LSI numri një, dhe PS numri dy
Rastësia e shortit të hedhur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për renditjen e partive në fletën e votimi ka përkuar me sloganet elektorale dhe ambicjet e tre forcave kryesore, PD-LSI-PS. Gjatë seancës së djeshme në KQZ, u përcaktua formati dhe renditja e partive në fletën ku do të votojnë shqiptarët me 25 qershor. U hodh shorti dhe gogla nxori Lëvizjen Socialiste për Integrim në krye të fletës së votimit me numrin 1. Ndërkohë Partia Socialiste do të mbajë numrin dy në fletë, Partia Republikane e Fatmir Mediut renditet e pesta dhe menjëherë pas saj renditet Partia Demokratike e Lulzim Bashës. Sfida e Gjergj Bojaxhi do të mbajë nr 4, FRD e Bamir Topit e 11, PDIU nr 13 dhe partitë e tjera pjesëmarrëse me numrat përkatës.
Pavarësisht kërkesës për të rihedhur shortin me pretendimin se Partia Bashkimi Demokristian Shqiptar dhe Aleanca Demokristiane kanë emër dhe logo të ngjashme dhe votuesit mund të ngatërrohen, KQZ vendosi t’i qëndrojë besnike shortit të hedhur. Fletën e votimit për në 25 qershor e mbyll partinë “LIBRA” të deputetit Ben Blushi, e cila do të mbajë numrin 18.
Renditja partive u bë me short dhe fakti që LSI-ja është renditur forca e parë, në fletën e votimit, natytrisht që është çështje shorti. Lëvizja Socialiste për Integrim prej disa muajsh e ka shpallur objektiv politik fitoren e zgjedhjeve dhe daljen forcë e parë me vota në zgjedhjet e 25 qershorit. Me renditjen e djeshme, LSI forcë e parë, të paktën në fletën e votimit nuk është më vetëm një slogan.
Ndaj dhe renditja dje në KQZ ka qenë një rastësi që ka sjellë reagime pozitive nga gjithë drejtuesit e LSI-së. Fill pas hedhjes së shortit ka reaguar edhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili. Përmes një statusi në ‘Facebook’ Vasili u shpreh se ky është një numër i mbarë. Vasili ka renditur dhe një sërë nismash për të cilat LSI-ja ka qenë e para që i ka sjellë në politikën shqiptare.
“E nisëm me të qenit të parët në rini. Vijuam me të qenit të parët në mendësi, qetësi, dashuri dhe gatishmëri për vetësakrificë për qetësinë e vendit. Investuam njeriun më të rëndësishëm të LSI-së si të parin e shtetit. Jemi të parët me një ofertë programore dinjitoze për vendin, që punëson mbi 100 mijë të rinjë brenda një mandate qeverisës. Nga sot të parët në fletën e votimit. Sa shumë numra 1 të mbarë! Nesër të parët edhe në rezultatet e votimit, si forcë e parë!”,- deklaroi dje kreu i LSI-së, Petrit Vasili.
Për herë të parë në këto zgjedhje realiteti nuk do të jetë vetëm mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, por edhe me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Si dy forca të të njëjtin kamp ideologjik, PS dhe LSI kanë një garë edhe më të fortë. Por duket se LSI e nisi fushatën që në fillim me një avantazh. Doli me numrin një në fletën e votimit edhe para Partisë Socialiste.
Ndërsa PS-ja me Edi Ramën po kërkojnë të qeverisin të vetëm, siç deklarojnë përditë, por asnjë sondazh nuk jep me shumë se 53-55 mandate për një parti politike, çka sjellë që konkurenca, pas sherrnajës në PD, do jetë kryesisht mes LSI dhe PS. Është në lojë dhe PD-ja e Lulzim Bashës, por realisht dalja e Jozefina Topallit, Arben Imamit dhe grupit antiBasha hapur kundër kryetarit të PD si dhe kërkesa për shkarkimin e tij mu në mes të fushatës elektorale, e ka dobësuar shumë elektoratin democrat dhe ambicjen e Bashës për forcë e parë. Nëse nuk do dilnin grupi i ikonave të PD-së hapur duke krijuar përçarje të madhe ndër rradhët demokrate, edhe mund të merrej në konsideratë PD si forcë e parë, siç synonte. Jemi akoma në fillim të fushatës dhe sondazhet mund të përmbysen, porse për momentin PD është në rënie të lirë, LSI në ngjitje të madhe, kurse PS-ja po mundohet të mos humb elektoratin e vitit 2013.
RENDITJA E PARTIVE NË FLETËN E VOTIMIT
1-LSI
2-PS
3-PKD
4-Sfida
5-PR
6-PD
7-PBKD
8-ADK
9-PSD
10-PAD
11-FRD
12-PDS
13-PDIU
14-AAK
15- MEGA
16-PKSH
17-APD
18-LIBRA