Luftë mes “komandantëve” !
Nga Mero Baze
Parlamenti i Kosovës arriti dje afër mesnatës të mblidhet në një sallë të improvizuar për të vazhduar seancën parlamentare të bllokuar nga gazi lotsjellës, i hedhur në mënyrë të përsëritur nga opozita, duke miratuar për ironi të fatit, ligjin për shëndetin mendor të qytetarëve të Kosovës. Ashtu si po shkon teatri i parlamentit në Kosovë, në të vërtetë ai është ligji i duhur për të gjykuar se çfarë po ndodh realisht në Kuvend.
Ajo që duket si një betejë e madhe opozitare, për të bllokuar me dhunë Kuvendin, në të vërtetë është një bashkim betejash dhe objektivash, që në disa raste nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.
Vetëvendosja, e cila është iniciatore e radikalizimit të dhunshëm në Kuvend, e ka dhunën tashmë kauzë politike. Duke qenë qysh në themelim të saj kundër çdo lloj statusi në të cilin ka qenë Kosova, qysh prej shtetformimit të saj, ajo është edhe kundër këtij stadi politik. Kujtojmë se në filozofinë e Kurtit, “Çlirimi i Kosovës, ishte një “lojë”, ndërhyrja e NATO ishte një “lojë”, vendosja e administrimit ndërkombëtar ishte një “lojë”, shpallja e Pavarësisë ishte një “lojë” ardhja e Euleks” ishte një lojë, hartimi dhe miratimi i Kushtetutës së Kosovës “ishte një lojë”….
Ai praktikisht nuk ka pranuar asgjë që është bërë në Kosovë qysh prej vitit 1999, nga pikëpmaja e bilancit politik. I vetmi zhvillim pozitiv i tij dhe i partisë së tij, është që kanë pranuar realitetin politik në Kosovë dhe kanë hyrë në jetën parlamentare duke shmangur lëvizjen ilegale.
Brenda kësaj filozofie ata janë në betejën e tyre. Ata nuk janë aq shumë të shqetësuar për të drejtat e serbëve për të krijuar shoqatën e komunave, sesa janë të shqetësuar se kjo është një tolerancë që forcon kundërshtarët e tyre politik në pushtet. Dhe pikërisht këtu nis beteja.
Për Haradinajn kjo është një betejë kundër Thaçit, i cili e la të shëtiste gjashtë muaj si kryeministër në hije dhe pastaj për shkak të mungesës së elasticitetit të tij, i mori aleatin kryesor LDK-në dhe bashkë me të rimori dhe pushtetin. Haradinaj ka qenë dy herë në Hagë për ato çfarë kanë ndodhur gjatë luftës, ndërkohë që rivali i tij Thaçi edhe pse ka pasur status të njëjtë me të gjatë luftës, ende nuk ka parë ndonjë derë gjykate. Gjykata Specialë që po vjen në Kosovë, mund të rihapë letra të vjetra dhe nervozizmi që Hardinajt i ka rënë në pjesë gjithnjë të ketë punë me gjykatat dhe Thaci me pushtetin, ka shkuar në skaj.
Limaj po ashtu e ka me Thaçin. Edhe ai ka provuar dy herë burgosjen për çfarë ka bërë gjatë luftës dhe ndërsa priste të ishte heroi i partisë së tij, u bë tradhtari i saj, duke e nxjerrë jashtë radhëve dhe duke e lënë në opozitë.
Hashim Thaçi natyrisht që është komod duke pasur përballë gjithë ish- komandatët e UÇK-së, të cilëve u lë shteg të sulmojnë Isën, derisa vezët të mos prekin kostumin e tij. Prej kësaj buron i gjithë nervozizmi i tyre me njëri-tjetrin. Njëri do të bëhet Ciprasi i Kosvës, dy të tjerë ndihen të persekutuar që mbetën dyerëve të gjyqeve, ndërsa rivali i tyre ish-shok i vjetër i UÇK-së ngeli 8 vite në karrigen e pushtetit. E gjitha është një luftë mes komandatëve të UÇK-së, të cilët nuk ia dolën dot të ishin kaq të egër me armiqtë e tyre serb, sa janë me njëri-tjetrin.
Edhe pse ka një makth të përgjithshëm për skenat e dhunës në Kuvend, në finale nuk mendoj se imazhi i Kosovës dëmtohet nga kjo që ndodh. E gjitha lexohet si një nervozizëm politik, pa një kauzë të qartë dhe pa një rrugëzgjidhje. Kjo që po ndodh, ia bën më të lehtë qeverisë aktuale raportet me ndërkombëtarët dhe e bën më të largët shpresën e komandantëve të mërzitur me njëri-tjetrin dhe të gjithë së bashku me Thaçin, për rimarrje të pushtetit.
Për këtë shkak është mirë që kjo betejë të diferencohet dhe të kthehet në shtratin e vet. Ata që e kanë për politikë si lëvizje revolucionare, pra Vetëvendosja, le të vazhdojnë betejën. Të tjerët të negociojnë shqetësimet e tyre, përfshi dhe mundësinë për të hyrë në qeveri, nëse mendojnë se kështu janë më të qetë. Kjo është një betejë që ata nuk mund ta fitojnë duke u fshehur pas tymit të gazit lotsjellës, por duke fshirë fortë sytë dhe duke e parë të vërtetën në sy. Kosova nuk dëmtohet nga çfarë ata po bëjnë. Njerëzit janë të qetë pasi nuk i shikojnë në shumicë atë që ndodh aty si problem të tyre, por si problem të “komandantëve me njëri-tjetirn. Edhe pjesa tjetër e Kuvendit që është shumicë, e mori qetë dhe mes gazit lotsjellës, miratoi ligjin për shëndetin mendor në Kosovë. Ndaj deri tani, viktimat e kësaj beteje janë vet ata që po e bëjnë. Dhe kjo duhet kuptuar si alarm për ta.
TEMA