Loja Rama-Meta, Basha nuk ju foli në dorë. Nuk ishte loja e tij

 

Nga Çim Peka

Lulzim Basha me një qetësi që e nervozon edhe derrin, nuk u be pjesë e luftës së brendshme PS-LSI. Madje nuk ju përgjigj edhe shumë kritikeve brenda opozitës për tu “përshtatur” me realitetin e ri të raporteve Rama-Meta. Gjatë kësaj kohe preferoi që edhe opozitën ta linte pushim duke orientuar detyrimisht mediat të merreshin me luften për territore të reja ndërmjet mazhorancës.

Joshjes së drejtpërdrejt nga ana e kreut të Kuvendit për të marrë pjesë në “punët e brendshme”, Basha ju përgjigj me “pushime serioze” në Holandë. Pavarësisht kritikave ku dhe sot mendoj se opozita nuk mund të bëjë pushime, Basha tregoi se ishte krejt i qartë në atë që po ndodhte brenda së majtës. Rama dhe Meta tentuan ta bëjnë pjesë së luftës së tyre. Le ti marrim faktet me radhe.

A kishte një përplasje Rama-Meta?

Ishte Spartak Braho që së bashku me arrestimin e Zyhdi Dajtit kërkoi edhe burgosjen e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. (Intervistë tek gazeta “Panorama”). Ishte po kryetari i Komisionit të Sigurisë, deputetit i LSI-së Braho, që deklaroi prerazi në emër të Ilir Metës së Reforma në Drejtësi nuk mund të bëhet pa opozitën dhe se slogani i Edi Ramës së e bëjmë edhe pa ju, nuk të shpie askund (e njëjta intervistë).

LSI deklaroi zyrtarisht se vendi ndodhet në krizë ekonomike ndryshe nga euforia e kryeministrit Rama. Zyrtarë të lartë të LSI menjëherë pas zgjedhjeve pohuan se LSI u tradhtua nga socialistët në Lezhë, Pogradec dhe Vorë. Këto fakte mjaftojnë për të konfirmuar pozicionin luftarak të LSI-së.

Po socialistët? Edi Rama deklaroi se ka dy anë të medaljes në raport me LSI-në. Kryeministri Rama pohoi se shokë brenda koalicionit kërkojnë më shumë se çfarë u takon dhe po nxisin përplasje. Edi Rama e konfirmoi takimin me Fatos Nanon duke pranuar çdo pyetje në intervistën për gazetën “Dita”, përveç asaj nëse ishte takuar ose jo me Nanon.

Prandaj sado që të mundohen ta zhbëjnë këtë realitet “kujdestarët e Olsit” që janë dhe “bijtë e Filipit” e “të ushqyerit” nga Meta, nuk e injorojnë dot si realitet politik.

Sa qëndron pretendimi se Basha e dëshironte këtë konflikt për të bërë koalicion me PS-në ose LSI-në?

Aspak. Nuk ka asnjë deklaratë të vetme të Lulzim Bashës se do ishte i gatshëm të bënte koalicion me Edi Ramën ose Ilir Metën. E kundërta konfirmohet. Por do ishte absurde që opozita të mos i gëzohet dhe të bëhet gati për të përfituar nga një përplasje e mazhorancës. Gjithmonë kështu ka ndodhur.

Protagonizmi i Genc Pollos e Fahri Baliut (që janë bërë miq për inat të Ridvanit dhe Olldashit) për ta këshilluar Bashën se kë duhet të zgjedhë, Ramën apo  Metën, nuk e mbulojnë përplasjen e vërtetë Rama-Meta. Thjesht e konfirmojnë.

Mero Baze e di mirë se Fahriu më gazetën e tij më shumë se për të bindur qytetarët se opozita ka të drejtë, gjatë gjithë këtyre viteve është kujdesur të bind militantët e PD-së se Sali Berisha e dëgjon atë e jo Mero Bazen atë kohë, e sot Lulzim Basha e dëgjon Fahriun e jo Henri Çilin këtë kohë.

Deliri i përhershëm i botuesve për të bindur militantët dhe zyrtarët e nivelit të dytë se ata janë partia pas kryetarve, nuk e bën të vërtetë pretendimin se meqë Fahriu kërkoi aleancë me Ilir Metën, këtë gjë e donte Lulzim Basha.

Çfarë ndodhi në të vërtetë?

Skema hileqare e Ilir Metës për çdo gazetar “Rogneri” është e qartë. Ilir Meta kur pa se Lulzim Basha nuk po i përgjigjej lojës së tij për ta shantazhuar Edi Ramën, ngarkoi Fahriun të flasë në emër të Bashës, e “bijtë e Filipit”, “kujdestarët e Olsit” dhe të ushqyerit prej tij, të njehsoheshin qëndrimin “parimor” të Fahri Balliut me atë të kryetarit Basha.

Këtë njehsim as vetë gazetaret që dje e përsërisnin nga shpellat e Dragobisë ku tashmë ka Wi-Fi falas, nuk e besojnë. Thjesht ju duhet si argument për ta përdorur për “dështimin” e radhës së Lulzim Bashës.

Po kryeministri Rama pse vetëm dje foli për përplasjet “imagjinare” me Metën dhe refuzoi “ofertën” e Pollos për koalicion?

Edi Rama, ndryshe nga Lulzim Basha nuk mund të qëndronte indiferent ndaj oreksit të shtuar të Ilir Metës. Ndryshe nga cfarë u është thënë të thonë “kujdestarët e Olsit”, “bijtë e Filipit” dhe “të ushqyerit” prej Metës, kryeministri Rama mori masa në rast se Basha bëhej pjesë e lojës së Ilir Metës për shantazh.

Dhe foli për raporte kryesishtë korrekte me Ilir Meten duke “refuzuar” Genc Pollon për koalicion me PD, vetëm kur u bind se Basha nuk po bëhet pjesë e kësaj loje. E thënë më qartë , Edi Rama i vuri kapukun orekseve të Metës duke përgënjeshtruar lajmet për krisje, vetëm atëherë kur u bind se Basha nuk bën aleancë me Ilir Metën.

Pra, foli për normalitet raportesh me aleatin oreks madh vetëm atëherë kur u bind se Meta nuk bëri dot aleancë fluide dhe do të ishte i detyruar të vazhdonte me Ramën si djalë që ju rri marrëveshjeve. Kuptohet, deri në një rrethanë tjetër.

Kjo verë ka qenë një lojë shahu në politikë, por që u menduan skemat pa u lëvizur gurët. Të gjithë po presin për lëvizjen e parë. Basha nuk është pjesë e lojës pasi shahu luhet me dy persona. Lojtari pritës mëson duke parë, e fiton duke mësuar. Në këto kushte është sot Basha. Nuk ka pse ju flet në dorë Ramës e Metës që po luajnë lojën e tyre edhe pse mund të jetë tifoz më njërin. Kjo nuk është loja e tij.(syri.net)

SHKARKO APP