Luan Rama: Ramush Haradinaj, përndryshe pesha e dinjitetit
Vlera e peshës së dinjitetit, e ka cilësuar Zëvendëskryetari i LSI-së Luan Rama, aktin e dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga detyra e Kryeministrit të Kosovës.
Në një status në rrjetin social “Facebook”, Luan Rama e cilëson doreheqjen e zotit Haradinaj akt civil prej burri shteti, që na meson të gjitheve se çfarë vlere të pamatë ka pesha e dinjitetit të emrit, por edhe e të qenit gjak e shpirt Haradinajsh!
Statusi i plotë i Luan Ramës
Ramush Haradinaj,
përndryshe pesha e dinjitetit.
Ramush Haradinaj, Kryeministri i Republikës së Kosovës, ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga detyra e kryetarit të qeverisë.
“Arsyeja është se jam ftuar që të intervistohem si i dyshuar nga dhomat e posaçme, pra Gjykata Speciale. Javën tjetër do të kem paraqitjen. Nuk mund të paraqitem si kryetar i qeverisë por si një qytetar, si Ramush Haradinaj.
Për të ruajtur nderin e kryetarit të qeverisë dhe të shtetit, kam vendosur që është e drejtë të jap dorëheqjen”.
Këtë e ka bërë të ditur vetë zoti Haradinaj, duke na u shfaqur edhe një herë ai që kemi njohur të gjithë; që prej kur në rradhët e UÇK-së së lavdishme u bë njëri nga komandantët e saj më trima, e kur pas çlirimit të Kosovë, në themelet e lirisë së të cilës është edhe një det gjaku Haradinajsh, u ballafaqua e dy herë e doli fitimtar në Gjykatën e Hagës!
Kësisoj Ramush Haradinaj, me aktin e vet civil e prej burri shteti, na mëson të gjithëve se çfarë vlere të pamatë ka pesha e dinjitetit të emrit, por edhe e të qenit gjak e shpirt Haradinajsh!