Lufta e BE kundër propagandës ruse
11 zyrtarë të BE-së kanë vetëm një detyrë: të zbulojnë dhe demaskojnë gënjeshtrat e botës, sidomos atyre që vijnë nga Rusia dhe të cilat kanë për qëllim dëmtimin e Europës perëndimore dhe sistemeve demokratike….
Nga Enver Robelli
“NATO është duke u përgatitur për luftë kundër Rusisë”. “NATO stacionin 3600 tanke në Europë”. “Bashkimi Europian e ka ndërmend të ndalojë babadimrin, sepse ndërtimi i babadimrave promovon epërsinë e racës së bardhë dhe lëndon ndjenjat e etnive me ngjyrë tjetër të lëkurës”. “Kjo është shpërbërja definitive e Bashkimit Europian,- tha europarlamentari Marek Duda”. “1000 myslimanë ia kanë vënë flakën kishës më të vjetër në Gjermani”. “700 mijë gjermanë e kanë braktisur vendin e tyre për shkak të politikës së Angela Merkelit”.
Gati të gjitha këto lajme janë përhapur nga mediat ruse apo nga portalet e përkrahura në mënyra të ndryshme nga Kremlini. Qëllimi është të shkaktohet huti, të dëmtohet Europa perëndimore, të goditen politikanë si kancelarja gjermane Angela Merkel dhe të nxitet urrejtja e qytetarëve europianë ndaj elitave politike. Të gjitha këto lajme janë të rrejshme. NATO nuk po përgatitet për luftë dhe nuk i ka stacionuar në Europë 3 600 tanke, por 87. BE nuk e ka ndërmend të ndalojë babadrimin, ndonëse këtë e kishte pohuar një gazetë bullgare. Europarlamentari Marek Duda nuk ekziston fare, rrjedhimisht as deklarata e tij. Kisha më e vjetër e Gjermanisë nuk është dëmtuar. (Këtë përrallë e kishte shpërndarë portali popullist amerikan Breitbart). Gjermaninë nuk e kanë braktisur 700 mijë gjermanë për shkak të politikave të Angela Merkelit.
Pas dyshimeve të shërbimeve amerikane se propagandistët dhe hakerët e Vladimir Putinit kanë ndikuar në zgjedhjet amerikane, tani ekziston frika se një gjë të tillë Kremlini do ta intensifikojë edhe në Europën perëndimore. Në shtator në Gjermani mbahen zgjedhjet dhe është në interesin rus të diskreditohet Angela Merkel, e cila ka arritur t’i bind vendet e BE-së të mbajnë në fuqi sanksionet kundër Rusisë për shkak të agresionit të Moskës në Ukrainë. Në interes të Putinit është po ashtu që në zgjedhjet presidenciale në Francë të fitojë popullistja antieuropiane Marine Le Pen, partia e së cilës ka marrë kredi nga një bankë e afërt me qeverinë ruse. Në përgjithësi për ta dëmtuar Bashkimin Europian Rusia mbështet kudo në Europë parti të ekstremit të djathtë.
“Ekipi Strategjik i Komunikimit Lindje” i shërbimit diplomatik të BE-së (EEAS) ka tërhequr urgjentisht vërejtjen mbi rrezikun që kanoset nga ndikimi rus. Një zyrtar i BE-së tha se Rusia do të përpiqet të ndikojë në zgjedhje në Europë ngjashëm si në SHBA. Për të luftuar propagandën BE ka krijuar në vitin 2015 një ekip, i cili ka vetëm një detyrë: të zbulojnë dhe demaskojnë gënjeshtrat e botës, sidomos atyre që vijnë nga Rusia dhe të cilat kanë për qëllim dëmtimin e Europës perëndimore dhe sistemeve demokratike.
Janë 11 zyrtarë që çdo ditë mbledhin lajmet e rrejshme dhe i demaskojnë ato. Deri më tani njësia për zbulimin e rrenave ka dokumentuar 2500 shembuj të dezinformimit, kryesisht nga Moska. Zyrtari i BE-së tha se prodhimi i rrenave është “pjesë e politikës shtetërore ruse”. Sipas gazetës gjermane “Die Zeit” zyra e BE-së për luftimin e rrenave ruse përkrahet nga 400 gazetarë, punonjës universitarë, zyrtarë, aktivistë të OJQ-ve në 30 vende. Ata e herrin internetin nga lajmet e rrejshme (“Fake-News”) që prodhojnë fabrikat ruse si “Rosija sevodnja”, “Rusia sot”. Më së largu në fund të shtatorit, pas zgjedhjeve parlamentare në Gjermani, do të shihet nëse 11 nëpunësit e ndershëm të BE-së kanë arritur ta pengojnë propagandën ruse. Dialogplus.ch