Maqedonia Veriore e Kim-it dhe Shqipëria e Edi-t
Nga Artan Hoxha –
Më 25 mars, në kulmin e pandemisë Covid-19, u mbajt mbledhja e Këshillit Europian nga ku morëm lajmin e mirë të vendimit të këtij këshilli për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian të vendit tonë krahas Maqedonisë së Veriut.
Lajmi pritej në qershor 2018, por kushtet e vëna nuk ishin plotësuar ndaj na e shtynë për në qershor 2019. Edhe pas një viti, kushtet jo vetëm që nuk ishin plotësuar, por gjendja ishte përkëqesuar ndaj na dhanë një farë shprese për në tetor. Këtë muaj jo vetëm që nuk ishin plotësuar kushtet, por u shtuan kushte të tjera për situatën beterr dhe vendimi u shty përsëri. Ca dhe për fajin tone e hëngri edhe Maqedonia e Veriut, e cila, në fakt, nuk e humbi asnjëherë veriun nga busulla e vet. Me pa të drejtë nuk e ndanë atë tetor nga fati i keq i Shqipërisë.
Në mars 2020, ca për hatër të tërmetit që na shkatërroi në nëntor, ca në kuadër të pandemisë Covid-19, ca për të mos na ndarë nga fati i mirë i Maqedonisë së Veriut, Këshilli Europian, mbasi kishte rrëzuar disa herë me radhë konkluzionet e pamatura të Komisionit Europian, ndoshta ca edhe për të mos rrëzuar konkluzionin e freskët të Komisionit Europian të ngritur rishtazi pas zgjedhjeve europiane, e mori vendimin për hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë, krahas Maqedonisë se Veriut.
Por ndërsa për maqedonasit veriore dhe bashkëatdhetarët tanë atje gjithashtu hapja ishte pa bishta, për ne shqiptarët e Dheut Amë, hapja ishte jo vetëm me bishta të vjetër, por edhe të rinj të shtuar.
Në tabelën bashkëlidhur është dhënë në dy kolona teksti origjinal në anglisht i vendimit përkatës të Këshillit Europian për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Katër paragrafët e parë dhe ai i fundit janë identikë, me natyrë deklamative, referuese dhe procedurale, ndaj nuk ia vlen përkthimi në shqip.
Ne tekstin e vendimit për Shqipërinë janë 3 paragrafe substanciale (4.1; 4.2; 4.3) që mungojnë tërësisht në tekstin e vendimit për Maqedoninë e Veriut. Në këto 3 paragrafe jepen të gjitha kushtet apo detyrat – të vjetrat e pakryera, të rejat e dala rrugës – të gjitha që duhen kryer përpara se të zhvillohet konferenca e parë ndërqeveritare si dhe mënyrën se si rezultatet do të verifikohen e raportohen nga Komisioni Europian për te Këshilli Europian, i cili do të shprehë vlerësimin e vet për arritjet, ndërsa do të miratojë një kuadër negociues përpara se palët të ulen e të negociojnë. Të njohura si 15 kushtet, ato janë thënë e botuar në shqip ndaj nuk ia vlen të përkthehen për këtë shkrim. Vlejnë më shumë në origjinal.
Nga gjithë këto detyra, këto ditë u ra dakord për zgjidhjen e njërës nga 15 çështjet, përmirësimet në kodin zgjedhor – edhe kjo ende në kuadrin e marrëveshjes në parim mes palëve e jo të zbatimit të saj, as të rezultatit të pritshëm – zgjedhje të drejta e të lira.
Nga e thëna në të bërë në mes një det i tërë që zgjerohet. Vitet ikin e kushtet shtohen për Shqipërinë. Standardet europiane lidhur me demokracinë, të drejtat e njeriut dhe shtetin ligjor, janë praktikisht po ato që kanë qenë me kohë e vakt. Nuk kanë ecur standardet me shpejtësi përpara e ne të kemi mbetur pas prej ecjes me shpejtësi më të vogël. Është fare e qartë. Shqipëria ka bërë hapa prapa. Shqipëria është bërë më keq, shumë më keq që nga marrja e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian.
Që kjo ka ndodhur vitet e fundit edhe me ndonjë vend anëtar të ri të Bashkimit Europian, nuk na justifikon, aq më shumë që vetë Bashkimi Europian po merr masa, hap-pas-hapi, ndaj këtyre vendeve regresive. Kur u anëtarësuan nuk ishin në këtë situatë problematike në fakt e kjo tregon se as vetë Bashkimi Europian, as arritja një herë e standardeve nuk janë garanci ndaj përkeqësimit.
Ndaj shkrimtari i madh, Kim Mehmeti, nga këndi i tij tek Syri i Çim Pekës, ndërsa do të donte të gëzohej më shumë për suksesin e Dheut Amë, i mbetet të gjejë pak ngushëllim për dështimin e Shqipërisë së Edi-t tek suksesi i merituar i Maqedonisë së tij të Veriut.
Tabela krahasimore e Vendimit të Këshillit Europian për dy vendet: