Luan Rama: Ma largoni Edin nga telefoni, nuk e kemi zakon me u përqafë burrë me burrë
Nga Luan Rama
Vodafone: largoma Edin nga telefoni!
Nuk e kemi zakon me u përqafë burrë me burrë!
Në shkelje flagrante të kontratës dhe duke mos respektuar asnjë normë etike të komunikimit, në mënyrë arbitrare dhe tërësisht të paedukatë, përmes një frekuence zanore bezdisëse deri në fyerje, kompania vodafone, klient i së cilës jam që prej afro 25 vitesh, ka ndërhyrë e vazhdon të ndërhyjë pa pëlqimin, përkatësisht edhe pa autorizin tim, në pothuaj të gjitha komunikimet e mia private telefonike!
Ndërsa unë formoj numrin e telefonit të personit me të cilin dua të komunikoj, në pritja të përgjigjes së personit të thirrur, krejt papritur dëgjoj:
“- Edi jam; të lutem laji duart shpesh, mos leviz nga shtëpia për qef, hap dritaret sa të mundesh, ruaju nga mediat, mos ki frikë po bëj shumë kujdes.
Për çdo shenjë merr 127-ën!
T’përqaf nga larg!”
Pa dashur të merrem me përmbajtjen dhe as me zërin e mesazhit të cituar fjalë për fjalë siç dëgjohet në telefon, i kërkoj publikisht kompanisë vodafon largimin e menjëhershëm të Edit megjithë zërin e tij nga të gjitha komunikimet e mia telefonike!
Faleminderit, por nuk dua të më përqafë as nga larg dhe as nga afër! Aq më tepër që nga anët tona nuk e kemi zakon me u përfqafë burrë me burrë!