LSI, një paketë kundër Ramës?
Pyetja fatale për Ilir Metën është: nëse ka pasur kaq shumë vërejtje dhe mosmarveshje, pse duhet të vazhdojë koalicionin dhe pse duhet të imagjinojë një bashkëqeverisje të re me Ramën ?…
Nga Andi Bushati.
LSI ka bërë sot një sërë propozimesh për reformën zgjedhore që në pamje të parë duken sikur shkojnë ndesh me vullnetin e socialistëve dhe të Edi Ramës.
Nëse mund të përmblidhen në dy grupe të mëdha, andamentet e partisë së dytë të koalicionit synojnë që të dyja të vënë në vështirësi kryeministrin.
Grupi i parë i propozimeve ngjan më shumë me shetësimet e një partie opozitare e cila kërkon garanci kundër vjedhjes së zgjedhjeve. Ajo kërkon dënime më të mëdha, për blerjen fotografimin e votës dhe transferimin e votuesve, sikur organizata e drejtuar nga Meta të ketë qenë deri më tani e pa prekur nga mëkate të tilla.
Propozimi tjetër është ai i listave të hapura që i bie ndesh vullnetit të kryetarëve të partive, të cilët janë kthyer padronë të listave, të cilët mbajnë në duar fatet politike të çdo individi duke vendosur në mënyrë arbitrare karierën e gjithë sejcilit. Propozimi i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për lista të hapura e demokratizon procesin dhe e delegon, nga duart e kryetarëve në duart e qytetarëve, fatin e të zgjedhurve të parlamentit të ardhshëm.
Nuk ka diskutim se shikuar në sipërfaqe, propozimet e LSI-së janë një hap përpara për zgjedhjet dhe më pranë interesit të publikut, sesa qëndrimet e kalçifikuara të Edi Ramës.
Por, sado të bukura të jenë ato, problemi i partisë së Metës nuk qëndron tek gjërat e drejta që artikulon, por tek vendimet e shtrembra para të cilëve përkulet.
LSI-a deri më tani ka propozuar gjithë ato nisma: për taksimin e reduktuar për fasonët, për miratimin nga parlamenti të koncesioneve që e kapërcejnë një mandate qeverisës, për hetim ndërkombëtar të çështjes së ÇEZ, për mosprivatizimin e laboratorëve mjeksorë, Për mos përgjimin e fshehtë të politikanëve nga sajmi Tahiri, për mos ndërtimin e parkut tek liqeni në mënyrë të dhunshme dhe për mos miratimin e planit urbanistik të Tiranës pa transparencë.
Por në të gjitha këto raste ajo është tërhequr në mënyrë të turpshme nga pretendimet e saj duke zgjedhur gjithmonë pushtetin para principit.
I vetmi rast kur Ilir Meta po e mban premtimin e tij është ligji i importit të plehrave kur me sa duket, ai ka vendosur ta thyejë arrogancën e Ramës dhe ti prishë pazaret e tij mafioze.
Por kaq është pak, vërtet shumë pak, për të krijuar, tani para zgjedhjeve, një profil të ndryshëm të Metës nga Rama.
Ndaj tani mbi LSI-në po shtohen dyshimet se ajo flet sa për sy e faqe. Se ajo bën vetëm propagandë. Se ajo ndryshe artikulon dhe ndryshe sillet.
Pyetja fatale për Ilir Metën është: nëse ka pasur kaq shumë vërejtje dhe mosmarveshje, pse duhet të vazhdojë koalicionin dhe pse duhet të imagjinojë një bashkëqeverisje të re me Ramën ?
Tani, kur të gjitha shenjat janë se ripërsëritja e paktit të 1 prillit është vetëm çështje kohe, kur duket sikur LSI përsërit thënien qesharake : « ç ‘më duhet mua se ç’kam thënë unë », të gjitha propozimet « anti Rama » e humbasin vlerën e tyre.
Këtë fat rrezikojnë të kenë edhe shumica e amendamenteve që u propozuan sot për reformën zgjedhore.
Më shumë sesa një lëvizje në interes të publikut, ato janë një përpjekje e kotë për ti hedhur hi syve atij. Një përpjekje hileqare e Metës për të bërë sikur diferencohet nga Rama, megjithëse mban në këmbë pa rrezerva pushtetin e tij.