Lufta e Ftohtë po endet nëpër Ballkan

Nga Marjana Doda

Përveçse pozicionit gjeografik, një sërë faktorësh të tjerë e bëjnë Rajonin e Ballkanit të mbetet ngrehina, ku çdo ditë e më shumë përballen erërat e Lindjes dhe Perëndimit. Tashmë në Europën Perëndimore e asaj Lindore filluan të ndodhin fenomene të rëndësishme që çdo ditë e më shumë po e bëjnë kontinentin t’i dhembin plagët e vjetra e t’i shtohen të reja. Rizgjimi i Rusisë për të qenë faktor i rëndësishëm gjeopolitik, çdo ditë e më shumë duket sikur po ndryshon sërish rendin botëror. Aneksimi prej saj i Krimesë, përballi sërish Perëndimin dhe NATO-n nën ethet e Luftës së Ftohtë. Krahasimi i Krimesë me Kosovën, bën të mendosh se perdja e Luftës së ftohtë po endet në Ballkan, aty ku mund të gjenerohen në çdo kohë konflikte dhe fuqitë e mëdha të ndeshen sërish mes tyre.

E megjithatë, situata e sotshme ka një prapavije politike e historike të largët. Ideja e më të fortëve në vetë psikologjinë e ballkanasve ka bërë që para dyqind vitesh të predominonin për të krijuar e drejtuar federata, fillimisht nga grekët e më pas nga serbë, bullgarë, maqedonas etj. Më vitin1913 socialdemokrati serb Dimitrije Tucovic do të shkruante se: ” …Ne, në Ballkan, të ndarë, të izoluar, ziliqarë e në armiqësi me njëri-tjetrin për interesa të të huajve, do t’i bëjmë varrin njëri- tjetrit… Serbia bashkë me vendet e tjera ballkanike duhet të krijojë baza të sinqerta, në të cilën pa asnjë dyshim do të bashkohen dhe shqiptarë…”. Analiza e tij duket të ketë qenë më logjike përtej zhvillimeve të mëvonshme, ku interesat politike, ndasitë, ideologjitë e bënë rajonin gjithmonë e më të paqëndrueshëm.

Lufta e Dytë Botërore zgjoi interesimin e Partisë Komuniste Jugosllave që falë territoreve që kishte marrë padrejtësisht nga Fuqitë e Mëdha e kërkonte një bashkësi të tillë, por i trembej sidomos problemit me Maqedoninë, që kishte probleme me fqinjët si: Maqedonia Perëndimore dominuar nga shqiptarët, ajo e Egjeut dominuar nga grekët dhe Maqedonisë Pirine e pretenduar nga bullgarët. Komunistët grek ishin pro federatës po pa pjesën e Maqedonisë se Egjeut të tyre.

Në një material të Moskës “Mbi botën e ardhshme”, Josif B. Tito kërkonte ndihmën e Stalinit për Maqedoninë e Bullgarinë, por për këtë të fundit ai nuk pranoi dhe pse ishte për idenë e bashkimit të sllavëve, gjë të cilën e kundërshtoi dhe qeveria angleze. Gjithçka u vendos në Konferencën e Jaltës, në shkurt 1945 në takimin e krerëve aleatë, Franklin Roosvelt (SHBA), Uintson Churchill (Angli) dhe Josif Stalin ( BRSS), ku Bullgaria e Rumania do mbështetej në Lindje (Rusisë), Greqia e Turqia me Perëndimin, ndërsa Jugosllavia e Shqipëria mëvehte dhe pse Tito kërkonte ta bënte republikë të Jugosllavisë. Në vitet 1945-1948 në Europën Lindore u vendosën regjime të demokracisë popullore dhe me shpalljen e Kinës Republikë Popullore, u formua Blloku Lindor nga Europa në Azi. Tashmë Blloku Lindor drejtohej nga BRSS dhe ai Perëndimor nga SHBA dhe që do ndesheshin mes njëri-tjetrit në Gjermani, Ballkan e Lindjen e Largët. Blloqet sollën ballafaqimin e dy sistemeve, të komunizmit dhe kapitalizmit që u shoqërua me garën e egër të armatimeve kundër njëri-tjetrit duke krijuar dhe blloqet ushtarake, NATO (1949) dhe ai i Varshavës (1955). Periudha e stërzgjatur e Luftës së Ftohtë do përfundonte me shembjen e murit të Berlinit më 1989 (i ndërtuar në kulmin e kësaj lufte më 1961), me protagonistë po dy fuqitë e mëdha SHBA-Rusi dhe Presidentët Bush-Gorbacov. Federata Jugosllave, meqenëse nuk ishte pjesë e këtyre blloqeve, mbeti ende pa u shpërbë, gjë, e cila do të ndodhte pak vite më pas, por fatkeqësisht jo si në tërë Lindjen, por me luftëra në Slloveni, Kroaci dhe masakra në Bosnjë-Hercegovinë e Kosovë, ku kjo luftë pati kosto mijëra jetë njerëzore e që do të përfundonte me vendosjen paqes me intervenimin e NATO-s më 1999.

Pas shembjes te komunizmit dhe shpërbërjes se ish Jugosllavisë, një sërë vendesh lindore dhe ish republika jugosllave që fituan pavarësinë, negociuan dhe i bënë pjesë e BE dhe NATO-s duke përfaqësuar interesat euroatlantike, pjesë e së cilës u bë dhe Shqipëria. Gjithë kjo histori suksesi e Perëndimit duket sikur përbënte sfidë me luftën në Kosovë dhe njohjen e padrejtësisë për të vendosur drejtësi në njohjen e shtetit të pavarur më të ri në botë.

Pas krizës greke, Brexit ishte humbja e radhës shumë e rëndë e BE-së, e cila ka bërë që të përjetojë një agoni të thellë dhe të duket sikur Perëndimi është në të perënduar. Disa vende anëtare të tij i’u ka humbur besimi për të qenë të bashkuar, pa përjashtuar që multikulturalizmi dhe terrorizmi çdo ditë po i humb shpresat që popujt të jenë të bashkuar në këtë bashkësi, pse jo dhe të lodhën për mënyrën dhe forcën e funksionimit të saj, ndërsa për vendet e Ballkanit që aspirojnë të bëhen pjesë e saj, mbetët thjesht një shpresë. Ndërsa euforia e sfidës së Perëndimit po zbehet, ajo e Lindjes po rritet. Interesat dhe influencat gjeostrategjike ruse po shtohen dita- ditës. Synimi për të dalë sërish në brigjet e Detit të Zi, Egjeut, Mesdheut e deri në Adriatik, përgjatë të cilave ndodhen vendet e BE e ato që aspirojnë (Rumani, Bullgari, Greqi, Shqipëri , Mali Zi), bëjnë të mendosh se kanë filluar ethet e Luftës se Ftohtë në Ballkan.

Po përse Ballkani? Ky rajon është një korridor i rëndësishëm gjeostrategjik për Rusinë, si në aspektin ekonomik ashtu dhe në atë ushtarak për t’u përballuar me shtrirjen e NATO-s në kufijtë e saj (ish- anëtare te paktit Varshavës, si Poloni, Hungari, Bullgari, Rumani, Çekosllovaki), ku rivaliteti i dikurshëm e futi botën në Luftën e Ftohtë. Vendosja e bazës ushtarake amerikane “Bonstill”, në Ferizaj, pas luftës në Kosovë, si dhe instalimi i sistemit të fuqishëm të raketave ruse “BUK” dhe “S-400 Triumf” në luginën e Preshevës ka bërë që në Ballkan të “vringëllojnë”serish armët e superfuqive. Ndërsa Kroacia merr armë nga SHBA, Serbia i blenë në Rusi, për rrjedhojë analistët po mendojnë se kjo e fundit po synon të vendose një vijë zjarri anti NATO në shtrirjen Bosnje-Hercegovinë, Serbi, Maqedoni. Mikhail Gorbaçov, pikërisht protagonisti i dhënies fund të Luftës Ftohtë, para pak kohësh si rezultat i zgjerimit të NATO-s në kufijtë e Rusisë, shpreh zhgënjimin e tij se nuk janë përfillur Akti Final i Helsinkit i vitit 1975 dhe Kartës Parisit 1990 nga shtetet Europës për të lënë pas krahëve Luftën e Ftohtë. Sipas tij:”Moska nuk beson më tek Perëndimi dhe Perëndimi nuk beson më tek Moska. Kjo është e tmerrshme”.

Rivaliteti Lindje-Perëndim në Ballkan si dhe prezenca e Turqisë si fuqi tepër e interesuar në të, po e përfshijnë rajonin në një situatë të rrezikshme trepolare të mbarsur me faktorë të ndryshëm politikë, ideologjikë, fetare, ekonomikë, ushtarakë, etj. Sërish enigma e “Nyjes Gordiane” mbetet në Ballkan, pasi vetë historia e trazuar e tij e bëjnë të tillë dhe se tërheqja e vendeve të tij sa në Lindje e Perëndimit, duket sikur po e shtrëngojnë nyjën në kufijtë e saj.

Prezenca ruse në Mal të Zi, zhvillimi i zgjedhjeve që përfundoi me fitoren dhe dorëheqjen e Kryeministrit Milo Gjukanoviç e ka bërë klimën ne këtë vend të jetë ende e brishtë . Situata në Bosnjë-Hercegovinë me “Republikën Srpska” tregon se dhe aty ka premisa për destabilizim në çdo kohë. Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione financiare ndaj udhëheqësit nacionalist të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, për shkak të rolit të tij aktiv, për të penguar marrëveshjet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, që i dhanë fund luftës së Bosnjes në vitin 1995. John Smith, zyrtar i lartë i Departamentit të Thesarit tha se “duke penguar marrëveshjet e Dayton-it, Milorad Dodik përbën një kërcënim të madh për sovranitetin dhe integritet territorial të Bosnje Hercegovinës”. Ndërsa menjëherë pas kësaj Presidenti i Republikës Sërpska (RS), Milorad Dodik,  deklaroi se, kërkon nga ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjës e Hercegovinës (BeH), që të shpallë si të padëshirueshme ambasadoren amerikane në BeH, Maureen Cormack.

Situata në Serbi, me kryeministrin Aleksandër Vuçiç, i cili është ne udhëkryq ndërmjet “Rusisë dhe BE-se” mbanë të ndezur luftën me Kosovën, duke e bërë situatën mjaft të rrezikshme. Ndërtimi i murit në Mitrovicë dhe arrestimi në Francë me urdhër ndërkombëtar lëshuar nga Serbia dhe kërkesa për ekstradim për Ramush Haradinaj,  i kanë futur këto dy vendeve pothuajse në prag të Luftës së Ftohtë. Së fundmi, treni poliglot me mbishkrimin “Kosova është Serbi” shkaktoi një pikë të re të ulët në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës, duke bere kështu që negociatat e deritanishme ndërmjet dy vendeve në Bruksel të dështonin. Udhëtimi i trenit ishte i pari nga Beogradi për në Mitrovicës, që nga lufta e viteve 1998-1999. I ashtuquajturi si “Kali i Trojës” së kohërave moderne i cili dështoi që në nisjen e tij, tregoi edhe njëherë brishtësinë e Ballkanit. Qeveria e Kosovës dha urdhër të prerë për ndalimin e tij në kufi. Megjithatë, ajo që la pas ky provokim bëri që për pak të shpërtheje lufta. Kështu Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç kërcënoi me dërgimin e ushtrisë. “Ne do të dërgojmë ushtrinë, për t’i mbrojtur serbët nga masakra potenciale ndaj tyre”, tha Presidenti Tomislav Nikoliç pas një mbledhjeje të Këshillit Kombëtar të Sigurisë. “Po të vriten serbët, ne do të dërgojmë ushtrinë”. Situata politike në Maqedoni me fitoren e Nikolla Gruevskit i akuzuar për orientimin e tij të hapur lindor e mbrojtjen nga Moska , si dhe faktori shqiptar me orientim euroatlantik nga ana tjetër, e kanë bërë situatën në këtë vend jo të qëndrueshme, pa i shtuar veton greke për çështjen e emrit dhe Bullgarinë për çështje etnie. Etiketimi dhe ngritja e “mureve” për shqiptarët në Mitrovicë, në Shkup apo kudo qoftë, do të ngacmojë rëndë ndërgjegjen kombëtare të tyre që mund të sjelle vërtet pasojën e shpërthimit të fuçisë së barutit, zjarri i së cilës mund të djegë tërë Ballkanin dhe jo vetëm. Gjithë kjo klimë e Luftës së Ftohtë që po shfaqet në Ballkan, pritet të kurohet me rolin në të ardhmen të SHBA. A do vazhdojë ajo të jetë prezente dhe dominante apo Presidenti Donald Trump do të ndjekë thjesht një politikë izolacioniste në të mirë të amerikanëve dhe do jetë selektiv në interesa gjeopolitike të Amerikës? Duke qenë se durimi është në limitet e saj, e vetmja mënyrë që Ballkani, të mos jetë më në rivalitetin midis lindjes dhe perëndimit , është rruga drejt integrimit në BE. “Strehimi” i këtyre vendeve në Europë do i japë fund, të qenurit një “fushëbetejë” e fuqive të mëdha dhe kjo agoni do merrte fund.

 

 

 

SHKARKO APP