Macron dhe Merkel japin 500 miliardë euro për rikuperimin e Europës nga koronavirusi, Rama shemb monumente kulturore
Nga Mentor HOXHA (Paris)
Mbrëmja e sotme ka qenë kryeqendra e mediave evropiane dhe botërore, pasi dy liderët e dy shteteve më të fuqishme të Europës, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron mbajtën së bashku në ora 17.00 të mbrëmjes një videokonferencë për gazetarët në Paris dhe në Berlin. Për shkak të mbajtjes së distancës sociale, konferenca virtuale u mbajt në rezidencat e tyre përkatëse. Merkel në Berlin dhe Macron në Pallatin Elize. Ata paraqitën një “nismë franko-gjermane” mbi “rimëkëmbjen ekonomike të Evropës”, si dhe premtuan 500 miliardë eurosh për rritjen ekonomike të BE-së, e cila ka rënë shumë nga masat e marra pë t’u mbrojtur nga koronavirusi Covid-19. Kjo iniciativë synon “rimëkëmbjen ekonomike të Evropës”, -tha kancelarja gjermane nga Berlini, dhe do të merret me “shëndetin, shërimin ekonomik, tranzicionin ekologjik e dixhital dhe sovranitetin industrial”, -u shpreh presidenti francez nga pallati Elize. Merkel u shpreh se Franca dhe Gjermania janë të gatshëm për “të bërë një përpjekje kolosale” dhe të dy vendet po propozojnë një plan rigjenerimi prej 500 miliardë eurosh për të ndihmuar vendet më të prekura nga koronavirusi. Sipas saj, kjo niciativë duhet të përqendrohet në “rimëkëmbjen ekonomike të Evropës”. Presidenti francez u shpreh se “kjo Evropë e shëndetit nuk ka ekzistuar kurrë, ajo duhet të bëhet përparësia jonë”. Macron theksoi nevojën e veprimeve të koordinuara në nivelin evropian në fushën e shëndetit, në veçanti duke ndërtuar stoqe maskash dhe teste të zakonshme, si dhe duke krijuar një plan të përbashkët për parandalimin e epidemive. Kreu i shtetit francez, gjithashtu, theksoi nevojën për “një borxh të përbashkët në tregje”. Të gjithë e dinë që asnjë vend nuk do ta bëjë këtë vetëm”, kishte theksuar më parë ai. Franca dhe Gjermania synojnë krijimin e stoqeve të përbashkëta strategjike të produkteve farmaceutike dhe mjekësore.
Konferenca e sotme e Makron dhe Merkel synon të vendosë bazat përpara datës 27 maj kur Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen do të paraqes në Bruksel detajet programit të rimëkëmbjes ekonomike të Europës dhe ku drejtuesit e 27 vendeve të BE-së mund të takohen edhe fizkisht.
Ndërkohë që Franca dhe Gjermania propozojnë një plan rimëkëmbjeje prej 500 miliardë eurosh, Parlamenti Evropian ka njoftuar se dëshiron të mbledh 2.000 miliardë euro për të përballuar recesionin historik për vitin 2020 në zonën e euros (-7.7% sipas parashikimeve të fundit të Komisionit).
Ndërkohë që të gjitha vendet e Europës dhe të mbarë botës po hartojnë plane ekonomike e financiare për të shpëtuar vendet e tyre nga falimentimi dhe për të ndihmuar financiarisht bizneset dhe qytetarët e tyre të mbetur pa punë nga covid-19, kryeministri shqiptar, Edi Rama, po shfrytëzon këtë periudhë të vështirë pandemie për të realizuar ëndrrat e tij ogurzeza, siç ishte akti barbar i djeshëm ku me urdhër të tij u shemb nga fadromat Teatri Kombëtar, një nga godinat më njohura të Shqipërisë me një histori mbi 70-vjeçare. Ky akt barbar që u shoqërua me shumë dhunë, gjak dhe me disa deputetë, aktorë dhe gazetarë të arrestuar dhe të shoqëruar në komistariatet e Tiranës nga huliganët me uniformën e policisë së shtetit shqiptar, dëshmon qartë se kryeministri i Shqipërisë, nuk harton plane për të ndihmuar shtetasit e tij, siç po bëjnë, Macron, Merkel dhe liderë të tjerë evropianë e botërorë, por harton vetëm plane si të vjedhë e të terrorizojë sa më shumë qytetarët e tij të papunë dhe pa asnjë ndihmë financiare nga shteti shqiptar.