm ndryshimin e numëruesit të thyesës që përdoret si tregues për barrën e borxhit publik. Në emërues kjo thyesë ka Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), i cili ishte 1.44 trilion më 2015 dhe llogaritet 1.53 më 2016.

Dhe meqënëse rritja e numëruesit është më e vogël se rritja e emëruesit, barra e borxhit publik është ulur nga 72.2% e PBB-së më 2015, në 69.3% të PBB-së më 2016. Dhe e njëjta gjë është parashikuar edhe për disa vite në vazhdim – borxhi publik do të vazhhdojë të rritet, por me ritme më të ulta se rritja e PBB-së. Në këtë mënyrë, pritet që në vitin 2019, treguesi i barrës së borxhit të bjerë poshtë 60% e PBB-së.

Pas disa vdekjeve të bujshme të njerzve me ngjyrë të ndaluar nga policia në SHBA, mediat amerikane (sidomos ato që anojnë majtas) nxituan të llogarisnin se sa njerëz me ngjyrë kishin vdekur pas ndalimeve të policisë në vitet e fundit, e sa të bardhë.  Dhe në pamje të parë, të krijohej përshtypja se policia i kishte diskriminuar njerzit me ngjyrë.

Por nga një studim që kryem në Pacific Institut for Research and Evaluation (me qendër në Uashington), rezultoi se numri i vdekjeve për 1000 ndalime të ligjshme të policisë (në trafik, nëpër lagje, etj.) ishte i njëjtë si për të bardhët, edhe për njerzit me ngjyrë.

Drejtuesi i këtij studimi, Dr. Ted Miller, deklaroi për gazetën Los Angeles Times: “Nga debatet në media, ne po dëgjojmë se po vriten nga policia shumë më tepër pjestarë të minoriteteve [racore]… Dhe ne prisnim të gjenim se gjasat e vrasjes nga policët do të ishin më të mëdha për njerzit me ngjyrë. Por rezultoi se, nëse ju ndalon polici, nuk ka ndryshime racore në probabilitetin e vdekjes apo plagosjes tuaj nga plumbi i policit”.

Po pse vdesin më shumë njerëz me ngjyrë nga plumbat e policisë amerikane? Sepse probabiliteti i ndalimeve të ligjshme të njerzve me ngjyrë nga policia është shumë më i lartë se i të bardhve – emëruesi është përpjestimisht shumë më i lartë për të parët.

SHKARKO APP