Lufta e Tretë Botërore?

Nga Vittorio Emanuele Parsi*

Farat e një konflikti të përgjithshëm janë këtu: vijnë nga përparimi i ISIS-it, nga luftërat pafund të Lindjes së Mesme, nga pafuqia e Evropës, nga tensionet ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Një shkallëzim që duhet të ndalet.

A do të jetë Lindja e Mesme mishëruese e asaj që “fuçia e barutit ballkanike” qe në vitet fill para 1914-s? Ndoshta të përmendet rreziku i një lufte të tretë botërore, siç ka bërë disa herë Papa Françesko, është një provokim. Por është e vështirë të mohohet se sistemi i Shteteve të Lindjes së Mesme ndodhet sot në një gjendje, së paku, po aq të rrezikshme sa ajo e Ballkanit në fillim të shekullit të shkuar e që është fatkeqësisht pranë shkatërrimit.

Siria, Iraku, Libia, Jemeni dhe Afganistani janë teatër luftërash civile (ose të autorizuara) që duken të pafundme. Terrorizmi kërcënon Egjiptin, Tunizinë, Libanin dhe vendet e Gjirit. I ashtuquajturi proces paqeje arabo–izraelit tashmë është një etiketë, së cilës nuk i beson aspak kërrkush, ndërsa kuadri politik i Palestinës dhe Izraelit është gjithnjë e më tepër rob i skajshmërisë ksenofobe.

Megjithë marrëveshjen e arritur nga 5+1 dhe nga Irani mbi dosjen bërthamore të Republikës islamike, tensioni në zonë ndërmjet mbretërive sunite dhe Izraelit nga një anë, e Teheranit nga tjetra, nuk ka shenja pakësimi. Përkundrazi ngarkohet gjithnjë e më tepër. Shtetet e Bashkuara që, mbi themelin e kësaj marrëveshjeje do të donin të rindërtonin udhëheqjen e tyre rajonale, duhet të vërejnë se si ajo përfaqëson në sytë e aleatëve të tyre “gurin e skandalit”.

Ndërkohë ISIS fuqizon praninë e tij në tokat e kalifatit, lëshon qortime për “felëshuesit” e Hamasit dhe Hezbollahut, krijon idhtarë në kampet e refugjatëve të Libanit dhe në rripin e Gazës, ashtu si në Somali, Libi, Tunizi, Egjipt, Nigeri, Afganistan, përveç Perëndimit. Por nëse një spikamë ka zotëruar faqet e gazetave verore dhe programet e qeverive europiane, ajo ka qenë dhe është “mësymja e refugjatëve” dhe jo ajo e shpërthimit të mundshëm të gjithë Lindjes së Mesme, me rrezikun e përzierjes së fuqive më të mëdha në plasjen e saj.

Po të ishim në një gjendje mirëkuptimi apo përputhje interesash ndërmjet mbifuqive planetare dhe kuadri makroekonomik të ishte i zbrazur nga shqetësimet e përhershme, kjo vëngërí mund të kuptohej edhe se nuk mund të falej. Por nuk është kështu. Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe Rusia janë majë më majë mbas bashkëngjitjes së Krimesë nga ana e Moskës dhe politikës së Putinit në Ukrainë: presidenti rus ka zbuluar jo vetëm tonet, por edhe praktikat e luftës së ftohtë me dhunimet e vazhdueshme të hapësirës ajrore britanike dhe të vendeve skandinave nga bombarduesit e tij strategjikë. Kina që nxjerr në pah një nacionalizëm gjithnjë e më muskulor në Lindjen e Largët, duket se po i afrohet ndeshjes ndërmjet dy elementëve të papajtueshëm: një rritjeje ekonomike të drejtuar nga zhvillimi i kërkesës së brendshme dhe ruajtjes së rolit zotërues të Partisë Komuniste (dhe të Ushtrisë Popullore të Çlirimit).

Evropa, nga ana e saj, është në vështirësi përballë të papriturave të rënda që peshojnë mbi të ardhmen e bashkimit të saj politik: nga euro në rritjen ekonomike, nga punësimi te politika me refugjatët, për të mos folur për politikën e mekur të jashtme e të sigurisë së përbashkët. Ndoshta diçka po ndryshon edhe se bëhet fjalë vetëm për deklarata synimesh: kryeministri anglez, David Cameron u tregua i gatshëm për sulme ajrore kundër forcave të ISIS-it në Siri, dhe presidenti francez, François Hollande po vlerëson nëse duhet të marrë pjesë në bombardimet. Por është pikërisht në Lindjen e Mesme që Evropa dhe Perëndimi bëjnë pak ose asgjë. Siç duket, në Washington, Londër, Paris dhe Berlin duhet të jenë të bindur se Al Bagdadi përbën një rrezik më të vogël sesa ai që përfaqësonte Ghedafi: sa arrogancë atëherë kundër Libisë, sa ndrojtje sot kundrejt Shtetit Islamik! Megjithëse kur u bombardua Ghedafi pa mëshirë, prej vitesh kishte pushuar së qeni një kërcënim për bashkësinë ndërkombëtare dhe një përkrahës i terrorizmit. Ndërsa nuk mund të thuhet e njëjta gjë për “kalifin e besimtarëve”, katalizator për islamizmin më të dhunshëm e më skajor. Megjithëse nuk përbëjnë pjesën më të madhe të forcave kryengritëse që luftojnë kundër regjimit kriminal të Assadit (që ka bombarduar Alepin e “tij” me më shumë egërsi sesa ajo me të cilën Hitleri rrafshoi Varshavën), milicianët e Kalifit janë maja e tyre e diamantit: jo rastësisht janë ata, kundër të cilëve regjimi ka përqendruar trupat e tij më të mirë dhe aleatët e tij më të çmuar, hezbollahët libanezë.

Pikërisht përzierja e tyre është duke vënë në një provë të fortë baraspeshën e brishtë  të Libanit, të paralizuar nga më shumë se një vit për zgjedhjen e presidentit të ri (kristian maronit), të lodhur nga vala e më shumë se një milion e dyqind mijë refugjatësh nga Siria (në një popullsi pak më shumë se 4 milionë) dhe të sfiduar haptas nga një lëvizje ndërfetare e ndërklasore (You Stinck!) që, duke u nisur nga kriza e lindur me mbledhjen dhe bluarjen e plehrave, padit korrupsionin dhe pazotësinë  e regjimit.

Mbi të gjitha, roli i luajtur nga hezbollahët në Siri rrezikon të tërheqë Izraelin në luftën civile siriane. Qeveria e Tel Avivit, mbasi ka pësuar dështimin e marrëveshjes mbi bërthamoren iraniane, sigurisht nuk i ka dorëzuar armët. Megjithë kritikat e shumta të rëna mbi kryet e Netanjahut për furinë me të cilën kërkoi të kushtëzojë në funksion kundër-Obama procesin politik amerikan (që simbas nja njëqind rabinëve amerikanë rrezikon të tërheqë mbi hebrenjtë e përtej Atlantikut akuzën e rëndë të pandershmërisë), kryeministri izraelit vazhdon ta interpretojë gjithë kuadrin rajonal në dritën e kërcënimit jetik të përfaqësuar nga një Iran teorikisht në gjendje të zhvillojë armën bërthamore (edhe se Izraeli është e vetmja fuqi bërthamore e Lindjes së Mesme, me më shumë bomba se Franca dhe Britania e Madhe).

Në këtë vështrim, të provokohet rënia e regjimit të Assadit dhe të nxirret jashtë luftimit Hezbollahu, aleatët e rëndësishëm të Iranit, është një objektiv që mund të ligjësojë “somalizimin” e Sirisë dhe infektimin e Libanit. Në një perspektivë të tillë, rreziqet e një shkallëzimi të tensionit ndërmjet Iranit dhe Izraelit, me një përzierje të mundshme të mbretërive sunite të Gjirit nuk janë anësore; do të ngrihej tensioni i marrëdhënieve me Moskën, që sidoqoftë mbetet një aleate e Sirisë dhe një bashkëbiseduese e interesuar e Iranit. Marrëveshja mbi bërthamoren iraniane (Joint comprehensive plan of action, Jcpoa) parashikon një periudhë të gjatë përcaktimi (deri në 15 vjet) dhe faza të ndryshme në sendërtim. Kjo iu jep kundërshtarëve të saj mundësinë e një strategjie të përpunuar kundërshtie.

Por është periudha që shkon nga lëshimi i “certifikatës së mirësjelljes” Iranit nga ana e Aiea (Agjencia ndërkombëtare për energjinë bërthamore) në janar 2016 dhe hyrjes së administratës së re amerikane, më 20 janar të vitit pasues, që përfaqëson “dritaren e mundësive”. Megjithëse marrëveshja është një sukses për firmuesit dhe një shenjë “e rrallë” bashkësie qëllimesh të 5 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mbetet fakti që është arritur me kundërshtimin e egër të aleatëve kryesorë amerikanë në rajon: Izraeli dhe Arabia Saudite, dy nga tri fuqitë rajonale (e treta është pikërisht Irani). Në vështrimin rajonal, fuqia e saj destabilizuese është e dukshme, së paku në kohë të shkurtra e të mesme: vetëm zbatimi me sukses (ose më mirë vërtetimi i heqjes dorë nga ana iraniane e çfarëdo dëshire bërthamore me karakter ushtarak) mund të ndihmonte qëndrueshmërinë e rajonit. Por që të ndodhë e gjithë kjo duhen vite.

Siç shihet, janë të gjithë elementët që një krizë shumë e rëndë rajonale të mund të kthehet në një konflikt të përmasave më të gjëra e të papërcaktuara. Në mënyrë paradoksale, siç vërente edhe politologu amerikan, Jospeh Nye, është pikërisht baraspesha bërthamore, që ende zotëron sistemin ndërkombëtar në tërësinë e tij,  që jep sigurinë më të mirë që një shkallëzim i mundshëm të ndalohet para se të arrijë të shkaktojë luftën e tretë botërore në pak më shumë se një shekull.

*Vittorio Emanuele Parsi është profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin katolik të Milanos. Nga 27 maji deri më 27 gusht ka kryer shërbimin si kapiten i një fregate të Rezervës së zgjedhur të Flotës Ushtarake pranë shtabit të përgjithshëm të Unifilit në Naquora (Liban), në misionin e OKB-së.

Marrë nga e përjavshmja “Panorama” Nr.37, 16 shtator 2015

E përktheu nga italishtja, Eugjen Merlika

SHKARKO APP