Mbaroi karburanti politik i “Çështjes Doshi”

Nga Eduard Zaloshnja

Në momentin që prokuroria kërkoi arrestimin e Tom Doshit për kallzim të rremë, gjykimi në opinionin publik rreth akuzave të tij ndaj Ilir Metës, praktikisht, mori fund.

Gjykimi i Doshit në sistemin juridik mund të zgjasë shumë, por shqiptarët e thjeshtë që mund të kenë qenë në dyshim se kush po tregonte të vërtetën – Doshi apo Meta – janë gati të lëvizin drejt temave të tjera të diskutimit të përditshëm – kostoja e energjisë elektrike, taksat, punësimi, kërcënimet me bomba nëpër shkolla, etj.

Fakti që kryeprokurori është zgjedhur me bekimin e Berishës dhe fakti që kërkesa e prokurorisë për arrestimin e Doshit u mbështet publikisht nga SHBA dhe BE, si dhe nga dy deputetë të koalicionit të Merkelit, ndikon që shqiptarët e thjeshtë t’i vënë një kapak në mendjen e tyre “Telenovelës Doshi”.

Kuptohet që shumë votues të opozitës i besojnë ato që thotë Doshi dhe PD-ja rreth kësaj çështje, por të mos harrojmë se opozita ka vetëm 680 mijë votues, ndaj 1 milion që ka mazhoranca.

Vazhdimi i protestave të opozitës rreth kësaj çështje thjesht mund të përforcojë vendosmërinë e votuesve të saj të votojnë për të pas tre muajsh, por që të ketë sukses, opozita duhet të tërheqë edhe votues nga 1-milionëshi i mazhorancës, apo nga ata qe s'kane votuar fare.

Në vend që të merret me një çështje të mbyllur në opinionin e gjerë publik, PD-ja duhet të fokusohet tek platforma elektorale që do t’u ofrojë zgjedhësve në zgjedhjet e 21 qershorit.

Duke vazhduar protestat për “Çështjen Doshi”, PD-ja jep mesazhin se fushata e saj do të ketë theks negativ.

Ndërkohë, votuesit e lëkundur mund ta ndërrojnë votën drejt PD-së, vetëm në qoftë se fushata ka theks pozitiv – pra, në qoftë se fokusohet tek gjërat që do të bëjë më mirë opozita, po të marrë pushtetin lokal.

SHKARKO APP