Luan Rama: 30 vjet prej ditës së parë…

Nga Luan Rama* 

1 shtatori i vitit 1990 është dita ime e parë e punës në gazetën “Zëri i Popullit”.

Edhe pse sot bëhen 30 vjet, ndjej të njejtin emocion, por edhe të njejtën krenari e përgjegjshmëri për profesionin e gazetarit.

Ndjej njësoj si në atë ditë të parë, nderim, përulësi dhe mirënjohje për kolegët me të cilët pata fatin të punoj, të mësoj e të kontribuoj modestisht në ato kohë të vështira, por edhe historike për ndryshimet e mëdha që i sollën Shqipërisë.

Prej 1 shtatorit të vitit 1990, ruaj si kujtim të çmuar një vërtetim (mban firmën e sekretarit të kolegjumit në atë kohë, Sami Milloshi, që është edhe njëri prej shumë e shumë gazetarëve të spikatur, të formuar e të rritur në atë gazetë), të cilin po e ndaj me ju duke e publikuar sot për herë të parë.

Sepse ajo shkresë e thjeshtë, por me vlerë të veçantë për mua, është shenja e parë e ditës time të parë të punës, është dëshmia e nisjes së një sfide të madhe në jetën time jo vetëm profesionale, por edhe publike.

E kam thënë e është vendi ta përsëris edhe sot se “Zëri i Popullit” ishte dhe mbetet gazeta ku publicistika shqiptare njohu larminë më të pasur në lloje e nënllojet e saj; lajmi, kronika, skica, përshkrimi, reportazhi, portreti, analiza, intervista, kritika, fejtoni, pamfleti, polemika, peizazhi, fotografia, karikatura, komenti etj. e deri edhe tek letersia artistike.

Kjo mbetet arritja më e madhe profesionale, sepse plotësoi paradigmën e mangët të zhanrreve të publicistikës, duke pasuruar e zgjeruar më cilësisht traditën e gazetarisë përparimtare të viteve ’30 të shekullit të kaluar.

Megjithëse ideologjikisht i kontrolluar në kohën kur unë nisa punë, “Zëri i Popullit” u bë zëri i shqetësimeve të kohës, duke përfshirë edhe shqiptimin për herë të parë të nevojës për mendimin ndryshe e për të fituar kohën e humbur.

Ndaj, edhe sot, tridhjetë vjet më pas prej 1 shtatorit të vitit 1990, e konsideroj veten me fat që m’u dha mundësia të punoj në gazetën “Zëri i Popullit”, padyshim shkolla më profesionale dhe më prestigjoze e gazetarisë shqiptare.

*Zëvendëskryetar i LSI

SHKARKO APP