Lulzim Basha dhe PD pa të rinj!

 

Nga Blendi Fevziu

Lulzim Basha ka dhënë të enjten intervistën më të ashpër që nga koha e ardhjes në krye të opozitës. I çliruar nga pesha e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, nga përgjegjësia e çdo lloj pushteti ekzekutiv dhe mbi të gjitha në mes të një klime të rënduar skandalesh e denoncimesh, ai renditi një seri problemesh, që sipas tij, justifikojnë jo vetëm ikjen e kësaj mazhorance, por edhe mosbindjen civile të qytetarëve ndaj saj!

Mosbindja civile ka qenë kryefjala e shefit të opozitës në një tur intesiv takimesh dhe jo vetëm kaq. Ish-lideri i PD dhe njeriu që shihet si frymëzuesi kryesor i politikave të saj, Sali Berisha, po ashtu ka artikuluar të njëjtën ide dhe ka dhënë argumentat e tij. Të dy bashkë nuk kanë folur për zgjedhje, por për një protestë popullore që do synojë frenimin e këtij pushteti që sipas tyre po krijon probleme madhore për shqiptarët.

Por duket se zëri i trashur dhe tonet e ngritura të Lulzim Bashës nuk janë në harmoni me qëndrimin e një pjese të grupit parlamentar të PD. Sot paradite, në kulm të tensioneve që Basha po artikulon dhe ndërkohë që përpara parlamentit mbaheshin 3 protesta, deputetët të opozitës përshëndesnin ose diskutonin ligjin për shoqërinë civile. Thuajse ishin duke folur në parlamentin e Danimarkës apo Norvegjisë dhe jo të Shqipërisë. Thua se ky është problemi më i madh i Shqiptarëve, edhe pse, Qeveria realisht mund të ketë bërë një ligj vërtet europian. Pra pyetja shtrohet a duhet që opozita të ndjekë qëndrimin dhe filozofinë e Bashës sipas së cilës politika e opozitës duhet të mbështet vetëm tek denoncimi i skandaleve të qeverisë apo duhet të përfshihet në një debat normal për qeverisjen e vendit. Nëse mbështetet tek kjo e dyta, që është e logjikshme, atëherë nuk bëhet më fjalë për mosbindje civile, por thjeshtë për argumentim që PD dhe opozita di ta bëjë më mirë se sa mazhoranca. Dhe kjo mbetet të vërtetohet në zgjedhjet e ardhshme.

Së dyti, përmirësimi i imazhit prej lideri të Bashës, nuk po shoqërohet me imazhe të reja dhe bindëse në PD. Padyshim që PD ka përfshirë në zyrat dhe radhët e saj shumë të rinj, por këtu nuk flitet për staf, por për njerëz që mbajnë peshë në debatin publik dhe artikulojnë ballë për ballë argumentat e opozitës. Njerëz që nuk janë detyrimisht të rinj në moshë, por të rinj në angazhmin e tyre. Më 2005, Rama që nuk kishte qasje të mirë në grupin parlamentar, thirri në ndihmë, Tahirin, Beqen, Shalsin etj me të cilët krijoi një pararojë politike. Pa dyshim që në fillim kjo pararojë nuk ka as eksperiencën dhe as aftësinë e atyre që kanë vite në politike. Edhe të rinjtë e PD mund të jenë dukshëm inferiorë krahasuar me njerëz që kanë kaluar një dekadë si ministra apo një dekadë ne Parlament. Problemi është që këta të rinj, si gjithë të rinjtë, do ta shohin përballjen me PS si një betejë që duhet fituar, si një ndeshje ideologjike. Njerëzit përballë janë kundërshtarët që duhet të sfidojnë dhe duhet ta bëjnë këtë patjetër. Ndërkohë që një pjesë e madhe e atyre që janë në sallë, edhe nga eksperienca, e shohin këtë si një lloj loje, Një lojë ku shorti sot i ka rënë PS e nesër do t’ju bjerë sërish atyre. Ndaj shpesh, debatet dhe toni i ashpër në podium zbehet nga flirtimet në sallë apo batutat në kafen e parlamentit. Në fakt kjo nuk është një lojë, por një betejë. Dhe një betejë e vërtetë nga një betejë fallco dallohet që në krye nga besimi! A besojnë këtë që janë sot ekipi i PD që mund të fitojnë? Vështirë ta thuash këtë! A ka sot PD të rinj që ngjallin besim në publik? Vështirë ta thuash edhe këtë! Ende kuotat më të larta i kanë ata që kanë krijuar dikur PD në vitin 1990 apo ata që e mbajtën mbi supet në vitet e opozitës. Dhe i kanë sepse i kanë investuar në vite. Por midis eksperiencës së tyre dhe fitores ka ende një hapësirë bosh që duhet mbushur me besimin dhe bindjen e të rinjve. Pa të, PD e ka vështirë fitoren. Dhe turi i Bashës do duket gjithnjë e më i distancuar nga partia reale që ai ka në Parlament!/Opinion.al

SHKARKO APP