Lorenc Vangjeli: Të gjithë mëkatarët që zbuloi tërmeti

Nga Lorenc Vangjeli

Ende pa u zbuluar emri i kryeprokurorit të ri, tërmeti i nëntorit i kishte diktuar atij udhërrëfyesin e parë të politikës penale të nesërme.

Shpërdorimi i detyrës, ndërtimi i paligjshëm dhe dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm, është trinomi aspak i shenjtë i akuzave që prokuroria do të duhet të ngrejë në emër të interesit publik. Zbulimi dhe ndëshkimi i fajtorëve për to është shansi domethënës për të gjetur një përgjigje shterruese për marrëzinë totale në të cilën Shqipëria ka përfunduar në tre dekada pothuaj demokraci, në të cilën ka ngatërruar lirinë me anarkinë.

Tre akuzat do të mund të zbulojnë identikitin fatal te politikanit që ka drejtuar në këtë vend, por nuk ka qeverisur.

Tre akuzat do të mund të vizatojnë portretin e qytetarit shqiptar, që është i përbashkuar në një shoqëri, por nuk ka mundur ende të ndërtojë komunitet.

Tre akuzat do të mund të theksojnë hipokrizinë absolute, padijeninë e thellë dhe hilen reciproke të marëdhënies së ligë dhe me interes të lig, krijuar mes votuesit dhe të votuarit.

Tre akuzat do të mund të dëshmojnë se politika dhe qytetari, veç e veç dhe të dy së bashku, kanë dështuar të bëjnë minimumin e parashikimit për atë që sjell e nesërmja, por janë ngrysur nën peshën e faktit të kryer dhe janë gdhirë me peshën e faktit të ndodhur.

Emrat e njerëzve që janë fajtorë për këto tre akuza, janë shumë të njohur ndër shqiptarë. Duhet vetëm që atyre t’u lexohen gjeneralitetet në gjykatë.

Në bankën e akuzës duhet të ulen ata që nuk mundën të kontrollojnë dhe orientojnë fluksin e pashmangshëm të migracionit të brendshëm. Ata që e trajtuan këtë ardhje si rezervuar votash dhe shpikën me të pazarin e ndyrë: të legalizoj vjedhjen nëse më jep votën.

Të djathtët në fillim dhe më pas të majtët që e çuan në perfeksion këtë pazar, u sollën me grabitësit e tokës dhe ndërtuesit nga halli në fillim dhe makutërinë e maskarenjve në vijim, në mënyrën më të gabuar të mundshme. Pa ide, por me egoizëm, pa vizion, por me ligësi, në emër të pushtetit, ata kane vrarë se bashku idenë e shtetit të përbashkët. Vala e parë e migrimit të brendshëm, në gjysmën e parë të viteve 90-të, u adresua në mënyrën më idiote të mundshme. Duke nisur nga atëherë, ajo që mund të groposë gjithë vendin në humnerë sot, atëherë mund të kontrollohej vetëm me dy gjeometra dhe një arkitekt; specialistët duhet vetëm të vizatonin katrorë që do të simbolizonin truallin e banesave private, të shkollës, të qendrës shëndetësore, të terrenit sportiv, të parkut, kurse vijat e hequra në vizatim do të tregonin ku do të kalonin rrugët e nesërme. Nuk e bënë dhe në këmbim të kësaj thagme, në periferi të Tiranës, Durrësit dhe kudo tjetër gjetkë në Shqipëri, u ndërtua për lemeri të zotit, për atentat ndaj syrit, për poshtërim të etikës dhe marje nëpër këmbë të vetë nevojës, geto të shëmtuara dhe jo funksionale. U hodhën para, por pa mend. Eshtë paguar një shifër e frikshme për fjetina të shëmtuara, të cilat janë përgjithësisht të kota. Me shumë gjasa, sidomos në Ultësirën Perëndimore, kushton më lirë shkatërrimi dhe më pas rindërtimi në fshatra normalë, të grupuar e të urbanizuar të atyre banesave, sesa lënia pezull e kësaj situate. Pothuaj të gjitha ato ngrehina janë kliente për tërmetet e përmbytjet e rradhës. Janë lëngim e jo zgjidhje, janë problem për t’u zgjidhur dhe jo zgjidhja e problemit. Shpejt, me gjasë në harkun e një dekade, ky problem me shumë gjasë do të zgjidhet pikërisht kështu.

Kush ka hipur qoftë dhe njëherë në avion, e kupton katrahurën që i ka bërë shqiptari i marrë Shqipërisë. Në këtë kuptim, tërmeti ishte dëshmia fatkeqe se ligji i legalizimeve ishte dështimi i një kompromisi të lig e të heshtur që kanë bërë të gjitha palët me njëra-tjetrën. Jo më pak, e rëndësishme, por që vlen për të kuptuar ca emra të tjerë minorë fajtorësh. Ligji kontravers i legalizimeve specifikon se legalizimi kërkon edhe: “…akt-ekspertizë nga një ekspert ose ent i licencuar për qëndrueshmërinë konstruktive të objektit, për ndërtimet me lartësi mbi katër kate”. Çfarë nga ndërtimet e legalizuara është shembur, është ekspertizë direkte për në gjyq: burg për atë që ka firmosur. Por cfarë është deri në tre kate… Zoti ju ruajtë kokën ndërtuesve popullorë, kësaj kategorie të gjerë shqiptarësh që duke dashur të ngrejnë një cati mbi kokë, kanë hapur një varr nën këmbë!

Batërdia tjetër është legale. Ajo lidhet me emrat e atyre që krijuan monstra urbane në Tiranë e rrethinat e saj, në Farkë, Kashar, Yzberisht, Dajt, ata që përdhunuan Golemin e Velipojën, Vlorën e Sarandën, ata që denatyruan gjithë Ultësirën Perëndimore. Mjaft të shihet si është rikthyer në llahtar real Komuna e Parisit apo Farka. Nuk ka folur njeri për to edhe pse është luajtur me faktin e kryer, edhe pse aty ata që duhet të flisnin, kanë pasur interesa direkte. Sepse në kafshimin e përbindshëm që i është bërë kodrave të Tiranës dhe tokës së gjithë Shqipërisë, secili ka futur dhembin e tij.

Në këtë zhvatje të të vetmes pasuri reale që ka ky vend, tokës, janë të gjithë fajtorë. Janë të gjithë ata që janë sjellë me Shqipërinë si pushtuesi më i lig i të gjitha kohërave. Sepse ata që kanë ardhur këtu me armë, kanë vrarë e kanë prerë, kanë djegur dhe përdhunuar, por në fund janë larguar. Kurse vetë shqiptarët, kjo kategori banditësh më pushtet e shpërdorues pushteti, të armatosur me votë dhe në emër të votës, e ka bërë Shqipërinë më të vogël.

Tek marrëzia e ndërtimit janë të gjithë brenda. Kryeministrat, kryetarët e partive, shefat e bashkive, ministrat, deputetët, drejtësia, urbanistët, mediat. E gjithë shoqëria shqiptare, emër për emër, një grumbull njerëzish që nuk janë bërë dot ende komunitet.

Vetëm ndëshkimi do të lehtësojë ikjen pa shkak të viktimave të fundme të tërmetit dhe do t’u qetësojë shpirtrat atyre vetë dhe të afërmve të tyre të traumatizuar. Sa më shumë ngjeshet dheu mbi varret e tyre të reja, sa më shumë nisin të shërrohen plagët e trupit e më pas edhe të shpirtit të të mbijetuarve, sa më shumë shoqëria tenton të kalojë traumën që ka vetëshkaktuar, aq më shumë do të kuptohet se tërmeti vetëm sa i tërhoqi veshin marrëzisë së përbashkët kolektive dhe aq më shumë do të ndjehet nevoja për drejtësi.

Nga e enjtja e javës se parë të dhjetorit, zyra e prokurorit të përgjithshëm ka një emër të përveçëm.

Ai është Olsian Çela, zyrtari i lartë i akuzës publike që i duhet të ndjekë detyrat që i dha fatkeqësia.

Sikur dhe një grusht njerëzish nga gjithë mëkatarët që shënjon akuza e trefishtë, të ndëshkohen, atëherë do të mund të thuhet se ka një revolucion të së mirës në Shqipëri. Por dhe vetë e mira është një koncept relativ: gjendet gjithmonë e më rrallë në këtë botë, e cila mbas tërmetit të së martës, ngjan edhe më e zymtë. Jo për shkak të natyrës, por për shkak të njerëzve që ju dorëzuan gjithë veseve më të liga të natyrës njerëzore.

SHKARKO APP