Mallkimet

 

Nga Ilir Levonja

I kemi ndër vete. Me shumicë i kemi. Nuk ju ka rastisur. Përditë mallkojmë njëri-tjetrin. Mallkon babai, mallkon nëna. Ose mallkon burri, mallkon gruaja. Vëllai, vëllain. Motra, motrën. Vëllai, motrën. Dhe motra, vëllain. Fqinja, fqinjën. Punëtori shefin. Ose shefen. Nxënësi mësuesen. Mësuesi nxënësin. Nëxënësen etj.  Dhe me që jemi tek shkolla. Më njoftonte një kolegu im, që asistonte në provimet e shtetit. Këto ditë qershori dhe fushate. Ishte përpjekur me dëshirën e mirë të ndihmonte një grup studentësh nate. I thoshte, rrënja katrore e dyshit…, ata të përpiktë. Rrënja  katrore e dyshit, por me fjalë. U thoshte iksi në katror. Ata shkruanin x por brenda një kutie.. Në fund …, sa të pafat që ishin. Mallkonin fatin e mbrapsht që nuk kapën notën maksimale.

Këtë bën njëriu ynë. Mallkon fatin. Mallkon vetveten.

Keni dëgjuar burra që mallkojnë ditën kur lindën? Plot gra, nëna, motra, bija etj…, kur mallkojnë fatin e tyre të zi. Mallkojnë ditë më ditë, veten.

Mallkojmë tokën, bagëtinë, kullotën. Mallkojmë lumin që na përmbyt. Mallkojmë detin që na mbyt. Mallkojmë qiellin që na jep shi. Mallkojmë minierat që na shëmben e na zënë brenda. Mallkojmë vendet fqinje që na përbuzin zjarrin tonë patriotik. Që nuk janë aq patriotë sa ne.

Kemi fjalorin më të pasur të mallkimit. Më fantastikun. Më magjikun. Por edhe më të shëmtuarin. Më përbuzëzin. Jo me tendenca, por i pastër si drita e diellit, diskriminues.

Kemi një begati leksikore që me keqardhje e them, si i ka shpëtuar vemëndjes dhe punës së ndonjë mbledhësi. Ndonjë punëtori të faunës së leksikologjisë sonë.

Kemi mallkim edhe frazeologjik. Si…, të hyptë vetja në qejf. Apo, bylmeze gjeje vet rrugën e çarkut. E të tjera.

Më kujtohet një komedi me një akt nga koha, kur personazhi kryesor mallkonte veten. E quante kaq të pa fat, kaq të mjerë. Sepse nuk dinte asnjë gjuhë të huaj. Kur filani apo fisteku, dinte tre a katër të tilla. Dhe ai mallkonte fatin e mbrapsht. Fatin e keq që kishte lindur ashtu. Njeri pa një gjuhë të huaj.

Nga ana tjetër ne e dimë se mallkimi, në kulturën fetare, është gjynah. Eshtë mëkat. Megjithatë ne nuk e kemi për gjë të mallkojmë. Qofshim myslimanë, qofshim orthodoksë, katolikë apo paganë.

Së fundi i dëgjuam edhe në fushatë. Thua i kishim mangut t'i dëgjonim nga burrat e shtetit?! Njëri nga Konispoli. E tjetri nga Korça. Në një fushatë ku kandidatët bëjnë mirë të sqarojnë derë më derë projektet. Por ata nuk e bëjnë. E bëjnë flamujt që valviten. Ekstaza e brohoritjeve. E bëjnë liderët me mallkimet e tyre.

Mallkuar qofshin të gjithë ata që i japin frymë kësaj politike primitive dhe barbare, që në Shqipëri nuk mund t'i mbijë dhe t'i rritet fara kurrën e kurrës. Edi Rama në Konispol, 14 qershor 2015. Në delir ne. Në delir edhe Shpëtimi i çamëve.

Kur është kështu, me kurrën e kurrës, aga. Pse mallkon? Do e pyeste një gjyshe, Edin. Ndërkohë nuk e kuptoj pse edhe tek-tuk në shtypin shqiptar, sidomos të majtin flasin akoma me nuannca triumfi të tipit propogandë diktature.  Për mbarimin e një kohe me parrulla greke në fushatë.  Fitore e madhe? Aspak, një disfatë. Enver Hoxha u bërtiste grekëve se, na u prish gjiza neve që ju kështu e ashtu. Rezultati, disa vite pas vdekjes së tij, shqiptarët gjizëprishur pushtuan Greqinë. Ndërruan fe, emër. Mbushën arkat e Bankës së zbrazur shqiptare. Ndërtuan shtëpi e pallate. Vila dhe hotele etj.

Atje jetojnë edhe sot. Atje po lindin. Atje po arsimohen etj. Edhe pse Enverit nuk i prishej gjiza.

Kemi një këmbëngulje kaq primitive ndaj minoriteteve, sa bëjmë vetëm zhurmë.

Nuk ia ndërron kufijtë Shqipërisë, ekzistenca e disa fshatrave, apo e disa njerëzve që janë grekë. Që ndihen grekë. Që duan të jetojnë e të flasin si grekët. Ne nuk mund t'i bëjmë shqiptarë me mallkime. As duke u përplasur derën e patriotizmit tonë. As duke u treguar besimin fetar. Jo, asesi!

Lideri tjetër. Lulëzim Basha. I plaçin sytë atyre që nuk e shohin varfërinë. Korçë 15 qershor 2015. E  trishtueshme. Mund të justifikohesh nesër se i adresohesh iksit apo ypsilonit etj. Por si njëri i fjalës, mua më duket se ia adreson popullit. Qoftë ky i majtë apo i djathtë, apo i lëkundur. Ai është batalioni që pret të udhëhiqet nga ty. Ndaj kjo nuk është etike. Eshtë me plot gojën vulgare. Dhe nuk e kuptoj se si po rriten këta liderë ku edhe për shkak të moshës, duhej të reflektonin një kulturë tjetër nga paraardhësit. Megjithatë, një ndalim, pak rikujtim etj…, nga koha si Berisha, si Nano, nuk mbaj mend të mallkonin. Etiketonin, por jo mallkonin. Kurse këta, edhe po etiketojnë, edhe po mallkojnë. I plaçin sytë atyre që nuk e shikojnë varfërinë. Kështu flet një lider bashkëkohor? Që aspiron të çojë vendin e tij në Europë? Asnjëherë.

E thënë thjesht zoti Basha. Që njerëzit nuk e shohin varfërinë për shkak të ambjemtimit me 'të. Si ta shohin?. Lindën të varfër. Po jetojnë të varfër. Po vdesin të varfër. Pse? Sepse jeta e tyre nuk ka se si të përmisohet me britma, as me mallkime. Keqardhje!

 

SHKARKO APP