Lubonja: Flini të qetë, tani nuk ndryshon sistemi shkërdhatokratik
Analisti Fatos Lubonja thotë se aksioni opozitar i Lulzim Bashës nuk ia arriti qëllimit. Sipas tij nën presion ai ra në bataren e potitikës së vjetër në Shqipëri.
“Marrëveshja Rama–Basha dhe mënyra se si u arrit ajo, u dhanë fund këtyre dilemave. PD-ja dhe lidershipi i saj treguan me këtë marrëveshje se ose, në rastin më të mirë, nuk u dilnin hesapet se mund të shndërroheshin në një lëvizje antisistem, ose se nuk i kishin seriozisht premtimet për luftë oligarkisë, medieve të kapura, kanabizimit etj. Basha mund të thotë se zgjedhja që bëri ishte e imponuar nga ndërkombëtarët, se nuk u mbështet sa duhej nga populli që s’e kuptoi, nga vetë ne gazetarët që nuk iu përgjigjëm thirrjes për të shkuar në çadrën e tij. Pa dyshim presioni ka qenë i madh, edhe mosbesimi i të zhgënjyerve e ka rritur këtë presion, por historia tregon se politikanët që kanë sjellë ndryshime të mëdha kanë qenë pikërisht ata që nuk i janë përshtatur një realiteti ekzistues, por ata që e kanë ndryshuar atë sipas vizionit të tyre. Do të ishte pikërisht këmbëngulja për të mos iu bindur realitetit të imponuar edhe nga amerikanët, europianët edhe mosbesuesit, që do të mund të krijonin bindjen dhe besimin se kemi të bëjmë me njerëz që mund t’ia dalin të ndryshojnë këtë realitet mjeran ku ndodhemi. Por me sa duket njerëz të këtij stofi pritet të lindin në Shqipëri”, shkruan Lubonja në analizën e tij për gazetën “Panorama”.
“Shkurt shqiptarët që presin një ndryshim të sistemit oligarkik, bandokratik, shkërdhatokratik, kleptokratik, narkotrafikantokratik – për të përmendur vetëm disa nga epitetet që i janë vënë – duhet të flenë të qetë në dëshpërimin e tyre se kjo nuk ka për të ndodhur. Ne u kthyem në “normalitetin” tonë ku politika është një biznes privat dhe jo një “gjë publike”, siç është kuptimi i fjalës “republikë”, që e ka përmendur kaq shumë Basha kohët e fundit. Partitë që merren me këtë biznes, pas një momenti sherresh, u ulën për të rindarë edhe një herë aksionet e tyre. Duke e menduar PD-në si të paaftë për të ndryshuar realitetin, them se kjo është më mirë sesa sikur t’ia linte të gjithë tryezën Edi Ramës dhe Ilir Metës, por kundërthëniet mbeten”, vazhdon më tej analisti i njohur.
Përsa i përket ndarjes së pushtetit pas 25 Qershori, Lubonja mendon se mund të ketë një bashkëqeverisje Rama-Basha dhe një zvogëlim të pozicionit të LSI-së që duhet të mjaftohet me Presidencën.
“Tani të gjithë u kanë hyrë kalkulimeve se kush ka dalë i fituar dhe kush i humbur në këtë pazar të ri. Sigurisht përgjigjen përfundimtare kësaj do t’ia japë shitblerja e mallit më 25 qershor, por disa parashikime edhe mund të bëhen. Nëse do t’i referohem një metafore ku e kam përshkruar ndërtesën e pushtetit në Shqipëri si një godinë ku në bodrum kemi krimin e organizuar, në katin e parë oligarkët, në katin e dytë mediet e tyre dhe në katin e tretë zyrat e partive të ndryshme, them se gjithçka që do të ndryshojë ka të bëjë me disa lëvizje zyrash në katin e tretë.
Duket se me shumë gjasa do të kemi një zvogëlim të zyrave të LSI-së, e cila duhet të kënaqet me zyrën e presidentit që ka kapur kryetari i saj. Për sa u përket zyrave të PS-së dhe të PD-së për momentin është krijuar një konfuzion, sepse në zyrat e PS-së kanë hyrë momentalisht disa ministra të PD-së që, medemek, do të bëjnë të mundur që populli të votojë i pafrikësuar, i pamanipuluar dhe e pablerë. Por problemi është se PD-ja gjatë këtyre katër vjetëve ka humbur shumë lidhje me katin e dytë, katin e parë dhe bodrumin që janë lojtarët e vërtetë të përcaktimit të votës. Ajo që iu dha PD-së dhe Lulzim Bashës për mua ishte thjesht një mënyrë për të mos dalë krejtësisht i turpëruar nga çadra, si dhe për të mbyllur gojën pas rezultatit, sepse qeveria e “besimit” që po krijohet nuk ka asnjë instrument për të ndryshuar diçka në katet e poshtme të ndërtesës së pushtetit, që kontrollohen nga Edi Rama”, shkruan ai.