Lufta me hijen e armikut
Nga Mero Baze
Është hera e dytë që Partia Demokratike angazhohet në një debat të shëmtuar politik, rreth nevojës për të zhdukur simbole që përkujtojnë diktaturën. Beteja e parë e madhe e saj ka qenë kundër Piramidës në qendër të Tiranës, ndërtesës simbol të Tiranës komuniste, si ish muze i Diktatorit. Në fakt, nëse gërmon pak më shumë e kupton se nuk kishin gjë me “simbolin” e varrit të Diktatorit siç filloi ta quaj Berisha në histerinë e tij për ta prishur. E nisi për të nxjerrë prej andej median më të madhe kritike të asaj kohe Top Channel, i cili ishte aty me një kontratë qeraje afatgjatë.
Në fillim tentuan ta zbojnë me takt. Berisha dha 6 milionë euro për rikonstruksionin e Piramidës, që sipas tij do të bëhej një objekt kulturor, diçka mes Teatrit dhe sallave të koncerteve. Ishte një investim në pamje të parë logjik. Por çfarë ndodhi. Kunati i tij, i cili u mor realisht me punimet, pasi zhvati gjithë mermerin e Piramidës të importuar nga Italia dhe disa pjesë të brendshme të saj, dëmtoi dhe një strukturë qendrore të Piramidës dhe i la punimet në mes. Akoma sot nuk ka një hetim çfarë u bë me ato para, kush mban përgjegjësi për atë projekt të dështuar, i cili nisi të nxirrte me takt një media kritike dhe përfundoi duke grabitur Piramidën dhe parat tona.
Berisha humbi qetësinë dhe urdhëroi prishjen e Piramidës, rrëzimin e saj përtokë dhe ngritjen atje të një parlamenti të ri. Për ta bërë fakt të kryer, bëri dhe një tender për projektin e parlamentit të ri dhe një pelegrinazh shkollash që vizitonin maketin e projektit në zyrën e parlamentit. Një mik i tij parlamentar në Austri nuk e kishte mbajtur dot sekretin dhe një gazetë austriake shkruajti dhjetë ditë para tenderit se kush do ta fitonte atë. Është fjala për deputetin Grossruk, që s’ka lënë rast pa qenë me Berishën dhe kur ka vrarë më 21 Janar dhe kur ka vjedhur më 26 maj 1996.
Por as kësaj radhe nuk funksionoi. Sapo mësoi se Top Channel filloi ndërtimin e zyrave të reja dhe do të ikte vet, hoqi dorë nga gjithë projektet dhe e la Piramidën ashtu të copëtuar, të rrjepur dhe të gjymtuar. Ajo në të vërtetë është ndërtesa ideale ku mund të bëhej Muzeu i Diktaturës në Shqipëri dhe një pjesë tjetër të përdorej për salla konferencash dhe koncertesh. Nëse do që një e keqe të mos përsëritet, ajo duhet kujtuar përditë me simbolet e saj, atje ku ka jetuar. Tirana ka pak godina simbol dhe Piramida është nga të paktat që e lidh historinë e këtij vendi me gjysmë shekullin e diktaturës, që Berisha ishte gati ta shuante vetëm për shkak të genit të diktatorit ndaj kritikëve të tij në media.
E njëjta gjë po përsëritet me një simbol bunkeri, që të udhëzon të hysh në një nga tunelet e vjetra të ish-Sigurimit të Shtetit në bllokun e Ministrive në zonën pedonale. Nëse Berisha do të kishte gjë me bunkerin si simbol të izolacionit komunist, ai nuk do të paguante nga fondet e qeverisë dhe të shkonte në inagurimin e një projekti të tillë dy vite më parë, drejtuar nga Fatos Lubonja, në krah të “Bulevardit Dëshmorët e Kombit”. Bëri mirë që e financoi atë projekt dhe që la disa shenja nga ato që ishin simbole të periudhës së izolimit siç është bunkeri, fortifikimet nëntokësore dhe galeritë ku punonin të dënuarit.
Përpjekja për të sulmuar një simbol të ngjashëm, që vetëm sa thekson disa nga shenjat e komunizmit në këtë vend, e bërë nga disa të keqpërdorur tërë jetën për gjeste të tilla, është një shenjë e shterpësisë dhe pafuqisë së opozitës për të prodhuar politikë përballë pushtetit. Dhe si një qershi mbi tortë në këtë histori, ishte zëri i hollë i Lulzim Bashës që tenton të trashet duke kërcënuar se “i kishin rrethuar partinë” dhe po ta preknin s’do gjente vrimë ku të futej qeveria. Që njeriu bëhet nervoz kur mbetet vetëm në marrëzitë e tij është normale, por nuk ka pse bërtetë ta marrin vesh të gjithë. Kur nuk ke çfarë i bën pushtetit, kur njerëzit nuk të binden të dalin në protesta, kur opozitën e ke katandisur si “kokoshi një thelë” dhe mbi të gjitha kur nuk ke kauza, por pret të bjerë ndonjë e tillë nga qielli, natyrisht që bëhesh nervoz, e do të trashësh zërin, por nuk ta ka fajin bunkeri, siç nuk ia kishte Berishës fajin Piramida, pse nuk kishte çfarë t’i bënte armikut që ishte brenda saj.
TEMA