Lubonja për “opozitën e re”: I keni dëgjuar ndonjëherë të flasin për Teatrin, Astirin dhe kullat?

Analisti Fatos Lubonja i konsideron ‘opozitë të opozitës’ grupin e ri parlamentar të udhëhequr nga deputetja Rudina Hajdari dhe partinë e re ‘Bindja Demokratike’ që pritet të drejtohet nga Astrit Patozi, ish-nënkryetar i PD-së.

Në rubrikën ‘Opinion’ në News 24, Lubonja tha se Hajdari dhe Patozi flasin vetëm për demokracinë në PD, por nuk kanë folur kurrë për skandalet e Teatrit Kombëtar, kullave në Tiranë apo zonës së ‘Astirit’. Sipas tij, ‘opozita e re’ është fasadë e pushtetit të kryeministrit Edi Rama.

“I keni dëgjuar ndonjëherë këta të flasin për ‘Astirin’? I keni dëgjuar të flasin ndonjëherë për teatrin? Po për kullat që do të ndërtojë Edi Rama? Problemi i këtyre është vetëm demokracia në PD. Por a e kanë kundërshtuar këta autoritarizmin e Berishës në PD? Këta nuk përfaqësojnë asgjë, vetëm një fasadë për Edi Ramën. Këta përveç emrave të tyre nuk kanë asnjë mbështetje, përveç mbështetjes së pushtetit”, u shpreh Lubonja.

Sa i përket pretendimit se Rudina Hajdari do të përfaqësojë vizionin dhe idealet e Azem Hajdarit, lider i lëvizjes së Dhjetorit ’90, Fatos Lubonja tha: “Hajdari u vra sepse partitë filluan të mbështeteshin te të fortët. Ai u vra nga disa të fortë të PS dhe u vra sepse përfaqësonte të fortët e PD. Këtu qëndron problemi sepse ne problemin e kemi te të fortët. Kam parasysh oligarkët, krimin e organizuar dhe të fortët në të gjitha rrethet. Të thuash ti që Azem Hajdari ishte idealist dhe vajza e tij erdhi për të përfaqësuar idealin e tij, është një mashtrim.”

SHKARKO APP