Lufta për koalicionet dhe mashtrimi i listave të hapura

Nga Ergys Mërtiri –
Saga e reformës zgjedhore tashmë është shndërruar në komedi. Pas një rrugëtimi të gjatë e të mërzitshëm për miratimin e kodit zgjedhor, kur gjithçka përfundoi me një marrëveshje të dakortësuar nga të gjitha palët (përfshi këtu edhe atë që konsiderohet ‘opozitë parlamentare’, befas gjithçka rinis nga fillimi.

Situata bëhet qesharake duke parë se shfaqja vazhdon të luhet edhe pasi ka rënë perdja dhe spektatorët kanë nisur të largohen.

Pasi palët u morën vesh në tryezë, pasi morën edhe përgëzimet e ndërkombëtarëve për këtë, dy prej tyre, u kujtuan të rimerren vesh edhe një herë, më vete, jashtë tryezës politike të ngritur posaçërisht për këtë gjë.

Fillimisht, prej disa javësh, grupe deputetësh nga opozita parlamentare u angazhuan me zhurmë e potere për të mospranuar marrëveshjen duke kërcënuar se nuk do ta votojnë atë. Më pas, kur disa prej tyre pohuan se nuk do ta votojnë reformën, vetë Edi Rama u kujtua të dëgjojë popullin për të pranuar kërkesën për lista të hapura.

Anullim Loje! Fillojmë nga e para!

Shumë analistë filluan streaching-un e tyre duke e shpjeguar gjithçka si një lojë piari të qeverisë, e cila, sipas tyre, po e kap kauzën e listave të hapura, për t’u dukur demokratike në sytë e shoqërisë. Sipas tyre, me këtë veprim, Rama po tregohet i zgjuar duke trukuar imazhin e saj, ndërsa ekspozon opozitën si të paaftë të hapet ndaj qytetarëve.

Natyrisht, ky argument nuk qëndron. Është shumë e sforcuar të besohet se, për tu dukur si njeri që dëgjon popullin, Rama vendos të kthejë mbrapsht një marrëveshje të arritur me shumë zor, duke armiqësuar edhe ndërkombëtarët, pasi ka qenë fillimisht vetë i pari që ka refuzuar hapjen e listave në tryezën për reformën elektorale.

Të gjithë e dinë se Rama nuk ka lidhje me respektimin e sensibiliteteve publike dhe askush nuk mund të gënjehet se ai u bë tani befas demokrat. Rasti i teatrit, unazëz, traut të rrugës së kombit, janë vetëm disa nga shembujt e shumtë që tregojnë se Rama, jo vetëm që nuk i ka mirë marrëdhëniet me dëgjimin e zërit të qytetarëve, por as që ia ndjen të bëjë sikur dëgjon. Politika e tij e piarit, jo vetëm nuk përpiqet të krijojë perceptimin se Rama i dëgjon qytetarët, por përkundrazi, ushqen profilin e një një lideri të fortë, të vendosur, që nuk tërhiqet edhe sikur të ketë gjithë botën kundra.

Është e qartë se qëllimi i Ramës është tek koalicionet. I mbetur vetëm, ndërsa ka kundër thuajse të gjithë spektrin politik, e vetmja rrugë për të shpresuar të mbijetojë është të pengojë të tjerët të bashkohen kundër tij. Një koalicion i gjerë kundër tij, do të bënte që votat të shpërndaheshin më mirë brenda partive, duke bërë që ato të mos shkojnë dëm, nëse nuk plotësojnë aq sa duhet për një mandat më shumë. Psh. nëse PD, merr vota për 2 mandate e gjysmë në Berat, votat e saj për mandatin e tretë, mund ti shkojnë LSI-së apo PDIU-së, për të prodhuar një mandate më shumë. Duke penguar këtë, Rama kërkon ti heqë opozitës disa mandate, vetëm nëpërmjet formulës.

Kjo në fakt mbetet shpresa e tij e vetme duke mos pasur 50 përqind të votave. Në zgjedhjet e 2017-s ai fitoi vetëm 48 përqind të votave të përgjithshme, e megjithatë arriti të bënte katër mandate më shumë se gjysma e parlamentit, pikërisht për shkak se nuk kishte koalicione. Nëse të gjithë të tjerët do të ishin asokohe bashkë në një koalicion të madh kundër tij, do të kishim tjetër histori, dhe ai do ish rrëzuar që aty.

Pra, sado që ka në dorë administratën shtetërore, të cilës i bën presion me vendin e punës, mediat, paratë e oligarkëve, grupet kriminale, kolegjin zgjedhor, të gjitha këto nuk mjaftojnë. Duket se Rama po luan dëshpërimisht gurët e fundit që i kanë mbetur.

SHKARKO APP