Londra së shpejti me kryebashkiak mysliman?
Emigranti fiton kundrejt miliarderit? Kryeqyteti britanik duket se ndërron kurs: Pas sondazheve të fundit, kandidati i partisë laburiste, Sadiq Khan kryeson kundrejt rivalit konservator, Zac Goldsmith.
Tetë vite me radhë konservatori, Boris Johnson ka drejtuar si kryetar bashkie kryeqytetin britanik. Tani sipas sondazheve të fundit pritet ndërrim kursi: Kandidati me origjinë pakistaneze, laburisti liberal, Sadiq Khan, e ka lënë dukshëm pas konservatorin, Zac Goldsmith. Sipas përllogaritjeve, Khan merr 57% të votave, ndërsa rivali Goldsmith vetëm 43% të tyre. Rezutati përfundimtar pritet të premten në mbrëmje. Khan konsiderohej me më shumë shanse në garën elektorale, por së fundmi kundërshtarët e tij e përmendnin shpesh sfondin fetar të Khanit. Edhe kryeministri konservator, David Cameron ka pretenduar se myslimani Khan ka kontakte me ekstremistët.
Laburisti Khan vjen nga familje emigrantësh, është djali i një shoferi autobusi, dhe është rritur në një apartament të fondit social. Për Londrën kandidatura e Khan nuk është e habitshme. Kryeqyteti i kolonisë botërore prej kohësh është zhvilluar në metropol multikulturor. Rivali i Khan, konservatori Goldsmith vjen nga një familje miliarderësh të një dinastije hebreje, ai është djali i një investitori bankar me famë, James Goldsmith.
Megjithatë suksesi i kandidatit laburist në zgjedhjet për Londrën nuk e mbulon dot dështimin e laburistëve në shkallë vendi. Partia shënon rezultate të dobta në të gjithë Anglinë. Pas numërimit të votave në zgjedhjet komunale, laburistët humbën një duzinë mandatesh në parlamentet vendore. Sipas sondazeve, shumë votues kanë kaluar në anën e partisë euroskeptike, Ukip. Ndërsa në Wales pritet që nacionalistët të hyjnë për herë të parë në parlamentin vendor.
Votuesit në Skoci
Edhe në Skoci vihet re një rënie e partisë së punëtorëve, këtu në favor të konservatorëve dhe partisë së majtë nacionale, SNP. Nacionalistët fitojnë terren. Kryeministrja e qeverisë skoceze, Nicola Sturgeon ka bërë fjalë për një “fitore historike” të partisë së saj. Por supriza kryesore pritet të vijë nga shpërndarja e roleve mes konservatorëve dhe laburistëve. Konservatorët shënojnë rritje të konsiderueshme në elektorat në disa pjesë të Skocisë, dhe bëhen ndoshta forca e dytë politike në vend. 40 milionë britanikë votuan të enjten (05.05) për parlamentet rajonalë dhe komunalë. Krahas Londrës ka pasur zgjedhje për kryetarë bashkie edhe në qytete të tjerë të mëdha britanike.