Mbroni shqiptarët nga ushqimet e ndotura dhe të falsifikuara!
Nga Edmond Panariti –
Shkatërrimi i kontrollit qëndror ushqimor laboratorik dhe dhënia me koncesion e tij bën që prodhimet e botës të falimentojnë ushqimin vëndas, të shtypim padrejtësisht prodhimet dhe agropërpunimin shqip.
Sepse atyre, importeve u jepet pa kusht “vizë kalimi” dhe nuk analizohen për nga përbërësit.
Mjaft që të kenë ambalazh të bukur, etiketa dhe emërtim “brand” dhe janë të lira të livadhisin në treg.
Dhe kështu sapuni u shitet njerëzve për djathë. U shitet jashtë çdo logjike, kostoje dhe çmimi.
Qesharake dhe jo vetëm por edhe shumë e rrezikëshme. Bleva një bustinë 100 g shafran për gatim i pajisur edhe me etiketë! Çmimi 100 lekë??
Në vendet fqinj ai kushton 27 – 30 euro. Pra qartazi nuk është dhe nuk ka si të jetë shafran!
E futa në një gotë me ujë dhe menjëherë e lëshoi bojën sintetike dhe e ngjyrosi, ujin. Pra përveç që nuk është shafran është edhe i bojatisur me kimikate kancerogjene. Ashtu si te tregu i tezgave, mund të gjesh surrogato me etiketa “firmato”, po ashtu edhe ushqimet skarco nuk e kanë problem të veshin kostume “brand”.
Për këtë duhet vetëm letër, bojë dhe shtypshkronjë dhe “ai” bëhet hallvë.
Vetëm se ushqimet konsumohen tre herë në ditë dhe dëmtojnë rëndë nëse janë të ndotura dhe të falsifikuara.
Shqipëria nuk i mbikëqyr dhe as i analizon ushqimet e saj dhe të botës. Duke rrezikuar seriozisht shëndetin publik.
Sepse AKU nuk është institucion shkencor, por pjesë e policisë së gjobave dhe e tatimeve. Prandaj më mirë kalojeni edhe atë si pjesë të shtetit gjobvënës dhe policor!