Mbi artin poetik të Faslli Halitit

Placeholder Image

Nga Ilir Levonja –

Për shkak të mos përgatitjes së tekstit, duke patur parasysh se në atë kohë (1996-’97) kishte një mungesë të theksuar syresh, në provimin e komentit letrar u paraqita me vjershën Mehmetit tim të poetit turk Nazim Hikmet, shkruajta në mënyrën time dhe çuditërisht pedagogu me vlerësoi me notë maksimale. Këtë ia tregova si kurozitet Faslliut kur po pinim kafen e mëngjesit tek bredhi i Buçit dhe ai më tha midis të tjerave se, kisha fituar nga që pata folur me çiltërsi. Ashtu duhet bërë komenti, të flasim për atë që shohim atë që dëgjojmë dhe atë që prekim, tha ai. Ndofta nga ajo kohë këshilla për komentin u kthye në një lloj makthi, pasi në versionet pedagogjike struktura, ritmi, kadenca, përfshi edhe figurat stilistike, duket sikur e ngarkojnë teorinë e letërsisë. Qëllimi nuk është të mohojmë komponentët përbërës, por të rrëfejmë në një mënyrë ndryshe, pra si me thënë të ndërtojmë një koment me prioritet ndjesinë e përftuar nga konstatimi lirik i Oktavio Paz-it (Octavio Paz) kur thotë se, Unë shoh me mollzat e gishtërinjëve/ atë që prekin sytë e mi.
Sistemi figurativ dhe boshtet strukturore le të mbeten thjesht element funksional, të cilët doemos do të na ndihmojnë të ullukuzojmë afshin e ndjenjave, në mënyrë të atillë që të jemi gjakftohtë dhe jo të përciptë në interpretimin e poezisë.

Në këtë aspekt Faslli Haliti na jep mundësinë e madhe për shkak të individualizmit të tij, jo vetëm në formën strukturore por edhe në përmbajtje; mënyra se ai shprehet, afeksioni poetik merr paraqitjen arkitektonike të ndjenjës, si me thënë se frymon edhe guri, betoni, abstrakja, etj., përshembull …

Dheu
Ha gjithçka.
Dhëmbët, që hanë s’i
Ha.

Unë e di mirë dhe besoj se të mendosh e gjykosh me zemër të madhe, për fatet e njerëzve të tu, me përpjekjen e tyre që afrojnë dritën, siç thotë Pol Eluar-i,(Paul Eluard’) do të thotë ta radhitësh veten në një front me ndryshimin. Kjo është normale për artistin dhe anormale për njeriun e thjeshtë, artisti e mban pezull atë tërësi vlerash që ka trashëgimia qytetare në të gjitha drejtimet, Faslliu provincën e ktheu në vëmendje dhe punën me kulturën në një akademi.
Pas luftës së dytë botërore krahas hoveve shumplanëshe që pati treva e Myzeqesë, risia kulturore qe një bum në aspektin e arritjeve, emra të tillë si Vaçe Zela, Ilia Shyti, Margarita Xhepa, Vath Korreshi, Pavlina Mani etj., shënuan fillimin e një epoke të shkëlqyer për historinë kulturore të qytetit të Lushnjes. Nga ajo kohë tashmë mes gjithsecilit ka mbetur në mes vetëm pesha e mallit, se rrugicat e kalldrëmta, qiparisët, pjergullat, avllitë, nuk ekzistojnë më. Rendi ushtarak i krijoi një tjeter fytyrë qytetit. Pas gati tridhjetë e kusur vitesh piktori Zoi Shyti, do të vizitonte Lushnjen për tu nderuar. Ai deklaroi me keqardhje atë që vërejti, Po kjo nuk është Lushnja ime. Liceisti Faslli Haliti jeton me tempin e kohës, madje nisur nga vështrimi i tij intilektual e poetik, mpreh lapsin dhe vizaton vesin, pikturon huqin, flet për priviligjenin, për meritën që bëhet antimeritë, degradimin për të drejtën antiuniversale të luftës së klasave nën diktaturën e proletariatit. Dhe kur, atëhere kur poetit i duhej në fakt të përshtatej me atë detyrë që i kishin caktuar, siç shkruan R. Elsie në Historia e Letërsisë Shqipe, fq. 417. Frymëzimi i Faslliut kthehet në shmangie nga deviza e mësipërme partiake, për shkak të trajtëzimit, shpërbërjes së tij me talentin, pra të njeriut me krijuesin. Po sipas R. Elsit nga Historia e Letërsisë Shqipe, fq. 417., dy radhë më sipër nga paragrafi që cituam, vetvetiu, nga natyra, poezia mbetet individuale dhe shpesh është e vështirë të përputhet me shoqërinë e planifikuar.
Ai që e njeh Faslliun nga afër nuk e ka vështirë të kuptoj thelbin e kësaj, pasi Faslliun nuk e ndan dot nga poezia. Ai dhe poezia janë një lloj njëjtëzimi prej kohe dhe uji, vesi i tyre është keqardhja, po edhe poezia e tij (përshtypja ime kjo), është e gjitha një keqardhje. Dhe kjo zakonisht ndodh me krijuesin e frymëzuar. Një keqardhje që tingëllon fine deri në çeljen e ngjyrave të natyrës, emocioneve njerëzore.
E kam të vështirë të jap një gjykim përmbledhës për poezinë e tij, ku edhe qënia ime është lëndë poetike, po deri këtë diell dite këtu në Florida, në tokën e Oskeolës dhe të Seminollëve, gjykoj se keqardhja poetike e këtij trajtëzimi ka sjell një individualist model në Letërsinë Shqipe. Në konteks me këtë, sintetizimi i lirikës shqipe në aspektin universal tek Faslliu merr vërtetësi, formë dhe ekzistencë. Pse? Sepse ka një gërshetim të përsosur të tingullit, trajtës, vesit, dhe absurdit. Pra le ta quajmë lirikë unikale e sensit social, sintezë të identitetit; gjithsesi me prirjen që të ndihmojë njerëzimin, përpjekjen për të lartuar shpirtin. Ndofta nga kjo na krijohet përshtypja se poezia e tij si flutura prek gjërat në mënyrë rrethanore, sa lirika me tipare sociale shpallet si fryt i dashurisë me tokën. Është një lloj lirizmi enumerativ i tipit Faslli, shkallëzues fët e fët, i ngjyrtë, i akuarelt, me aromë Myzeqeje, plisi e kallami.
*Fëshfëritja si habi në vend të klithmës së munguar.

Nëna

Si më the ashtu në çastet e fundit
-Mbylle lesën, mbylle lesën…
Derën e apartamentit mbylla unë
Më çove në fëmijëri,
Më çove në ato vite,
Kur më thoshe në muzg
”Shko mbylle lesën Çaçi!”

Pse vargu është ndjesor dhe jo deklamativ…, sepse ka brenda habinë njerëzore të drejtpërdrejtë në efektin intim të keqardhjehabisë. Si më the ashtu…., nën një drithërim personal me muzikalitet të përftuar nga konstatimi. Nëse poeti do të shprehej se, Ti, në çastet e fundit më the…., tërësia e përcaktimit të mësipërm do humbte trajtën, për faktin se në rastin e dytë kemi deklamim, diçka që thuhet pa praninë tëndë. Po le të kthehemi në komentin e variantizuar mësipër, pra të flasim për atë që shikojmë, të themi atë që që konsiderohet idiomë e ndjesisë përfytyruese të tipit Paz-it (Octavio Paz) kur thotë: unë shoh me mollzat e gishtave/ atë që prekin sytë e mi.
Vargjet Më çove në ato vite/ Kur më thoshe:/ Shko mbylle lesën Çaçi!., bëjmë digmën ku afërmendja flatron me sy ëndërrimtar kopshtijet fëminore. Aty bredh nje djal, i cili për sytë e kalimtarin po kryen thjesht një veprim, po mbyll lesën e oborrit. Në Myzeqe lesë quhet porta e thurur, një lloj porte që ka më tepër funksion detaji sesa fortifikimi, lesa me rakita është një e tillë. lesë thuprash.

Vrapoja une në muzg;
Lesën e oborrit mbyllja me vrap,
Lesën e madhe thurur me rakita,
Dhe kthehesha rrugicës duke parë prapa,
Dhe futesha në prehrin tënd nga frika.

Përveç vargut metonimik Vrapoja unë muzg vargjet e tjera janë krejt të zhveshura nga figurat, po tablloja e paraqitur përmes tyre është mirëfilli një kompozim ku bredh ndjenja, ankthi, trembja. Djali që kthehet me kokën prapa, të mugtit që mvaret nëpër gjethnaja, rrugica gardhesh.
*Inversi si metodë por jo si qëllim.

Dheu
Ha gjithçka.
Dhëmbët, që hanë s’i
Ha.

Çfarë shohim…, fytyrën e vërtetë të ironisë ku pa gajle mund ta vizatojmë edhe ne, gjithsejcili prej nesh, padiskutim, mjafton të mbyllim sytë dhe masiviteti i dheut me fytyrën e Shrekut, përpinë gjithçka. E bluan, e nxjerr, jashtëqitje, produkt, quajeni si të doni, vetëm të jeni mëse të sigurtë që në fund ka kocka, ka eshtra, ka dhëmbë. Pse?! Po…, Dheu/ Ha gjithçka/ Dhëmbët, që hanë s’i ha.
*Dinjiteti si ndjesi, jo strategji…, performancë e kumtit njerëzor ku bën pjesë Njerëzimi i madh, pra përcaktori alla Nazim Hikmet.

Vdiq babai.
Bota s’i uli flamurët,
Dhe ne qefi s’na mbeti
(Nuk kishte përse,
Bota të ulte flamuret).

Ne keq nuk erdhi aspak
Që bota babanë nuk e qau,
Por mirë na erdhi sa s’ka
Që babanë se shau.

Përfytyrimi njerëzor rrok një tablo allasoj, ku paralelizma midis Njerëzimit të madh dhe individit të madh, në rastin e tragjedisës njerëzore, fatkeqësisë, sjell nuancat e keqardhjes. Pra paralelizma e klithmës vdiq babai me vargun parabolik bota s’i uli flamurët, nxjerr një mllef mbi mospërfilljen. Pastaj kthjelltësinë, qetësinë…, atë qetësinë që përfton përroi kur shtrohet në fushë, e cila në vetvete trajtëzohet ose trupëzohet, në natyrën e vërtetë të Njerëzimit të madh. Ka edhe dhimbje po edhe habi, ironi, preteks, mbrojtje ose një farë spjegimi sepse çështja e të të përsosurit është e përjetshme. Po fondamentale për poetin është aftësia, ndjeshmëria pa të cilat ne s’mund ta përfytyrojmë Njerëzimin e madh. Tek strofa e dytë, metonimë e vargut të parë e zgjidh shkakorja e vargut të dytë, dhe atë të të tretit e zgjidh ajo e të katërtit. Pra…ne keq nuk na erdhi aspak/ që bota babanë nuk e qau, por mirë na erdhi sa s’ka/ që babanë se shau.
*Struktura tekstore ………., si risi, një prurje më vete… (Shumë krijues tentojnë, eksperimentojnë, në këtë aspekt Faslliu vetoi qysh në krye).

Zhurmë

Futu në turmë
Bërtit me të madhe,
Bëj
Zhurmë!
Ç’pret më?
Sot kërkohet zhurmë
S’ka nevojë për zë!

Nëse leximi do të ishte rrafshor, horizontal, përftesa ishte një fjali e thjeshtë urdhërore; futu në turmë, bërtit me të madhe. Bëj zhurmë, ç’pret më? Sot kërkohet zhurmë, s’ka nevojë për zë! Po, shkallëzimi strukturor i jep një tjetër pamje verbit, që i gjithi, është një parabolë. Përfytyroni, ti ecën mes gjindjes, je brënda poteres, afshit, rrëmujës. Paradoksi, ironia, pasi sipas poetit, sot kërkohet zhurmë/ s’ka nevojë për zë!.*Aforizma në shkallëzim …, si pjesë e origjinalitetit të mësipërm.

Ligji

Ligji
Eshtë se qeni,
S’e ha të zotin.

Qentë po hanë popullin.

Në fakt bëhet fjalë për një ligj moral atë që populli e përmbledh në krijimtarinë e vete kolosale në atë që, qeni s’e ha të zotin…, po pse duhet të hanë popullin?!. Inversi poetik, zhvendosja kuptimore, sipas tonalitetit përshkallëzues poetik, ngre një pikëpyetje të madhe. Në të njëjtën kohë, shohim një konstatim. Kurse ritmi sjell shfrym, pakëz inat, apo ironi.
*Enumeracioni në përshkallëzim…., kollajllëku lëviz volumin.

Mosmirënjohje

Gjithë
Peshat e rënda
Peshat vigane
Peshat sa një mal Tomorri
Sa një mal Korabi
Me levën time i ke ngrirë
Me levën time vazhdoni t’i ngrini.

Çudia është se poezia ka në strukturën e saj përsëritje, peshat tri herë, mal dy herë, togjet me levën time dy herë dhe nuk krijon bezdi aspak. Përfytyrimi na jep një botë të pa imagjinueshme emocionesh si lëvizja e maleve, zhvendosja, kollajllëku. Pavarsisht se Arkimedi nuk përmendet, poeti na ka dhënë shancin të të jemi ne Ai, Arkimedi. Dhe…, nën përemrin e munguar vetorin Ti, le të ndihet kush nuk përfytyron dot, ai që nuk kupton se edhe sendi e ka një ëndërr.
*Epilogu.
(Disa radhë për Faslliun, një vizatim, a, portret, në akuarel, në përfytyrim). I shkurtër në shtat (kujtoni poezinë e tij në formën e gërmës N me diagonalen e mezit të këputur në krye, mes Fatbardhit dhe Visarit), kur ecën duket sikur i tërheq këmbët zvarrë, vishet bukur dhe gjithë kohën është i pastër. Ka flokë të grinjtë, dendës, disi të gjatë, buzëqesh. Mban syza optike të cilat i shkojnë aq shumë sa të duket sikur ka lindur me to. Nuk mund të kuptohet xhepi i këmishës së tij pa një stilolaps, ashtu siç nuk mund të kuptohet dora e tij pa ndonjë gazetë a dorëshkrim. Kur ecën në profil ngjan me një pinguin, me vështrimin lart, sikur kërkon t’i gjejë të tjerët përmes syve. Ai që e shikon për herë të parë nuk e ka të vështirë të zbulojë tek personi i tij, poetin, piktorin, mësuesin dhe intelektualin…., tituj që i gëzon edhe shkresërisht.

Lushnje, pranverë 2000

SHKARKO APP