Lypsaria
“Në një grup statistikor që është përmendur pak vite më parë nga Ilir Çumani, Drejtori i Institutit të Jetimëve, përmendeshin 700.000 deri në 1.000.000 persona që jetonin në një varfëri ekstreme për shkak të krizës e papunësisë dhe se 400 prej tyre trajtoheshin në 9 qendra rezidenciale shtetërore dhe se 360 të tjerë në 16 qendra private (OJF)”…
Nga Ben Andoni
Nëse do të kishte ndonjë statistikë për subjektet dhe individët që merren me lypsarinë, me patjetër do përballeshim me një numër frikshmërisht të lartë.
Dhe, ajo që e bën më shqetësues problemin është se sa më shumë shtohen subjektet që merren me ta, aq më i lartë është numri i lypsave dhe më kompleks fenomeni i tyre, me të cilin përballemi për çdo ditë.
Dhe, për këtë, tek e fundit nuk të nevojiten statistika, sepse mjafton një shikim i lirë nëpër qytete për të kuptuar dhe konkluduar për masën jashtëzakonisht të madhe të tyre që lëviz me një lloj plani të errët në zonat kryesore në qytete.
Pjesa më e madhe e tyre janë nga ana e komunitetit rom, një nga komunitetet më të përbuzura dhe pa të ardhura në vend, por nuk bien më poshtë të ardhurit në kryeqytet, jetimët dhe gjithnjë e më shumë të moshuarit.
Pak muaj më parë është mbyllur dekada rome, një mega iniciativë ndërkombëtare, ku Shqipëria kishte pjesën e vet të detyrimeve.
Kuptohet se nuk ka pasur ndonjë konferencë, ku të shpaloseshin konkluzionet e përfundimit dhe çfarë impakti ka pasur në vendin tonë, por për një gjë jemi të sigurtë: fenomeni i lypsarisë ka marrë një ngritje në një shkallë të papërfytyrueshme.
Kurrë ndonjëherë Tirana, por edhe Durrësi, Elbasani, Shkodra, Fieri, Berati, Korça etj., nuk janë gjendur para fushatave të tilla migratore të komuniteteve më nevojë.
Tema për lypsat dhe fenomeni i lypsarisë ka qenë një temë e shumëpërfolur e tranzicionit shqiptar, por dhe burim i parreshtur fitimi prej shumë aktorëve institucionalë dhe politikëbërjes, si nga ana e qeverisë por edhe atyre joqeveritarë.
Në fakt, shqetësimi nuk është vetëm struktura shoqërore që përbën këtë fenomen, që si gjithnjë janë të miturit nga komuniteti rom, të ardhurit, jetimët dhe të moshuarit e braktisur të moshës së tretë, braktisur dhe shpesh pa ndonjë të ardhur apo pension, invalidët, por struktura e tërë kriminale që po ushqehet pamëshirë me ta.
E për dreq, i kemi përballë, lypin mu në duart e komisioneve të parlamentit, në dyert e institucioneve ndërkombëtare nën ngucjen e gjithë llumit kriminal dhe nuk mundemi ta ndalim këtë fenomen ose të paktën ta zbusim fillimisht në pikëpamje vizive.
Kjo është fatkeqësia më e madhe veç varfërisë skajore të vendit dhe dështimit të shërbimeve sociale.
Në një grup statistikor që është përmendur pak vite më parë nga Ilir Çumani, Drejtori i Institutit të Jetimëve, përmendeshin 700.000 deri në 1.000.000 persona që jetonin në një varfëri ekstreme për shkak të krizës e papunësisë dhe se 400 prej tyre trajtoheshin në 9 qendra rezidenciale shtetërore dhe se 360 të tjerë në 16 qendra private (OJF).
Kurse plot 100.000 persona ishin me aftësi të kufizuara, mes të cilëve, një numër i madh jetimësh gjenden në të njëjtën situatë varfërie e përpjekjesh për mbijetesë, citojmë Çumanin.
Dhe, si ka mundësi, që ne përpiqemi për gjëra të jashtme kaq shumë, për ligje që përafrojnë Shqipërinë me BEnë dhe nuk bëjmë dot ligje apo nuk gjenerojmë dot mundësi për këtë masë lypsish, që është mu në dyer të Institucioneve të vendit por edhe të huaja, që gjoja flasin për ta.
Dhe, më shumë akoma, si është kaq e pamundur që nuk ia presim burimin e pasurimit me punën e tyre, një klani të errët, që na tregon si një nga vendet më të varfra të planetit.
Shumë pyetje teksa lypsat shtohen e shtohen dhe pasurojnë me manierat e tyre të gjetura, llumin më të keq të kriminelëve shqiptarë. Javanews.al