Lubonja: Karikatura më e përshtatshme për Ramën…
Fatos Lubonja ka analizuar sot, nëse kryeministri Edi Rama është i aftë të bëjë shtet.
Sipas tij, problemi i madh i shtetarëve shqiptarë është se e personalizojnë shtetin.
Ai jep edhe një përcaktim për kryeministrin Rama.
“Lajmet për urdhrat që pas ka dhënë kryeministri në jug, kur ishte me pushime, për të mbyllur disa diskoteka që, me muzikën e tyre të lartë, i paskan shqetësuar gjumin e natës më tërhoqën vëmendjen në mënyrë të veçantë.
Ore, paska edhe veshë ky! – u thashë me të qeshur ca miqve, duke kujtuar një debat që kam bërë dikur me të ku i kam thënë se karikatura më e përshtatshme që i shkon atij është ajo e krokodilit që s’ka veshë (për të dëgjuar) sepse është i gjithi gojë.
Megjithatë më duhet të them se nuk mund veçse të solidarizohem me shqetësimin e veshëve të Ramës qytetar, pasi edhe vetë i vuaj situata të tilla”, shkruan Lubonja te Panorama.
“Keqkuptimi bazë qëndron në atë se këta urdhra, që i jepen me telefon direkt ministrit të Brendshëm, shpesh janë shprehje e arrogancës së një personi që ka personalizuar shtetin, pasi kjo nuk është punë e kryeministrit, por e policisë së zonës.
Më kujtohet se një herë më ftuan diku afër bllokut në plazhin e Durrësit për të kaluar një natë dhe kur u thashë se ka muzikë diskoje përreth që të lë pa gjumë, më thanë: jo se ka ardhur me pushime Saliu.
Dhe personalizimi i shtetit është bash e kundërta e shtetit të së drejtës”, vijon ai.