Lu-Basha, lëvizje diplomatike në boshllëk
“Ky qëndrim i opozitës ndaj reformës po vendos në pozitë gjithnjë e më të vështirë edhe ndërmjetësimin amerikan. Më konkretisht, ai që po riskon më së shumti duket ambasadori Lu, i cili duke trokitur kaq shpesh në dyert e PD, ndërkohë që kursi i saj nuk dëshmon ndonjë modifikim pas këtyre takimeve, po rrezikon të shfaqet i pafuqishëm për të shbllokuar kolapsin aktual, para opinionit publik“…
Nga Skënder Minxhozi/
Gjuha shkon aty ku dhemb dhëmbi, thotë fjala e urtë. Me shqipen e tij gjithnjë e më të pranueshme, Donald Lu me siguri që e di domethënien e kësaj fraze. Ai ka trokitur edhe një herë derën e opozitës në orët e para të së martës, për një takim i cili, sipas gjithë informacioneve, është fokusuar mbi reformën në drejtësi. Në fakt prej javësh ecejaket e Donald Lu në zyrat e Bashës dhe Berishës janë justifikuar në rrugë informale nga ambjente të mirëinformuara diplomatike, si përpjekje për të ushtruar presion pozitiv mbi krerët e opozitës, me qëllim që klima e nxehtë politike në Shqipëri dhe incidentet e shpeshta mes palëve, të mos e prekin korsinë preferenciale të reformës.
Të para kështu, tentativat e përsëritura të kryediplomatit amerikan pranë opozitës përbëjnë një linjë veprimi që bën sens. Por që ka pas vetes edhe një risk jo të vogël, si çdo ndërmjetësim që kryhet në kushtet e karaktereve të paparashikueshme të politikanëve shqiptarë, që janë subjekt i kësaj trysnie. Amerikanët kanë marrë qysh në krye të herës, së bashku me Bashkimin Europian, pronësinë de facto të paketës kushtetuese të reformës në drejtësi. Ka qenë e vetmja garanci që drafti i reformës të bëjë përpara, në një ambjent ku çdo negociatë tjetër do të mbetej thjesht në mes të rrugës.
Donald Lu ka qenë dhe është një ndër diplomatët më të artikuluar në betejën morale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe në përçimin e mesazheve të nevojës urgjente që ka Shqipëria, për të përmbysur sistemin e saj të drejtësisë. Në këtë aspekt, edhe ekspozimi i tij i dukshëm i muajve të fundit në krah të Bashës dhe Berishës, është parë thjesht si një rrethanë që lidhet me domosdoshmërinë për të korrigjuar kursin refraktar të opozitës së djathtë, në raport me reformën në drejtësi.
Në krahun tjetër, ndërmjetësimi diplomatik pranë një pale, kërkon gjithashtu edhe gatishmërinë për hapje dhe negociatë të kësaj pale. Deri më tani pozicioni i opozitës, edhe pas konkluzioneve finale të Komisionit të Venecias, ka qenë përgjithësisht frenues dhe konservator. Megjithëse është rënë dakord në darkë për disa aspekte, në mëngjesin pasardhës gjithçka është shbërë, tamam si Pëlhura mitologjike e Penelopës.
Ky qëndrim i opozitës ndaj reformës po vendos në pozitë gjithnjë e më të vështirë edhe ndërmjetësimin amerikan. Më konkretisht, ai që po riskon më së shumti duket ambasadori Lu, i cili duke trokitur kaq shpesh në dyert e PD, ndërkohë që kursi i saj nuk dëshmon ndonjë modifikim pas këtyre takimeve, po rrezikon të shfaqet i pafuqishëm për të shbllokuar kolapsin aktual, para opinionit publik. Ka sens të takosh Lulzim Bashën dhe cilindo tjetër në PD, për sa kohë që procesi i negociatave avancon dhe për sa kohë që shanset për të pasur një paketë reforme para sezonit veror, mbeten reale. Në kushtet kur barometri i reformës vijon të tregojë kohë të keqe, edhe ndërmjetësimi diplomatik i partnerëve rrezikon të duket si një levizje në vakuum, që nuk zgjidh asgjë, por që thjesht shërben për të nxjerrë fotot dhe titujt e rradhës në faqet e para të gazetave të Tiranës. (Javanews.al)