Marrëzia, Teatri dhe qëndresa
Aulon Kalaja-
Ishte ora 04:31. Data kish shkuar 17 maj 2020. Një natë e lodhshme mes të shtunës dhe të dielës.
Më herët, gjatë natës, unë dhe disa aktivistë po rrinim bashkë në sheshin e Tetarit Kombëtar. Ishim pozicionuar ulur, bash në derën anësore që të çon tek Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Ishte nata e tretë radhazi që e gdhija tek Teatri Kombëtar bashkë me qëndrestarët. I mbaj mend të gjitha netët. Të parën i mësova çunave lojën “MAFIA”. Të dytën bëmë biseda mbi “Islamin” dhe çfarë bëmë ne për tërmetin. Të tretën po flisnim për “lirinë e medias” dhe si nisi kjo protestë. Kisha tre ditë që shkoja në orën 17:00 në protestë dhe ikja në shtëpi për gjumin e rëndë në orën 07:00. Kisha bërë një pakt me veten, një betim, që nëse ata do të mësynin në Teatrin Kombëtar, unë duhej të isha doemos aty. Gjithmonë merja dhe tre-katër shokë me vete. Ashtu siç kisha bërë edhe netët 23-24 korrik 2019, që e kisha gdhirë tek Teatri, sepse kisha një parandjenjë që ata do të vinin. Më kujtohet se në muajin e vapshëm të vitit të shkuar, në orën 06:00 nuk ishim më shumë se 7 veta fillimisht që e kishim gdhirë gjithë natën, më pas u bëmë me mijëra dhe fituam. E duke pasur parasysh përplasjen e shkuar më vinin në menjde fantazma të së kaluarës dhe gjithmonë në kokë ndërtoja një strategji, se nga do hynin dhe si do të vepronin. E vërteta është se ajo ndërhyrje nuk kishte fare lidhje me këtë të dytën.
Me çunat kishim shkuar deri aty sa thonim herë pas herë “erdhën”. Kur shihnim tre policë bashkë që vinin për të provokuar, kur dëgjonim ndonjë radio, apo kur shihnim se po kalonin fadromat në rrugën pranë Bashkisë Tiranë. Ky absurd herë më kujtonte romanin “Kështjella” dhe një herë tjetër “Rrethimin e Shkodrës”. Ankthi i pritjes ishte më i rëndë se vetë lufta. Kisha arritur deri aty sa thoja me vete që më mirë të vijnë dhe të ndodhë përplasja finale, sepse pritja qe dërrmuese. Fjala “erdhën” më kish krijuar një bezdi të madhe. Herë kthehej në shaka kur çunat talleshin për të parë reagimet dhe herë kthehej në paranojë. Ndërkohë dikush me tha, gati si për të më vënë në gjumë se fadromat po shkonin për të prishur disa objekte të vogla pas 15 katëshit dhe nuk ishin të destinuara për tek sheshi i Teatrit Kombëtar. Kështu kish ndodhur dhe një natë, apo dy net më parë, kur teksa e gdhinim aty, na thonin se kishin parë shumë policë dhe një kamion me element hekuri që do shërbenin për të rrethuar perimetrin e asaj c’ka mbronim ne. Informacionet vinin nga të gjitha anët për ditë me radhë, se do vijnë në këtë orë, apo në atë orë. Ne vazhduam dhe shkrepëm foton e fundit në atë godinë, që do mbetet një kujtim i bukur.
Ora po kalonte dhe vigjilenca ra. Disa u larguan se erdhi ai që quhet “gjumi i vdekjes”. Ne qëndruam aty. Asgjë nuk pipëtinte. Pak media ishin grupuar bashkë. Disa qytetarë ndodheshin tek dera kryesore e Teatrit Kombëtar, disa të tjerë në dhomën anësore, të tjerë tek pemët, disa tek studio e dekorëve, disa brenda në sallë dhe skenë. Po i thoja miqve se me date 8 shkurt 2018, kur kjo rezistencë filloi, më kujtohet mbledhja që bëmë tek “Black Box”, sallë tek Akademia e Arteve. Unë isha i pranishëm aty, pra që ditën e parë megjithëse në të njëjtën kohë organizoja nëpër Shqipëri protestat kundër faljes së detit Greqisë. Isha aty me ftesë të aktorit Neritan Licaj. Pashë shumë nga ata që janë sot “pro”, prishjes së Teatrit Kombëtar, të cilët përbetoheshin se do lidheshin tek dyert e Teatrit, të tjerë bërtisnin si në rol, se do dilnin para fadromave dhe mbi trupat e tyre le të kalonin mjetet e rënda. Por shumë u sistemuan, dikush mori një shtëpi, dikush një projekt, dikush një kredi të butë, dikujt iu premtua vend pune dhe ne mbetëm ato që mbetëm.
Rreth orës 04:25 vendosëm, unë dhe bashke me 4 djem të tjerë që të zhvendoseshim nga vendi që ishim ulur tek sheshi i Tetarit, të futeshim në brendësi të Teatrit Eksperimental, ku mungonte energjia elektrike. Por nga blicët e telefonave vihej re një sistemim dhe pastërti e madhe. Nuk e di pse e morëm këtë vendim, por ndoshta nga afërsia ku po qëndronim gjatë gjithë natës dhe në brendësi të këtij Teatri, nuk ishte askush tjetër përveç nesh. Pjesa më e madhe qëndrestarëve ishin në brendësi të Teatrit tjetër. Pasi u futëm në dhomën e grimit të aktorëve, unë iu thashë që më mirë të qëndronim tek salla, sepse kishte hapsira më të mëdha. Më kujtohet se në dhomë ishin 2 kolltuqë dhe ne ishim 5 veta, ndërsa salla kishte shumë poltrone. Pasi mora një stol tresh ku u ula dhe një tjetër e vendosa përballë për të mbështetur këmbët, filloja të shijoja qetësinë e asaj nate që do të prishej vetëm 3 minuta më vonë. Më dukej sikur po qëndroja mbi re, pasi këmbët dhe pjesën e shpinës nuk i ndjeja nga lodhja. Edhe çunat bënë të njëjtën gjë, sikur u shtrinë. Po i thoja se prandaj kanë zgjedhur ditë të diele për të na sulmuar, sepse për shkak të pandemisë nuk lejohet të dalësh nga shtëpia, i kanë dendur njerëzit me gjoba. Unë për shembull deri atë natë kisha marrë 2 gjoba 100 mijë lekëshe dhe një heqje patente, megjithëse nuk e kam një të tillë. Iu thashë gjithashtu se ndërhyrja do të behët në orët e vdekura, ku ata do e kenë më të lehtë për të na “mbajtur palexho”. Dhe se gjithë kjo do të ishte një ëndërr e keqe nuk do të zgjaste më shumë se 40 sekonda, më pak se tërmeti i 26 nëntorit, të vitit që lamë pas. Dikush më tha se në nuk kemi asgjë për vetëmbrojtje dhe kjo ishte e vërtete. Ne kishim vetëm fjalën.
Befas, nga jashtë u dëgjua një britmë e mbytur. Zë femre, e cila humbi në errësirë. Instinktivisht, pa parë nga dritarja, ndeza dritën e telefonit dhe pashë orën 04:31, datë 17 maj 2020. U hodha direkt nga poltroni i kuq dhe shkova drejt dritares. Arrita të shquaja disa njerëz të veshur me të zeza, të mbuluar me maska. Ata ecnin me hap ushtarak, ndërsa të tjerët pas tyre edhe më shpejt. Ende e kam shijen e hidhur të atyre pamjeve që zor se do largohen nga kujtesa. Gjatë jetës time nuk kisha parë ndonjëherë mësymje të tillë. Iu thashë djemve “erdhën”. Askush nuk më besoi. Të gjithë menduan se po vazhdonte loja e mëparshme, për t’u tallur me reagimet në fytyrat tona. Kanë ardhur policët me maska iu thashë dhe një herë. Kësaj radhe më morën seriozisht. Të gjithë policët ishin të qartë në drejtimin që po merrnin. Po hynin të gjithë në Teatrin Kombëtar, ndërkohë që ne ishim tek Teatri Eksperimental. Menjëherë hapa Facebook dhe doja të bëja këtë postim “Urgjente. Ndërhyjnë brutalisht tek Teatri Kombëtar”, por postimi nuk u bë, sepse ishin kujdesur që të mos kishim internet. Tentova të mar një shok në telefon, por serish dështova, sepse nuk kisha valë. E kuptova situatën, sepse kisha dhe eksperienca të tjera me këta specialistët. M’u kujtua protesta kundër armëve kimike në vitin 2013. Na kish ndodhur e njëjta gjë me valët. Ishte koha për të marrë një vendim se si do të reagonim ne të pestë që ndodheshim brenda Teatrit Eksperimental, ndërkohë që policia kish përparuar duke krehur zonën e pishinës dhe kish hyrë në brendësi të Teatrit Kombëtar. Edhe pse ishim 5, ne u ndamë. Dy nga çunat e gjetën daljen dhe në errësirë, ndërsa dy të tjetër më thërritën “Aulon, ku është dera për të dalë?” Nuk kisha kohë për t’ia treguar. Ata e gjetën vetë daljen. Nuk kishim kohë për plane. Edhe mendimi ishte i mpirë. Unë pashë nga dritarja disa nga policët me automatikë të zinj. Aty m’u ftoh trupi. Ndërkohë në Teatrin Eksperimental nuk kishte ardhur asnjë polic. Me sa duket informacionet i kishin të sakta, prandaj sulmuan më shumë në Teatrin Kombëtar. Edhe unë që isha ende aty, mbeta krejt rastësisht. Mendova se ndoshta do të ishte më mirë që të dilja nga ana një dritare e Teatrit Eksperimental që të nxirrte direkt e në pedonale. Aty ku ndodhet “Bar Aleanca”. Duke bërë llogari të thjeshtë me mendjen time, gjykova se policia e kish rrethuar nga të gjashtë anët zonën dhe nëse do të përballesha aty me policinë, do dilja me kosto të mëdha, sepse nga ajo anë nuk kishte asnjë kamerë dhe asnjë dëshmitar dhe unë mund të isha bërë objekt dhune nga policët e armatosur gjer në dhëmbë. Më kishin mbetur vetëm dy opsione. Ose të qëndroja brenda Teatrit, ose të dilja dhe unë tek sheshi i Teatrit, që tanimë ishte pushtuar vetëm nga ngjyrat e maskave. Nëse do të qëndroja brenda në Teatër dhe valët e telefonit nuk punonin, do t’a kisha shumë të vështirë për të mbijetuar, të paktën se si ndodhën ngjarjet më vonë. Por nuk e kisha kapacitetin dhe informacionin për t’a bërë këtë analizë. Në pamje të parë mendova që vetëm nëse qetësohej situata, mund të kisha kërkuar negociata, varet se si do të shkonin. Gjasat ishin që të dilja i humbur. Duke qenë se kisha mbetur krejt i vetëm dhe i fundit që do dilte nga Teatri Eksperimental, nuk dija se si do të veproja. Vendosa të dal nga ana e sheshit të Teatrit, aty ku kishim zhvilluar protestën tonë 819 ditore.
Kur dola jashtë dhe i pashë policët jo më nga xhami por drejtpërdrejtë me armë në dorë, disa me automatikë të vegjël dhe disa me automatikë të rinj, ngjyrë e zezë, armatim modern. Arrita të shquaja dhe dhunën mbi një djalë nga tre policë me maska, që e ndiqte e motra, ndërkohë që ai i thonte, “amanet telefonin”. Pashë dhe shkuljen e flokëve të një vajze dhe shoqërimin e saj. Fadromat nuk i pashë gjëkundi. Ende në kokë kisha mendimin se policia në radhë të parë do të mundohej të vinte një lloj kontrolli mbi sheshin dhe teatrot dhe në një kohë të dytë, me qetësi do të vinin fadromat, ndoshta pas disa ditësh. Më rezultoi gabim. Gjatë natës kisha menduar se, në rast se do i thonim fadromistit të godiste Bashkinë e Tiranës, duke e gënjyer se ajo është një nga godinat e Teatrit, do t’a bënte sepse isha i sigurte që fadromisti, nuk e dinte se cili ishte Teatri dhe nuk ka ditur se ç’ka bërë, ashtu si pilotët që hodhën bombën atomike. Nga 5 veta që ishim brenda, kishim mbetur vetëm 3 anash Teatrit Eksperimental. 2 prej nesh i morën 2 e nga 2 policë. Më vonë mora vesh se njëri nga djemtë do tw kalonte 8 orë në Komisariatin e Policisë së Kamzës dhe tjetri tek dyshi. Njëri nuk bëri rezistence, ndërsa tjetri iu tha policëve që ishte gazetar dhe i tregoi dokumentin. Nuk donin t’ia dinin. Filluan të shanin me “rob shtëpia dhe na thonin plehra, maskarenj, pisa, mos t’ju shohim këtu, përjashta, shtypini, urgjent”. Duke ecur shpejt me gazetarin që e mbanin të lidhur me duar, një herë e lëshuan, pastaj e mori një grup tjetër policësh dhe e çuan në fugon. Teksa morën 2 prej nesh, unë instinktivisht mendova t’a dokumentoja ngjarjen, sëmundje perofesionale. Nxorra telefonin. Cunat dhe policët më panë. Një nga të maskuarit m’a kapi dorën dhe m’a përthye, më tha, “fike telefonin”. E filmova një shoqërim, por pa kokë, sepse më shtynë. Teksa erdhën tre policë të tjerë për të më marë, ose ndoshta kështu m’u duk, ata më shmangën dhe kapën dikë pas meje, që kishte veshur një bluze të kuqe me zinxhir. Vazhdova të eci, ndërkohë që shikoja nga Teatri Kombëtar që vazhdonin dhunën dhe britmat e vajzave. Erdhi dhe një tjetër treshe policësh, që ishin të painteresuar për të më marrë, por edhe ata na shanë. Ishin pa numra identifikues. Kjo më bëri përshtypje. Ata më shtynë tek dhoma e vogël e rojës private dhe ndjeva një dhimbje të thellë në dorën e djathtë. Sërish nuk më morën, sepse ata po nxitonin për të hyrë në brëndësi të skenës të Teatrit Kombëtar. Ecëm edhe pak dhe u ndesha me sy të aktivistëve që shpërthenin në lot. Nëse do t’a përshkruaja me një fjalë do të ishte terror. Disa ishin të paarrestuar, por ishin solidarë me dhimbjen që po përjetonin kolegët tanë. Nuk dinim ç’të bënim. Ne thjesht nuk na kishte kapur lapsi, por kjo ishte një asgjë. Ishin si ato sekondat që nuk do më hiqen kurrë nga mëndja, të tërmetit të 26 nëntorit. Apo më keq akoma, me trupat e pajetë që shikoja në rrënojat e pallateve të Thumanës, meqenëse isha ndër të parët që mbërrita në vendngjarje at’here. Megjithëse do të doja forcën e madhe për të ndryshuar diçka, ajo që shikonim me sy hapur, na kthente me këmbë në tokë.
Fadromat kishin mbirë nga dheu. Nuk ishin fantazma. Nuk e di nga cila anë kishin ardhur. Aty u kthjellova që nuk kishim të bënim thjesht me pushtimin e një fortese, por do të shkonte dhe më thellë. Sa këmbëngulëse qenka e keqja! Në mënyrë tinëzare do të sulmonin pa paralajmërim. Në befasi. Në momentin e fundit që na shtynë për të dalë jashtë rrethimit në cepin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kur e kuptova që do të bënin shembjen, bërtita tek një grua police, “kujdes ka njerëz brenda”. Nuk ma varën, nuk më panë, a thua se nuk isha një frymor. U ndjeva i terrorizuar dhe i injoruar. Nuk donin t’ia dinin. Thjesht vazhdonin bataret e ofendimeve mbi ne, që nuk na kishin futur nëpër furgona. Dhe dhuna për ata që do të plaseshin pak minuta më vonë nëpër komisariate. Aty pashë mjete të mbushur plotë me aktivistë. Ndërkohë të tjerë po shoqëroheshin, por nuk kishte më vende nëpër furgona dhe makina. Policët njoftonin për mjete të tjera, sepse s’kishin kapacitete për të kryer arrestime. As që diskutohej, fjala bie, për distancim fizik, apo për masa kundër “korona-virus”. Ishte luks t’a mendoje këtë. Pas pak dalin dhe aktorët që po mbaheshin dhunshëm, ndër duar policësh. Dhe pas pak, u ndje një goditje e thatë. Mendova. E shembën! Policët na larguan përtej perimetrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Isha shumë i shqetësuar, sepse mendoja se ende kishte njerëz në Tetarin Kombëtar, sepse nga Teatri Eksperimental, dola vetë i fundit. Ç’ne gjithë ky nxitim? Pse kjo marrëzi. Pyeta dikë nëse kishte ende njerëz në Teatër dhe bërtitëm. Më pas morëm vesh se një pjesë e artistëve dhe aktivistëve kishin qenë ende në Teatër kur goditja e parë e fadromës kish ndodhur. Madje kishin qenë pas murit, në një dhomë ku kishte ndodhur goditja fatale, që rrënoi historinë dhe identitetin tonë, rrënoi Teatrin Kombëtar. E vërteta është se policia nuk bëri paralajmërime, por veproi në pabesi, sikur ne ishim një bandë, ose më keq akoma, një grup terrorist. Askush nga grupi operacional nuk bëri thirrje me foni, as me megafon, siç ndodh rëndom nëpër shpërndarje protestash. Ky fakt me kalli datën, pasi mendoja për veten time edhe një herë. Nëse do të kisha marrë vendimin që të qëndroja në Teatrin Eksperimental vetëm dhe askush të mos e dinte që jam aty. Valë në telefon nuk do kisha, as internet. Nëse do të qëndroja në brendësi të Teatrit Eksperimental dhe do të prisja për të vënë një komunikim me pushtuesit, nuk do të më dëgjontë askush, sepse të gjithë policët ishin përqendruar tek Teatri Kombëtar dhe unë do të isha peng i askujt. E jo më të mendoje se do të dëgjonte fadromisti, që nuk ia kishte idenë se ku binte Teatri. U goditën pra njëkohësisht edhe pjesa ballore e Teatrit Kombëtar dhe pjesa ballore e Teatrit Eksperimental, pa paralajmërim, pa thirrje në megafon dhe pa foni, që do kishte rezultuar për pak në krim fatal për jetën. E them me përgjegjësi të madhe që askush nga policët nuk bëri kontrolle paraprake në Teatrin Eksperimental, e lerë më fadromistët. Madje edhe kur disa nga ne i thamë se kishte ende njerëz në Teatër, duke e ditur se disa prej nesh do të ngujoheshin, duke e mbrojtur fizikisht Teatrin, atyre nuk iu plasi. Na përçmuan. Goditjet ndaj Teatrit ishin të shpejta dhe të njëpasnjëshme, sikur e kishin me nxitim. Sikur as ata vetë nuk e besonin këtë fitore dhe vazhduan me turravrapin, për t’a bërë fakt të kryer që rezistenca të binte dhe të na shpërndanin si dele. Kam ndjerë therjet e zemrës të çdo aktori, sa herë fadroma godiste. Kam ndjerë lotët e aktivistëve, sa herë vinin zhurma nga Teatri. Kam ndjerë mallkimet e pensionistëve mbi pushtuesit dhe dirigjentët e tyre, nga komandantët si vrasës gjakftohtë, dhe shefat që kur ndjenë se Teatrit i doli tymi, fërkuan duart, teksa e ndiqnin operacionin nga shtëpitë e tyre. Aq perversë ishin në këtë krim, sa që edhe videon finale e prodhuan vetë nga zyrat e errëta të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që shërbenin si dhoma spiunazhi ndaj nesh, gjate protestës. Ndërkohë kur dola nga mpirja e thellë, kam ndjerë dridhjet e trupit tim nga gjaknxehtësia. Atë natë do t’a mbaj mend se si 1500 forca policie luftuan të armatosur gjer në dhëmbë me automatikë dhe pistoleta prej vërteti me një grup më pak se 100 veta. Policë të armatosur dhe me maska që luftuan me aktorët që nuk ishin të pajisur as me shpatat prej druri të roleve të tyre. Policët pa maska, por me shkopa gome që luftuan me aktivistët me duar në telefon. Kjo ishte një luftë e pabarabartë, sepse RENEA duhet të luftojë me njerëz të armatosur, jo me njerëz të lirë që armën më të fuqishme kanë fjalën. Por edhe kështu na kishin frikë.
Me sa duket shteti Shqiptar në shekullin XXI është shndërruar në një armatë dhe fadromë e vërtetë kundër atyre që janë të dobët sa vetvetja dhe kundër atyre që janë kundër marrëzisë. Terrori policor i agimit të trishtë të shembjes së teatrit i ngjan kulmit të marrëzisë. Makthi i këtij shteti është qëndresa qytetare dhe qoftë edhe një “jo” e vetme dhe/apo e përbashkuar që i kundërvihet dëshirave personale apo iluzioneve lajthitëse të një personi egoja e të cilit nuk arrin së ngopuri për t’u imponuar si lider. Çdo kulm degradimi e ka edhe rrënimin si akt të mbrëmë.
Lajmi i shembjes së Teatrit me dhunë dhe terror policor ishte zgjimi i trishtuar i kujtdo qytetari të arsyeshëm në mëngjesin e 17 majit 2020. Megjithëse ishte e mundur prej pakufirit të marrëzisë dhe idiotsisë, sërish kam pasur besim të plotë se Teatri nuk do të prishet. Ndaj mendoj se ky akt është kulmi i degradimit të këtij pushteti, jo se u shemb Teatri, por se u shemb me terror policor, me armë dhe me fadroma një rezistencë qytetare e arsyeshme dhe më seriozja që ky pushtet ka pasur pas vitit 2013.
Ky akt ka fituesit dhe humbësit e mëdhenj, ato të atëçastshmet dhe ato të nesërmet. Fituesi i atëçastshëm është pronari i sotshëm i armëve, policëve dhe fadromave shqiptare, që pa në të gjallë të tij të realizohet një fiksim shkatërrues, së paku njëzet e dy vjeçar, kundër të gjithëve që ndër vite i kanë venë arsyeshëm kufij marrëzisë. Nga ana tjetër aksioni i armëve dhe i fadromave shënoi humbjen e qytetarëve që rezistuan arsyeshëm për 27 muaj, duke rrëzuar dhe shembur gjithçka brenda pak minutave. Megjithatë është e qartë që mënyra e përfundimit të kësaj përballje është e rreme. Ai që në terrin e agimit pabesisht fitoi përkohësisht kundrejt qytetarisë, nesër me siguri do të humbë përfundimisht ndaj saj, sikurse ndër shekuj historia i ka treguar vendin e merituar arbitraritetit. Qoftë Teatri një mësim i mirë qytetar për këdo që i kënaqet iluzionit!