Manuali klasik: Doing business në Shqipëri
Nga Lorenc Vangjeli/
Të bësh biznes në një vend si Shqipëria duhet të kesh lidhjet e duhura. Me biznesmenë të tjerë? Me juristë? Me gjyqtarë? Me politikanë qëndrorë apo me të zgjedhur lokalë? Me të zotin e tokës ku do të ndërtosh? Me fqinjët e të zotit të tokës ku do të ndërtosh? Me policin që policon në komunitet? Me shefin e tij? Me…
Kjo është një listë shumë e gjatë, por secili nga këta njerëz është një pikë kyçe e suksesit apo dështimit të mundshëm, i cili bëhet plotësisht i tillë, varësisht vullnetit të kryeministrit. Në më shumë se një rast, si rregull dhe jo si përjashtim, kjo është verifikuar gjatë qeverisjes tetë vjeçare të Doktor Berishës. Në një nga mbledhjet dramatike të këshillit të ministrave, që rezultoi vetëm pak kohë më pas tragjike për 26 vetë në Gërdec, familjet e tyre dhe gati e ndau më dysh mandatin e Doktorit me atë mandatë, ka pasur një moment të paharrueshëm. Diskutohej për demontimin e municioneve të ushtrisë dhe për një kompani të huaj, atë që dhe e morri më pas një “detyrë” të tillë. Ish-ministri i financave dhe ish-ministri i drejtësisë, Bode dhe Rusmali, ishin kundër dhe kërkonin respektimin e procedurave. Dhe ministri që e mbronte projektin, zoti Fatmir Mediu thotë në një moment me një lehtësi të papërballueshme fjalinë magjike: “…zoti kryeministër, të gjitha kompanitë e huaja që vijnë ju thuhet ”Po” nga juve, u thuhet ”Po” me vullnet politik. Pastaj nuk bëhet gjë. Të gjithë presin dhe pastaj ikin”. Ditë më pas, në një tjetër mbledhje qeverie, merret vendimi që rezultoi fatal për Gërdecin dhe shumë e shumë fate njerëzorë të lidhur me të. Edhe kompanisë që morri Gërdecin, i ishte thënë PO, natyrisht politikisht nga kryeministri Berisha. Sipas rregullit. Sipas zakonit. Sipas traditës. Sipas mënyrës tribale që funkiononte në Shqipëri edhe si rregull, edhe si zakon, edhe si traditë.
Kjo është vetëm një provë si funksiononte dje. Një provë që del nga sirtaret edhe pse politika e sotme që zotëron tryezën e vendimmarrjes e ka harruar me siguri një gjë të tillë. Po kujtohet tani me rastin e biznesmenit gjeorgjiano-izraelit Amiran Dzanashvili, i cili po trondit politikën shqiptare duke u shndërruar në një heshtë, që godet në sy herë në të majtë dhe herë në të djathtë të politikës.
Berisha e njihte dhe më parë. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. E njihte dhe Rama. Kjo është tradita. Në gjuhë evropiane kjo quhet: “Doing business”.
javanews.al