Lubonja: Ja si po i gënjen Rama ambasadorët
Fatos Lubonja ka bërë sot një artikull në gazetën Panorama ku ai shpjegon se si kryeministri Rama po përdor reformën në drejtësi dhe valën e dekomunistizimit për të gënjyer ambasadorët e huaj në Tiranë.
“Ne kemi një klasë politike që duke e humbur gjithnjë e më shumë legjitimitetin brenda vendit,- shkruan Lubonja në artikullin “Dekomunistizimi dhe ambasadorët”, prandaj shton ai – kërkon ta kompensojë atë me legjitimitetin që i japin ndërkombëtarët- sindromë kjo e vjetër sa shteti shqiptar, në fakt, sepse pushteti historikisht te ne është marrë në sajë të ndërkombëtarëve dhe është mbajtur në sajë të mbështetjes së tyre politike dhe ekonomike.
Në kontekstin e kësaj kulture politikanësh dhe shteti të dështuar Edi Rama ka bërë një sërë operacionesh për tu prekur telat ndërkombëtarëve për ti bindur ata se, më në fund, në Shqipëri po ndodh revolucioni kulturor i shumëpritur: Reforma në drejtësi dhe dekomunistizimi. Dhe në stilin enverist të propagandës po ua paraqet sikur janë gjëra që karvani i maleve të Shqipërisë po i prisnin këto reforma me në krye Edi Ramën siç prisnin dikur Partinë e Punës me në krye shokun Enver për të udhëhequr popullin shqiptar nga fitorja në fitore. Dhe, me sa duket ndërkombëtarët i janë bashkuar karvanit me gëzim, pa e ditur se ku po i çon” shkruan Lubonja.
“Ligji i Dosjeve, Bunkarti, Shtëpia me Gjethe së fundi dhe bunkeri prapa Ministrisë së Brendshme janë disa nga aksionet spektakolare që ka ndërmarrë Rama me të tijtë për të emocionuar ndërkombëtarët e që po na paraqiten deri edhe nga gazetarët e huaj si fillimi i rilindjes shpirtërore në Shqipëria.
Kjo i ka nervozuar demokratët, dhe jo krejt pa të drejtë, sepse në rolet që kishin melodramën që ka njëzetpesë vjet që luhet, ata kanë pasur një ndarje rolesh: dhe rolin e mbrojtësve, të të persekutuarve e kishin demokratët, kurse mendja totalitare dhe e pabesë e Ramës kërkon tua marrë edhe këtë rol, siç u ka marrë biznesmenët, pronarët e mediave, univeristeëtet private e ku di unë çka mbetur tjetër.
Kjo shpjegon dhe reagimin e fortë të tyre për veteranët hetues të dekoruar që i drejtohet edhe ai kryesisht ndërkombëtarëve”
“Tani, pyetja që shtroj unë është: Mirë ne që nuk kemi kujtesë institucionale sepse sa vjen njëri në pushtet i nxjerr të gjithë jashtë nga zyrat dhe i mbush ato me fillestarë, por as këto ambasadat e huaja nuk paskan asnjë lloj kujtese institucionale por sa vjen një ambasador gjërat fillojnë nga mashtrimi i parë sikur të jemi në vitin 1991?
Sepse kush ka sadopak kujtesë historike, nuk mund të harrojë se, nëse është folur për reformë dekomunistizimi dhe reformë në drejtësi në Shqipëri kjo ka ndodhur në kohën e qeverisë së parë të Sali Berishës. Harruat që futi në burg Nexhmije Hoxhën, Ramiz Alinë, Aranit Çelën e shumë të tjerë duke hartuar edhe ligjin për gjenocidin? Harruat që ndërroi gjyqtarët e komunizimit duke i zëvendësuar me ata të plepave?
A nuk kemi pasur ne një ligj a ku di unë që merrem me punën e dosjeve madje të lustracionit dhe që lidhej me emrat e Mezinit dhe të Bezhanit? A nuk e kishim ne Burgun e Burrelit muze të diktaturës? A nuk ka hapur Berisha një pavijon të Muzeut Kombëtar kundër diktaturës? A nuk ka rehabilituar Berisha kushedi se sa figura të persekutuar e pushkatuar nga komunizmi dke i bërë “Nderi i Kombit”, (duke përjashtuar ata me prejardhje komuniste, si Fadil Kokomani e Vangjel Lezho, sigurisht?)
A nuk ka pasur ai në atë kohë mbështetjen e zjarrtë të Aleatit të madh SHBA, të vetë ambasadorëve amerikan dhe italian veçanërisht? Askush nuk i mohon dot këto, por as faktin se megjithatë punët shkuan keq e mos më keq. Aq keq sa shqiptarët, paradoksalisht, për të rrëzuar Berishën u mbështetën te partia që kishte udhëhequr persekutimet e tyre. Dhe madje as nuk reaguan kur këta i nxorën nga burgu Ramiz Alinë me shokë dhe u dhanë pafajësinë; as kur Burgun e Burrelit e kthyen nga muze në burg për oridenerët. Po pse? Sepse problem ishte se këtë dekomunistizim Berisha e bëri me stil komunist, nën parullën “I gjithë pushteti sovjetëve”, për të deligjitimuar, sipas shembullit të luftës së klasave, që I ndante njerëzit me familje të mirë dhe të keqe, ata që nuk e mendonin si ai çdo gjë që bënte ai. Problemi i dekomunistizimit të Berishës është enverizmi në mendjen e tij, ëndrra për tu bërë një Enver i dytë.
Dhe pas njëzetpesë vjetësh ky është problemi i sivëllait të tij Edi Rama. Edhe ai gjithçka po e bën sipas motos: i gjithë pushteti Edi Ramës” apo i asaj tjetrës: Kur themi Edi nënkuptojmë partia”. Të kesh dyshim për këtë, do të thotë të jesh më shumë se miop politik; sepse këtë ai e ka të shkruar në lulen e ballit të çd aksioni që po ndërmerr. Ashtu sikurse faktin se për Ramën, të bësh politikë do të thotë të bësh propagandë. Ja së fundi mora vesh se nën atë bunkerin që u sulmua së fundi, nuk ka tjetër veçse disa zyra nëntokësore të MPB-së të ndërtuara në vitin 1986- 1987. Ata që i kanë vizituar thonë se kanë qenë të thjeshta, të mobiluara me karrige e tavolina e asgjë më shumë dhe nuk janë vënë kurrë në përdorim. Dhe hyrja e tyre ka qenë nga brenda Ministrisë së Brendshme. Kushedi se si do të na i paraqesin tani. Si dhoma torturash, ka gjasë, që po zbulohen për herë të parë.
Mirëpo ç’rëndësi ka e vërteta? Rama me një gur vret dy zogj: bën këtë operacion për ndërkombëtarët dhe çka është më e rëndësishmja, përmirëson financat e klientelës së tij, duke u dhënë miliona për këto operacione, paçka se ndërkohë “jep” zero lekët për arkivat, për studime të së kaluarës komuniste e të tjera gjëra shumë më të rëndësishme për njohen e vërtetë të komunizmit, sesa këto butafori”
“E pra, ndërkaq punët me dekomunistizimin e vërtetë shkojnë keq e më keq.
Sepse, nëse me regjimin komunist që kaluam do të kuptojmë pushtetin e një partie të vetme, që me zërin e liderit të vet absolute pretendon se ka monopolin e së vërtetës, e një partie që ka kontrollin e ekonomisë, kontrollin e mediave, si dhe që përdor dhunën verbale dhe fizike ndaj atyre që nuk reshtohen në llogoren e saj kundër armikut të partisë dhe të popullit, mendoj se pas njëzetepesë vjetësh Shqipëria deri dje e Sali Berishës ka hedhur me Edi Ramën një hap më tej drejt këtij vizioni sa të frikshëm, edhe karikaturesk të regjimit komunist. Dhe kush ka shpresë se nga kjo do të shpëtojnë ndërkombëtarët, është një miop politik i pashpresë”, mbyll shkrimin e tij analisti Fatos Lubonja