Lu: Nuk votove sot,mos u ankon nesër!
Kur mbeten edhe pak ditë nga data e zgjedhjeve klima politike është e mbushur me tensione dhe dyshime që mund të prodhojnë konflikte sociale. Tensione për incidentet që mund të prishin gjithë procesin në një ditë të vetme dhe dyshime se vota e qytetarëve mund të mos lexohet drejt. Të paktën kjo është fryma që opozita po përpiqet të fusë në elektorat, duke ngritur zërin për incidente dhe skema manipulimi që deri më sot nuk janë faktuar. Kësaj frike të opozitës, mazhoranca po i përgjigjet me një fushatë mediatike për të bindur opinionin se zgjedhjet do të jenë me standarde. Mes dy kampeve politike që shohin bardh e zi gjithë procesin elektoral është krijuar edhe një i ashtuquajtur elektorat gri që nuk është pjesë e strukturave partiake dhe që sheh me indiferencë gjithë premtimet, flamujt dhe ngjyrat e fushatës. Është elektorati që ndonjëherë vendos fatet e zgjedhjeve, por është dhe grupi i votuesve që ditën e zgjedhjeve rezulton të ketë më pak pjesëmarrës në votime. Për ironi kjo është dhe pjesa e opinionit që ankohet më shumë ndaj qeverisë e ndaj opozitës dhe ka alergji ndaj klasës politike. Por që nuk shkon të votojë ditën e votimeve. Nëse do të bënim një llogari të thjeshtë, me rreth 100 mijë anëtarë që ka PS, 80 mijë PD dhe 70 mijë LSI në grupin e 3 milionë votuesve numri i personave pa parti është më i madh. Pikërisht këtij grupi votuesish që përbën shumicën i është drejtuar edhe ambasadori amerikan, Donald Lu dje gjatë një takimi me të rinjtë në Korçë. “Ka një shprehje që e përdorim në Amerikë: ‘Nëse nuk voton, mos u anko!’. Të gjithëve na pëlqen të ankohemi për udhëheqësit tanë. Ju keni fuqinë të zgjidhni udhëheqësit tuaj. Mos i shisni votat tuaja. Mos dëgjoni retorikën politike inatçore. Dhe më e rëndësishmja, ditën e votimit, mos qëndroni në shtëpi. Votoni!”, – tha ai.
Ky është apeli më i mirë që mund t’u bëhet të gjithë atyre që shohin një mal me të meta tek qeveria dhe atyre që opozita nuk i frymëzon më. Bojkoti nuk është zgjidhje. E vetmja mënyrë për të ndryshuar situatën dhe për të mos u ankuar është që ditën e votimeve të vetmin pushtet që kanë në dorë, votën, ta përdorin kundër qeverisjes ose kundër opozitës. Të qëndrosh jashtë fushatës elektorale dhe mitingjeve është një zgjedhje që nuk duhet kritikuar. Por të mos marrësh pjesë në votime, formalisht të heq të drejtën edhe të kritikosh. Këto zgjedhje janë vendore, por brenda tyre kanë dhe mesazhin politik. Nëse qeveria ka punuar keq këto dy vjet, 21 qershori është një mënyrë për t’i dhënë mesazhin e duhur mazhorancës. Ashtu sikurse është dhe një mënyrë për ta inkurajuar, nëse reformat kanë qenë ato të duhurat. Partia Demokratike nuk është në pushtet, por vetë opozita është një pushtet, ndonjëherë i pazëvendësueshëm në një demokraci, sidomos kur institucionet cilësohen të korruptuara dhe pa standarde. Ndaj 21 qershori është një mënyrë për të vlerësuar dhe mënyrën sesi opozita është sjellë në këto dy vite. Vota për PD-në do të jetë edhe një mesazh për drejtuesit e opozitës.
Por jashtë qëndrimeve politike, vota është edhe një detyrim qytetar. Është i vetmi pushtet që votuesi kanë ndaj politikanëve dhe e vetmja ditë kur, e thënë shqip, “i kanë në dorë me votën që hedh”. Nëse gjatë 4 viteve rrimë dhe shajmë qeverinë apo opozitën, i quajmë të korruptuar, mashtrues, madje së fundmi dhe kriminelë, dita e votimit është i vetmi moment kur mund t’i ndëshkojmë. Në të kundërt, ka vetëm një zgjidhje: të heshtim dhe t’i pranojmë politikanët siç janë. Nuk na e ka fajin as qeveria dhe as opozita. Është vetëm faji i atyre që nuk votojnë.
Kur pyet shumë të rinjë nëse do të votoni shprehen me një menefregizëm të theksuar se” nuk merremi me politikë!”. Po çfarë kjo “ nuk merremi me politikë” dhe ndërkohë fatet tuaja i vendosintë tjerët , ndaj duhet shkuar të votoni, sejcili. Kështu me një votë ke ndryshuar jetën tënde dhe nuk pse ankohesh më vonë se “ këta nuk durohen”. Nëse nuk shkon për të votuar ka të drejtë ambasadori amerikan Lu kur thotë se “Nëse nuk voton mos u anko”.
Ka nevojë që edhe media të jetë me solidare duke bërë një fushatë të përditshme që t’iu kërkojë qytetarëve të Republikës të shkojnë për të votuar.