Mbyllet emisioni investigativ “Públicus”. Hetonte Bashkinë e Tiranës

Në fillim të kësaj jave shqiptarët mësuan si ishin gënjyer nga Edi Rama për ndryshimet e laboratorit të Agjensisë Kombëtare të Mjedisit, që do të bënte kontrollin e mbetjeve (lexo plehrave) që do të importohen nga jashtë. Ishte emisioni Publicus në Vizion Plus që solli dëshmi dhe fakte se asgjë nuk kishte ndryshuar, veçse ishin zgjeruar ambjentet e punës së laborantëve.

Këtë të dielë Publicus, sërish nga ekrani i Vizion Plus do të transmetonte një investigim në landfillin e Sharrës, aty ku mbeti i vrarë Ardit Gjoklaj. Në njoftimin që u shfaq gjatë ditës paralajmërohej se këtë të dielë materiali i radhës ishte ai me titull “Kodrina e Vdekjes”.

Por tema e nxehtë që morën përsipër të investigojnë gazetarët e Publicus nuk u përballua nga Vizion Plus. Emisioni u mbyll papritur. Kontrata u prish në mënyrë të njëanshme dhe njoftimet zyrtare u fshinë nga faqja në internet dhe nga ekrani i televizionit. Bashkë me jetën e Ardit Gjoklajt, krimi në landfillin e Sharrës po zhduk edhe çdo hetim gazetaresk, çdo gazetar që i afrohet kurioz vendit të ngjarjes. Në fillim ishte drejtoresha e informacionit të A1Neës që u largua nga puna për shkak të investigimit me të njëjtën temë. Tani “fshihet” i gjithë stafi i një emisioni në një prej televizioneve më të vjetra në Tiranë. Është e qartë se kush vuan nga fobia e Sharrës. Frika për të pranuar se ishte praktika e ndjekur nga Bashkia e Tiranës që çoi në vdekjen e Ardit Gjoklajt përndjek fajtorin kryesor për ngjarjen, Erion Veliajn, ndaj të cilit po heton edhe prokuroria e Tiranës.

Shkrim i publikuar në profilin e emisionit Publicus në rrjetet sociale

Rënia e një ekrani

PÚBLICUS·SUNDAY, 9 OCTOBER 2016

Drejtuesit e televizionit “Vizion Plus”, njoftuan se ata e nuk lejojnë transmetimin e episodit të tretë të “Públicus”, të titullur “Kodrina e vdekjes”, sipas programimit (të dielën, dt., 10. 10. 2016, ora 20:10)!

Njëkohësisht, kanë tërhequr mbështetjen financiare për programin, për stafin e përfshirë për realizimin e tij dhe se kanë larguar të gjitha njoftimet publicitare për këtë program nga faqja zyrtare online e televizionit!

Natyrisht që kjo është një tjetër ngjarje e rëndë në fushën e medias e të raportimit! Një goditje agresive, e beftë, në mënyrë që dëmi apo përfitimi të jetë sa më i lartë! Kjo sjellje e paprecedentë ndaj bashkëpunëtorëve, në radhë të parë; kjo censurë ndaj gazetarëve, ndaj një programi dhe një ekipi televiziv; ky veprim kundër raportit të lirë, fsheh frikën e pronarëve të televizionit, por edhe synimin për të fituar padrejtësisht, e jondershmërisht, më qëllim plotësimin e interesave klienteliste, në dëm të tërë shoqërisë!

Frustrimi që sjell heqja e një maske shkaktohet prej asaj ç’ka zbulon rënia e saj! Televizioni “Vizion Plus” sapo ka hequr maskën e tij dhe është rreshtuar në anën e mediave-biznese, por që kërkon ta përdorë produktin televiziv për influencë të pandershme në treg e jo për të raportuar të vërtetën.

Kur e nisëm këtë projekt, dy muaj më parë, “Públicus” premtoi se do të fokusohej mbi çështjet e menaxhimit e të kontrollit të pasurisë publike; do të siguronte transparencë mbi shkëmbimet financiare, mbi përdorimin e burimeve e të pasurive natyrore të vendit. Premtoi të luftonte inkopetencën në ekspertizë dhe neglizhencën ndaj përgjegjësive publike të administratës shtetërore. Dhe se e gjitha kjo do të kishte për qëllim, -nxitjen e kapaciteteve reaguese nga ana e shoqërisë! Por duke i hequr mbështetjen këtij programi, pronarët e këtij televizioni kontribuojnë që këto çështje të nëpërkëmben dhe se keqmenaxhimi i pasurive kombëtare të mos jetë në fokus të publikut e të qëndrojë larg investigimit gazetaresk! Në këtë mënyrë ata veprojnë kundër e në dëm të interesit publik! Duke i hequr mbështetjen këtij programi, ata nuk Ju mbështesin, Ju lënë në baltën e traumës, në baltën e paligjshmërisë, në baltën e krimit e të trafikut!

Kështu, lënë në baltë maturantët e mbetur pa shkollë dhe punëtorët e flakur në rrugë! Lënë në baltë kujtimin e Arditit të gjorë që punonte në kushte pasigurie në Sharrë; baltosin përpjekjet e ambientistëve kundër grabitqarëve të plehrave, kundër grabitqarëve të mjedisit, të cilët janë prezentë, përmes Heceve në Valbonë, Librazhd e Vjosë, shumica e cilave, të ndërtuara pa ndonjë studim teknik paraprak! Ne vend të saj, kanë zgjedhur të shushasin publikun duke angazhuar në ekran gjithfarësoj dordolecësh plot ngjyra e shkëlqim, duke Ju detyruar të duartrokisni, nën petkun e gjoja një të vërtete, një realitet të rrejshëm.

Të dielën në mbrëmje, “Públicus”, nuk u lejua të transmetojë një raport mbi vdekjen tragjike të një të riu që banonte në rrethinat e ish Kombinatit, e që punonte në kushte pasigurie në Landfillin e Sharrës, pronë e Bashkisë së Tiranës e që e bashkëadministronte me një kompani private riciklimi. Bëhet fjalë për Ardit Gjoklajn, 17 vjeçarin që që u nda nga jeta në rrethana dramatike. Ne shkuam në Sharrë, takuam njerëz e folëm me familjarët e viktimës dhe regjistruam dëshmi. Zbuluam dokumenta të cilat nëpunësit kërkojnë t’i fshehin, pasi nuk duam të zbulohen përgjegjësitë. E të gjitha këto i përgatitëm për t’i publikuar. Por nuk na lanë!

Dy muaj pasi nisëm të punojmë, kuptuam se hajdutët e pasurisë publike dhe frikacakët po na sulmojnë përmes të njëjtave mënyra që ata u tremben më shumë! Ata kanë frikë prej nesh! Shqipëria është një vend me ekonomi të vogël. Biznesi do të jetë gjithmonë i varur prej fondeve publike. Ju e dini, se fondet publike janë paratë tuaja, se rrugët, stadiumet, sallat e teatrove, sheshet pulike, transporti publik, gjithçka publike, ndërtohen me kontributet tuaja. Ju nuk duhet të heshtni!

Raporti me të vërtetën kushtëzohet gjithashtu, nga sjellja apo qëndrimi i tërë shoqërisë, nga vullneti e nevoja për të qënë bashkë. Por beteja për të vërtetën nuk është vetëm një përpjekje kolektive, por, së pari, detyrë dhe një qëndrim moral! Kujt i shërben ajo! Cila është dobishmëria dhe nevoja që shoqëria jonë ka! A mund të lartësohet njeriu prej saj! A duhet të shndërrohet përpjekja për të, në një betejë frontale! Natyrisht, mes nesh, ka një shumicë shpërfillëse ndaj këtij qëndrimi! Dhe kjo është një fatkeqësi! Por jo e vetmja! Mjerimi që përherë e kërcënon këtë vend nuk duket vetëm tek skamja, as te plehrat, por tek rrënimi moral. Ndaj dhe sfida është, se si mund ta fitojë njeriu pavarësinë, ndërsa varet gjithnjë e më shumë nga paraja?

Për këdo që lexon këto rradhë, le ta ndalet për një çast e të pyesë veten, se çfarë e detyron administratën e një televizioni të largojë një grup gazetarësh të rinj e të përkushtuar; të mos pranojë njerëz me mendje të kthjellët e me zemër të pastër; të ketë frikë nga e vërteta? Përgjigja: kjo tregon përkatësi me aferat dhe me inflencën për të përfituar pandershmërisht në kurriz të interesit publik! Ata kanë bërë zgjedhjet e tyre. Ndërkaq, ne besojmë se jemi në anën e duhur!

Në fund, po u drejtohemi kolegëve, shokëve tanë! – Ktheni sytë nga pronarët tuaj, nga administratorët, nga muret që keni përballë…Shihni e depërtoni thellë, përtej…dhe vetëm pasi të keni kuptuar atë çka shihni, vetëm atëherë, me kurajo e guxim, do të mund të raportoni të vërtetën!

Autorët, “Públicus”

SHKARKO APP