Mbill hashash, trafiko kokainë dhe heroinë, pastro paratë. Kaq dinë këta!
Nga Pano Soko –
Sipas një studimi të gjermanëve të GIZ, në Shqipëri në 3 vjet janë pastruar 1.6 miliardë € vetëm në ndërtim!
Katastrofë!
Që ta sjell pak më thjeshtë. Ekonomia e Shqipërisë në vitet 2017, 2018, 2019 u rrit (u zmadhua) me rreth 1.4 miliardë Euro në 3 vjet. Paraja e pistë (vetëm në ndërtim) që hyri këto 3 vjet ishte 1.6 miliardë Euro. Kjo do të thotë që ekonomia reale, e ligjshme, në fakt është zvogëluar me rreth 200 milionë Euro.
Rritja ekonomike është mbuluar e gjitha nga paraja e zezë, madje dhe më shumë.
Pra jemi një vend që praktikisht paranë informale e kemi kthyer në instrument jetik për mbijetesë. Pak a shumë si Sudani.
S’kemi qënë asnjëherë më keq se kaq!
Kam dëgjuar shumë persona që thonë, po mire dakord, mirë i bën ekonomisë. Dakord, mund të jetë moralisht e pandershme, e paligjshme, po hajd mo. Ekonomisë i bën mirë.
Gabim! Paraja e pistë varfëron ata që punojnë në të pastër. Është një tip “inflacioni jo-konvencional”.
Psh. Çmimet e shtëpive në Tiranë janë rritur në mënyrë të palogjikshme vitet e fundit, pikërisht sepse njerëz që kanë dashur të pastrojnë parà kanë rritur fiktivisht kërkesën dhe kanë pranuar të blejnë shtëpi me çmim të shtrenjtë, vetëm e vetëm të pastrojnë lekët.
Kjo ka çuar në rritjen e çmimit të shtëpive.
Nga krahu tjetër kjo ka penalizuar të gjithë pjesën tjetër të popullsisë, që për shkak se ekonomia reale, ekonomia e ndershme, ajo që vjen nga pagat dhe biznese që paguajnë taksa, është ulur, janë gjendur para faktit të çmimeve të rritura. Dmth të ardhurat e tyre janë ulur, ndërsa çmimet janë rritur. Ky quhet “varfërim”.
Pra ata që pastrojnë parà u pasuruan, pjesa dërrmuese, ata që punojnë ndershëm, paguajnë taksa, marrin rroga, ata u varfëruan.
Dhe u pasuruan të gjithë ata që kishin lidhje me pushtetin, ata që kanë garanci që shteti s’po ua prek aktivitetin apo lekët. Pra edhe sikur të mendosh për një moment “Po mirë mo, le të merren. Pse s’merren të gjithë? Apo s’janë të aftë?”
S’është çështje aftësie. Është cështje se me punë të pista merren vetëm ata që kanë akses te pushteti. Që kanë garanci që aktiviteti apo paratë e tyre nuk do preken. Po mos kishin garanci, s’merrej njeri, se ç’kuptim ka të rrezikosh pa qënë i sigurtë që i gëzon paratë.
Dhe e fundit, këto para që pastrohen, nuk është se hyjnë në ekonomi që të paktën të sjellin ndonjë gjë të mirë për pjesën tjetër. Ato dërgohen jashtë nëpër llogari bankare offshore dhe ne si publik as ua shohim ndonjëherë bojën.
Prandaj paraja e pistë vetëm dëmton.
Por fatkeqësia jonë është që ne kemi në pushtet njerëz që dinë vetëm gjëra të mbrapshta, nuk kanë asnjë plan, asnjë ide, asnjë vizion tjetër për ekonominë, vetem pastrimin e parave. Nuk dinë si të rrisin ekonominë, si të sjellin investitorë, si të rrisin kreditimin e bankave, si të nxisin biznesin, si të ndihmojnë biznesin të zgjerohet që të rritet ekonomia dhe të ardhurat.
Mbill hashash, tranzito kokainë dhe heroinë, pastro paratë. Kaq dinë keta.
Më saktë nuk dinë dhe nuk duan. Sepse ai s’fut asgjë në xhep se të rritet rroga ty, apo se u fute ti në punë. Ç’i plasi atij.
Ky pushtet e ka treguar që interesohet vetëm për një gjë – xhepin e vet.