Maska, kult apo tabu?

Nga Kristaq BALLI (Ing. Kimist)

Jemi futur në epokën e maskave. Ato kanë zaptuar globalisht thuajse gjithë njerëzimin si “armë” mbrojtjeje për përballimin e një një ushtrie të padukshme e të sofistikuar pandemike krijesash njëqelizore, që ka pushtuar në mënyrë të padukshme, të paprekshme, por të ndjeshme gjithë botën. Hëpërhë ato janë në një sulm frontal, janë në avantazh jo vetëm për dëmet e mëdha që kanë shkaktuar në shëndetin e njerëzve, humbjet e jetëve, izolimin, kolapsin, dëmet e mëdha materiale e financiare në të gjithë globin, por edhe në kanosjen e një sulmi tjetër më agresiv e më fatal.
Për këto arsye, përballë kësaj situate të vështirë e të rrezikshme shëndetsore, kombi i Botës ndjehet më realist, më i ndërgjegjësuar dhe më bashkëveprues për t’iu kundërpërgjigjur kësaj situate me vigjilencën shëndetsore nëpërmjet institucioneve gjurmuese, kontrolluese, zbuluese, analizuese, hospitalizuese, protokolleve mjekuese, shkëmbimit të përvojave të ndryshme shkencore, zbulimit të ilaçeve të reja, apo vaksinave, por edhe të metodave parandaluese më të theshta, përdorimit e zbatimit të disa paisjeve, rregullave e masave higjienike për të minimizuar sa të jetë e mundur mundësinë e marrjes apo transmetimit të gripit Covid 19 e për të fituar përfundimisht ndaj tij.
E, një nga këto mjete të thjeshta, por pozitivisht influencuese në parandalimin e shkëmbimit tek njeri-tjetri të këtij virusi, si edhe të çdo gripi, apo sëmundjeje tjetër ngjitëse respiratore, është edhe maska. Veçanërisht në mjediset e mbyllura. Sigurisht, qoftë edhe sikur 1%, në infektimin zinxhir, apo siç quhet “me progresion gjeometrik”, vlera e saj pozitive, në se ne i përshtatemi, rritet edhe ajo me po këtë progresion, pra ajo mund ta reduktojë transmetimin me po atë vlerë. Dhe këto ditë, nëpër sheshe e rrugë, tregje e institucione, brenda dhe jashtë, të ndërgjegjshëm, apo të detyruar, të bindur me logjikën, apo dyshues me inefiçiencën dhe torturën fizike e psikologjike që shkakton mbajtja me detyrim për një kohë të gjatë, shohim që përveç pak njerëzve, pothuajse të gjithë e kanë vendosur atë, edhe në respekt ndaj Vendimit kontravers të KM mbi mbajtjen e detyrueshme të saj edhe në ambjentet e jashtme pavarësisht respektimit të distancës fizike. Por pjesa më e madhe e mbajnë atë vetëm nën hundë, gjë që tregon bezdinë që të shkakton ajo në frymëmarrje. Sidoqoftë, në mënyrë të veçantë Tirana është qyteti, ku edhe pa grip, maska mund të mbahet edhe për shkak të ndotjes shumë të lartë të ajrit me pluhura dhe gaze toksikë të emetuar nga intensiteti dhe cilësia e mjeteve të komunikacionit, ekonomisë dhe industrisë së paricikluar, llojit dhe cilësisë së lëndës djegëse, etj, kështu që askush nuk duhet paragjykuar nëse e vendos apo jo atë. Ndoshta kjo pandemi do të ndryshojë përgjithmonë kuptimin dhe sjelljen e botës humane ndaj rreziqeve që vijnë nga ajri i pasigurt që presojmë në organet tona.
Por, ajo që më la përshtypje dhe më nxiti të hedh këto radhë ndoshta u bë një konstatim i imi mbi larushinë e pafund të ngjyrave, të modeleve (deri në kombinime të paimagjinueshme dhe modë), të materialit (cohës), madje edhe të aksesorëve të ndryshëm zbukurues, që në aspektin estetik mu duk një pamje jouniforme, e veçantë, një mozaik i vërtetë. Por, pas pak, këtë mbresë ma troshiti një tjetër vegim, një mëdyshje profesionale (formimi akademik dhe profesional i im: kimi): çfarë përfaqësojnë fizikisht e kimikisht materialet (cohat, pëlhurat, stofrat, bezet) me të cilat janë prodhuar ato maska, ku janë prodhuar, ku shiten, çfarë garancie e sigurie shëndetsore përfshijnë? Në fakt, ky është edhe dyshimi kryesor i kundërshtive të mia për maskat. Si përforcim të kësaj mëdyshje u bë edhe një pohim i kryeministrit po atë ditë në një emision, se ai i qepte maskat vetë, madje iu sugjeronte edhe njerëzve që edhe ata të kishin mjaftueshëm një apo dy maska të bëra vetë me “një beze” dhe t’i përdornin në mënyrë alternuese, sigurisht duke i larë dhe hekurosur. Si rastësi m’u kujtua një pamje e freskët nga parlamenti i ditëve të fundit ku disa deputete i kishin kombinuar fustanet dhe maskat me të njëjtën cohë, por, për ironi edhe koha e komunizmit, kur burrat kishin vetëm nga një këmishë sintetike (nailon apo polyester të Trikotazhit në Korçë) për të cilat në mënyrë stigmatizuese thuheshe: laj, thaj, vish; laj, thaj, vish…!
Problemi i neglizhimit për vlerësimin e llojit të maskës, materialit, dizenjimit, teknologjisë së prodhimit, aksesorëve të saj të brendshëm e të jashtëm, ngjyrës, elementëve sigurues, garancisë shëndetsore, afateve të përdorimit, skadencës, etj. përbën gabimin dhe efektin më të madh negativ shëndetsor që unë konstatoj në mbajtjen e maskave artizanale, që ka të bëjë, gjithashtu me manipulimin e opinionit publik, sidomos grupeve e moshave më vulnerable, më të varfër e të rrezikuar potencialisht nga infektimi, por jo vetëm kaq.
1.Lloji i materialit (bezes) të maskës zë pozicinin primar në prodhimin e efektshmërinë e saj sanitare. Nuk mund të përdoren psh maska prej beze me përbërje mëndafshi (e leshi), pasi ato jo vetëm se krijojnë efekte irritimi gjatë mbajtjes, por kryesisht sepse gjatë prodhimit industrial të stofrave prej mëndafshi e leshi, si dhe në procesin e ambalazhimit e konservimit të tyre para daljes në treg, përveç ngjyrave sintetike, ato trajrohen me disa substanca kimike helmuese parandaluese (por edhe bukur dëmtuese për njerëzit) kundër disa insekteve (Tinolea Bisslliella) që i atakojnë ato materiale (mëndafshin e leshin) por edhe që mund të dëmtojnë potencialisht organet e rrugët e frymëmarrjes.
2. Dendësia dhe mënyra (konfiguracioni) i thurjes së fibrave që mundësojnë krijimin e hapësirave mikronomike të maskës janë domosdoshmërisht parametra të patolerueshme në zgjedhjen e bezes për prodhimin e llojeve të ndryshme të maskave sanitare. Nga dimensioni i këtyre hapësirave (poreve) në bezet e paidentifikuara mund të shfaqet edhe mundësia e penetrimit të mikroorganizmave (pra e viruseve,apo bakterieve), apo lagështirës nëpërmjet tyre, ose, në të kundërt, vështirësia në frymëmarrje kur këto pore janë të dimensioneve më të vogla se ato që nevojiten. Nuk dihet, apo nuk jemi të sigurt nëse bezet artizanale, apo industriale i plotësojnë, apo jo këta tregues prioritarë…

3. E zemë se nga padituria, ose pamundësia i kemi shpërfillur këto veti substanciale dhe kemi prodhuar vetë një, apo disa maska “grarishte” në shtëpi, ose i kemi blerë në një rrobaqepsi, dyqan, apo tezgë në rrugë (vetëm në farmaci, jo) për të gjithë pjesëtarët e familjes dhe fillojmë t’i përdorim. Gjatë mbajtjes së tyre “veshur”, krahas veprimit të jashtëm mbrojtës, apo parandalues, nga ana e brendshme organizmi fillon të ushtrojë një kundërveprim fiziologjik, një reaksion të dëmshëm. Rugët dhe organet respiratore, do të zbrazin jashtëqitjet e tyre në formë avulli, gazrash, aerosolesh si azotin (që përbën rreth 80% të ajrit që thithim), oksidet e azotit dhe acidet respektive, oksidin e karbonit, gazin karbonik, madje dhe acidin karbonik, që formohen nga djegja e karbohidrateve, yndyrnave e ushqimeve të tjera, acidet sulfhidrike, apo sulfurore, avujt e tepërt të mbajtjes të temperaturës normale të organeve, sekrecione të mushkërive dhe aromave të pakëndshme të tyre, pjesëza të vogla inorganike, (pa lënëmënjanë këtu nikotinën e produktet e saj që një pjesë e mirë e shqiptarëve e kanë të depozituar në trup nga duhani i konsumuar) etj. që, shumica apo pjesërisht do të depozitohen në pjesën e brendshme të maskës si edhe në organet e jashtme të frymëmarrjes – goja dhe buzët, madje dhe faqet. Mbajtja për një kohë relativisht të gjatë e maskës (artizanale) do të krijonte premisat për irritimin e mukozave të hundës, të sipërfaqeve të ndjeshme të buzëve, faqeve krijimin e akneve apo inflamacioneve të ndryshme…, gjithsej 9 veprime të dëmshme anësore . Sepse maska artizanale nuk krijon në vetvete një qarkullim të domosdoshëm natyral. Dita, apo koha në hapësirë të hapur do të kalojë kështu me vështirësi fizike të jashtme e të brendshme, por edhe me një ngarkesë e bezdi mentale që do të rëndohet ora-orës, aq sa ju, edhe po të doni ta mbani atë maskë, dikur, nuk do të mundni dot, do të bëheni nervoz me veten; kjo ndjesi angushtie do t’ju detyrojë që ta hiqni atë me një lloj neverie. Dhe kështu do t’ju pëlqejë të qëndroni ca kohë sikur keni fituar çlirimin e mushkërive, edhe pse pranë jush ecin të tjerë njerëz me maska nga më të ndryshme origjinale e “autentike”, apo, ndoca edhe fare pa to. Koha kalon dhe ju qetësoheni disi, por s’e keni vënë re se para jush, papritur është shfaqur hija e policit, i cili në zbatim të detyrës së tij shtetërore të kërkon IC dhe të mbush formularin e gjobës për shkeljen që ke kryer ndaj ligjit të shtetit. Fatura e energjisë do të rëndohet ca (sidomos po të jeni pensionist), por nëse kjo ngjarje ndodh sërish, financiarisht është e papërballueshme për çdo qytetar. Këtu kemi të bëjmë me një precedent, me një keqveprim të rëndë shtetëror. Edhe pse ai nuk ju ndihmon për t’ju lehtësuar financiarisht që të pajiseni sado pak me maska të përshtatshme, ai ju dënon e ridënon dhe, akoma më keq, këto të vjela nuk i riciklon për të ndihmuar qytetarët e saj (ndoshta ata më të ekspozuarit ndaj pandemisë) që t’i pajisë falas me maska të përshtatshme. Atëhere veç taksave e detyrimeve tona, a s’kemi të drejtë të kërkojmë destinacinin e domosdoshëm të gjobave tona!? Të gjobave për vështirësinë fizike të mbajtjes së maskave primitive, mesjetare, por edhe të gjobave në veprimtari të tjera të shumta të jetës së përditshme?

4. Me këtë gjendje të pakëndshme morale kthehemi në shtëpi për t’iu përveshur një procesi që do të bëhet rutinë çdo mbrëmje: larja e maskës. Edhe ky një proces i dyshimtë, i pasigurt, pse jo edhe i dëmshëm. Sapunët, detergjentët pluhur, të lëngshëm, kapsulat, sado të perfeksionuara teknologjikisht, që në përbërje të tyre kanë kryesisht hidroksidin, apo karbonatin e natriumit në kombinim me yndyrna, si dhe ingredientë të tjerë inorganikë si zbutësa, aroma, etj., gjithsesi nuk janë të dëshirueshëm për të qënë në kontakt me mukoza e organe shumë të ndjeshme ndaj alergjive që ato mund të shkaktojnë, edhe për arsyen se ato nuk mund të shplahen 100% nga uji, kur dihet që edhe ky i fundit, sidomos në Tiranë, por edhe në qytete të tjera nuk është edhe aq i pastër mekanikisht e kimikisht, madje i shtohet herë më pak e herë më shumë edhe një dezinfektues me bazë klori (hipoklorit natriumi), pra procesi i larjes e i shplarjes nuk garanton nga pikpamja sanitare riciklimin e një maske të pastër kimikisht, sikundër mund të konsiderohet për ndërresat apo veshjet e tjera të jashtme. Edhe procesi i “hekurosjes”, që duket se, veç të tjerash, ka një veprim sterilizues nëpërmjet temperatures së tij të lartë, nën një këndvështrim invers mund të konsiderohet si një proces që duke u përsëritur shumë herë fillon të djegë, deformojë dhe shpërbëjë strukturën e fibrave të maskës e si rezultat të zvogëlojë efektin e kapacitetin e saj të shkëmbimit e filtrimit.

5.Pra, për të qenë objektivë dhe koherentë për njohuritë dhe informacionet që marrim, apo gjurmojmë vazhdimisht, mund të themi me siguri se të vetmet maska që garantojnë në masën më të konsiderueshme efektin e një parandalimi të transmetimit apo marrjes së mundshme gripit, apo sëmundjeve të tjera ngjitëse të traktit të frymëmarrjes, janë maskat e vërteta mjekësore N95, si produkte origjinale e autentike të projektuara, të prodhuara, të qarkullueshme e të tregtueshme vetëm në institucione shëndetësore, aty ku ato zotërojnë treguesit e garantuar të efektshmërisë (deri në 95%), cilësisë, skadencës, etj. Më të zakonshmet e tyre, N95, ashtu si edhe tipet e tjera më të komplikuara me valvola speciale (FFP) prodhohen në kompani, linja teknologjike të destinuara, apo përshtatura për këto prodhime që varen ose monitorohen nga institucionet shëndetësore ndërkombëtare nën ombrellën e OBSH. Vetëm me një shikim e prekje mund të konstatojmë se ato janë të prodhuara nga materiale të kombinuara filtruese speciale, të pangjashme me cohat apo stofrat industriale, janë të paktën me dy ose më shumë shtresa që kanë aftësi të larta filtrimi, kanë pore përshkuese jo më të mëdha se 0.3 mikron, janë hidrofobike, antimikrobiale, kanë disa aksesorë të padukshëm që ndihmojnë për t’i dhënë asaj format e pjesëve gojore e hundore të çdo fytyre janë shumë të lehta, më komode, më praktike e mbi të gjitha i janë nënështruar paraprakisht një procesi dezinfektimi,apo sterilizimi mjekësor, pas të cilit janë ambalazhuar e mbyllur në vakum, për t’u ruajtur në standarte të larta sanitare, madje kanë edhe afatin e skadencës (ndoshta ju kujtohet diskutimi i paradokohshëm rreth afatit të skadencës së disa dhjetra mijra maskave të depozituara në magazinat farmaceutike, apo spitalore në Tiranë). Por…, por edhe këto maska, kur mbahen për disa orë, funksionojnë normalisht maksimumi vetëm për një ditë, apo cikël përdorimi. Paskëtaj ato hidhen, asgjesohen, nuk mund të përdoren më. Çdo manipulim si me maskat artizanale do të ulte kapacitetin, cilësinë, sigurinë e vlefshmërinë e tyre.

Siç shihet, në se ne pretendojmë për një proces me një cikël të mbyllur, profesionalisht e shkencërsht sanitar, problemi i përdorimit të maskave relativizohet kështu, jo nga pikpamja e domosdoshmërisë dhe efektit të tyre pozitiv, por nga pikpamja ekonomike, financiare, e cila në këtë rast do të rëndonte tejet tek qytetarët më të varfër në Europë. Këtu implikohet sërish shteti dhe institucionet shëndetsore shqiptare për të qënë të hapur, të sinqertë, transparentë, për të thënë të vërtetën, një të vërtetë që ka një kosto financiare, por që fsheh tinëzisht edhe një kosto shumë më të madhe publike, detyrimet që ka ai ndaj shëndetit publik, pikërisht në këto kohë të rrezikshme pandemie. Por, nqs argumentet që parashtruam më lart konsiderohen të arsyeshme, atëhere jemi përpara një dileme: të vazhdojmë të përdorim maska artizanale, duke pranuar dizavantazhet e tyre diletanteske që, në fund të fundit, do të krijojnë një “kosto latente” për shtetin (sepse funksioni i tyre i mangët influencon negativisht në mbrojtjen parandaluese, rrjedhimisht në shtimin e rasteve pozitive dhe, pra shpenzimet për mjekimin e rehabilitimin e tyre), apo shteti të ndihmojë qytetarët për të përdorur maska origjinale, si barriera më të sigurta e duke patur kështu edhe një të drejtë ligjore e morale më të vetëdijshme për t’ju kërkuar atyre, por jo me haraç e kërbaç, respektimin e ligjit që ka hedhur në qarkullim vetë.

Sipas meje nuk duhet të ketë asnjë mëdyshje, asnjë ekuivok. Në se njerëzit zgjedhin që të mbajnë maska por jo formalisht, të papërshtatshme, apo edhe nga frika e gjobës, siç e shohim kudo dhe në se shteti mbyll sytë, sa që aktin normativ për mbajtjen e maskave mund ta përdorë si një justifikim dhe alibi për angazhimin e tij, duhet që jo me shkopin e dhunës, apo imponim, por me fuqinë e arsyes dhe mendjes të vendosin bashkërisht se cila është zgjidhja më e mirë.
Ndryshe, në vend të vemë vetullat, do të nxjerrim sytë…

■■■■■

SHKARKO APP