Luftë për të prodhuar vaksinë të sigurt apo luftë për tregun?

Nga Klodian Rjepaj –
Para një jave nxora një status në lidhje me përgjigjen e fragmentuar të BE ndaj pandemisë, reflektuar kjo në një nga masat e njohura për kohë pandemie, sic është mbyllja e kufijve. Po para një jave, për dy ditë rresht, kam ndjek me interes dy webinare në lidhje me ‘vaksinat anti Covid-19’ ( shkurtim jo shumë i saktë, por do e sqaroj në një status tjetër), një webinar nga amerikanët dhe një nga anglezët. Para dy ditësh pashë një lajm në lidhje me suksesin e programit hapësinor Kinez, i cili kishte “ngulur” flamurin Kinez në Hënë. Dje, bëra share një video ku Mr. Cuomo ( ndoshta dhe për inat të Trump) bënte një prezantim të vaksinës Pfizzer…. .Dukej që e kishte studiuar manualin e përdorimit një natë më parë. Para pak kohe, Lancet publikoi të dhënat për vaksinën Ruse, Sputnik V ( gjithmonë më është dukur si emër rakete). Vaksinë në dukje e sigurt, por evidencë duhet më shumë.
Që ti vë kokë muhabetit, po më duket si garë kush të “ngulë” i pari ‘flamurin’ e vet në bythën ( lexo krahun) e njerëzve. Po vecoj tri koncepte: e para, vaksina nuk është mall, por është siguri. Shembullin më të mirë e dha Boris Johnson me kontratën që bëri me pfizzer dhe mundësinë që la hapur për të bërë kontrata edhe me prodhuesit e tjerë. Shumëkush mendoi që në UK do aplikohej vaksina e Oxford. E dyta, përdorimi politik i vaksinës ështe boomerang që mund të të ndërpresë mbështetjen nga publiku. Të paktën Trump shpresonte shumë që vaksina do i jepte një mbështetje, por nuk i mbërriti në kohë. U quajt “vaksina e ditës së zgjedhjeve”. E treta, vaksina ruse ose ‘vaksina nacionaliste’ mund ta quajmë kështu pasi ende pa evidencë, Putin e paraqiti si shpëtim. Në fakt, shkencërisht ende nuk ka të dhëna të mjaftueshme dhe robuste për këtë “raketën” ruse!
Konkludoj: përdorimi politik i vaksinës eshtë si të futësh dorën në kabinën e tensionit të lartë. Vendim marrjet politike gjatë pandemisë, edhe pse për të mirën e bashkësisë se individëve lokalisht, fragmentuan përgjigjen ndaj pandemisë. Quhet pandemi jo vetëm per përhapjen globale, por edhe për përgjigjen që duhet të jetë globale. Fatmirësisht, vaksina është një përgjigje globale, pasi është përgjigja e shkencës ndaj virusit të Covid-19. Pavarësisht flamurit, pavarësisht vëndit ku aplikohen, ne byth apo në krah, rëndësi ka të ketë kaluar fazat e provave klinike, të jenë efektive dhe të ofrojnë siguri. Nuk ka asnjë arsye tjetër në botë përvec efektivitetit dhe sigurisë qe jep një vaksinë, që do ti bënte njerëzit ta pranonin atë ne shkallë të gjerë. Të mos harrojmë në asnjë moment, edhe pse vaksinat në përgjithësi janë një zgjedhje, ato kanë shumë kohë që janë mes nesh, duke shpëtuar më shumë jetë se çdo ‘medikament’ tjetër, bile shumë më shumë se edhe vetë penicilina kur u zbulua.

SHKARKO APP