Masakrat dhe dora e njëjtë e vrasësve
Nga: Redjon Shtylla
34 mijë vepra penale dhe 62 viktima nga vrasjet në 2021. Shqipëria ia kalon rajonit, dhe shifrat nuk i zvogëlojmë dot, dhe as nuk i shkruajmë me krenari. Ditët e fundit vendi ka përjetuar ngjarje thellësisht të rënda, masakra kriminale që vënë për të disatën herë kujën se ku po shkon ky vend? Vrasjet mafioze kanë shtuar në masë edhe vrasësit me pagesë. Po kush i stërvit këta njerëz, kush janë këta? Si i sigurojnë arsenalet me municione dhe armatim të rëndë, dhe më kryesorja si janë të pa gabueshëm në punën e tyre?
Për ekzekutimin e Brilant Martinaj, Diklen Vataj dhe Besmir Hoxhaj, në masakrën e së dielës në mbikalimin e Fushë-Krujës, vrasësit dyshohet se kishin vendosur lëndë djegëse në makinën e tyre. Kjo është një teknikë ushtarake që përdoret në ushtri.
Prej vitesh është përfolur në media, por edhe në rrethin e gjerë të politikës, se vrasësit me pagesë mund të vijnë nga radhët e ish-ushtarakëve që kanë kryer misione në vende ku ende ka luftë. Batalioni i Operacioneve Speciale (BOS) dhe Batalioni Komando i Forcave të Armatosura janë repartet elitë të ushtrisë. Atje efektivët trajnohën ndër vite me metodat më speciale luftarake të asgjësimit të “armikut”.
Të stërvitur “për të vrarë”, efektivët njohin si “profesion” veç neutralizimin dhe asgjesimit me gjaktftohtësi. Prej vitesh është folur për mungesë të punësimit alternativ dhe të një trajtimi psikologjik, pasi me kalimin e kohës, ata nga “paqeruajtës” kthehen në rrezik potencial për sigurinë.
Shumë prej krimeve që janë regjistruar në vend, kanë ardhur nga ushtarakët që kanë marrë pjesë në misione të rrezikshme jashtë vendit, si në Irak apo Afganistan. Rastet janë të shumta, por mund të rikujtojnë ngjarjen më të bujshme. Më 2017 Alban Voda i preu kokën me thikë 66-vjeçarin Nesim Hoxha. Ky veprim u konsiderua i ndërmarrë në kushtet e depresionit, pasi ish-komandoja i Afganistanit, ishte nën efektin e lëndëve psikotrope. 30-vjeçari dëshmoi në polici se e vrau Hoxhën pasi ai kishte tentuar ta mbyste me një kokërr ulliri.
Po ashtu një tjetër pikë e fortë është edhe përfshirja e ish-ushtarakëve në grupet terroriste në Siri, si edhe kërcënimet për sulme terroriste në vend. Ekzekutimet e fundit tregojnë se vrasësit nuk janë amatorë, por të ftohtë në lëvizjet e tyte, të mirë stërvitur dhe nuk lënë gjurmë. Është thënë e stërthënë, që qeveria duhet të kthejë sytë tek ish-komandot dhe ish-ushtarakët që nga “heronj” kthehen në “vrasës”.