Lotari pa llogari

Hijet e dyshimeve mbi ‘të nuk tregojnë vetëm mungesë serioziteti të institucioneve, por edhe talljet, taksat. Mes shumë xhepave të shpuar që kanë tatimet dhe doganat, të hedhësh disa lekë kot për një lotari që nuk bind, është e panevojshme. Tek e fundit, një lotari e tillë bën të kundërtën e asaj për të cilën u ideua. Në vend të krijojë kulturën e qytetarëve për marrjen e kuponit, shton mosbesimin tek institucionet”…

Nga Qamil Xhani

Lotaria e Kuptonit Tatimor ishte një nga risitë e Ministrisë së Financave për të krijuar te qytetarët kulturën e marrjes së kuponit tatimor. Një nismë pozitive, për një popull që është i dhënë pas lotarive dhe lojërave të fatit. Dhe “Loja Promocionale e Kuponit Tatimor” duhet thënë se, pati efekt te qytetarët. Në sportelet e Postës Shqiptare në një muaj dorëzuan kuponët tatimorë rreth 28 mijë shqiptarë.  Një shifër jo e vogël, po të kemi parasysh se disa muaj më parë askush nuk e prekte me dorë kuponin dhe nuk e dinte që biznesi kishte detyrim t’ja jepte.

Por ndërsa faza e parë e lotarisë mund të cilësohet e suksesshme, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për shpalljen e fituesve. Në median online dhe në rrjetet sociale dje ka pasur kritika të shumta në adresë të Ministrisë së Financave. Për shumicën e opinionit loja ishte një farsë, që niste që nga transmetimi gjoja live dhe deri tek metodologjia e shpalljes së fituesve. Ministria e Financave reagoi dje me një deklaratë në faqen e internetit të lotarisë, por edhe pse mundohej të përgënjeshtronte mediat dhe të bindte mosbesuesit, në fund pranonte se 500 fituesit e shortit të shpallur në televizion do të verifikoheshin. Pra, edhe vetë organizatorët janë të bindur se ajo që u promovua si loja më e madhe më serioze e organizuar nga institucionet shtetërore nuk shkoi siç duhej.

Kategoria e III dhe e IV e fituesve të shpallur live në Top Channel është rezultat i përzgjedhjes rastësore të aplikacionit informatik të aplikuar mbi database-in e gjeneruar nga posta. Komisioni ka vendosur të mos vendosë dorë mbi database-in e postës për të eliminuar zarfet, të cilët deklaronin një numër më të vogël kuponësh se sa të lejuar pa u verifikuar paraprakisht, për të eliminuar gabimet njerëzore që mund të ishin bërë nga posta. Shpallja e fituesve do të bëhet pas certifikimit të 500 zarfeve të përzgjedhur nga sistemi informatik, vetëm nëse ato do të përmbushin të gjitha rregullat e përcaktuara në rregulloren e lojës”,- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

Ministria e Financave deklaroi se fituesit e kategorisë së katërt të lojës u shfaqën live, ndërkohë që dje “Tema Tv” dhe “News 24”, raportonin pamje se shorti i datës 15 nuk ishte transmetim direkt, por një regjistrim i bërë paraditen e së premtes. Por nuk është kjo hija kryesore e dyshimit të “Loja Promocionale e Kuponit Tatimor”.

Nëse sheh listën e fituesve të shortit, rezulton se ka persona që kanë fituar me nga 23, 35 dhe 33 kuponë. Ndërkohë që, kushti kryesor i lojës është që çdo person duhet të ketë një sasi prej 50 kuponësh. Nga ana tjetër, loja synonte të nxiste zbatimin e ligjit, por ka shpallur krijuar dyshime të reja për informalitetin e ekonomisë. Shuma maksimale që lejohet të kryhet një transaksion parash në dorë (cash) është 150 mijë lekë. Sipas ligjit, mbi këtë limit pagesat bëhen detyrimisht përmes bankës dhe jo në dorë. Kështu, fituesi i parë i kategorisë së tretë ka 54 fatura me vlerë 22.2 milionë lekë. Rezulton se vlera mesatare e një fature është rreth 411 mijë lekë, kur kufiri maksimal i transaksioneve cash është 150 mijë lekë. Në këtë pikë rezulton se janë pranuar fatura që kalojnë limitin ligjor.

Pavarësisht sqarimeve të dhëna dje nga Ministria e Financave, loja që duhet të ishte më seriozja, la shijen e një lotarie të ngjashme me ato të kooperativave të dikurshme. Sikur të ishte thjeshtë një lojë nuk do ishte problem. Por për organizimin e saj janë shpenzuar para nga xhepat e qytetarëve që prisnin në radhë për të dërguar kuponët. Hijet e dyshimeve mbi ‘të nuk tregojnë vetëm mungesë serioziteti të institucioneve, por edhe talljet, taksat. Mes shumë xhepave të shpuar që kanë tatimet dhe doganat, të hedhësh disa lekë kot për një lotari që nuk bind, është e panevojshme. Tek e fundit, një lotari e tillë bën të kundërtën e asaj për të cilën u ideua. Në vend të krijojë kulturën e qytetarëve për marrjen e kuponit, shton mosbesimin tek institucionet. Një Ministri Financash që nuk arrin të administrojë as një tufë kuponësh, sa efikase është në menaxhimin e gjithë financave të shtetit?

SHKARKO APP