McCain: Rusia po godet kampet e rebelëve që stërviti CIA
Senatori amerikan, John McCain, deklaroi këtë të enjte se sulmet e para ajrore të Rusisë në Siri kanë shënjestruar vetëm rekrutët e grupit të rebelëve, “Ushtria e Lirë Siriane”, që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara.
“Absolutisht mund t’iu konfirmoj se, sulmet e para të tyre kanë qenë kundër rekrutëve të Ushtrisë së Lirë Siriane, që janë armatosur dhe janë trajnuar nga CIA, vetëm për shkak se ne kemi mundësi komunikimi me njerëzit atje”,- tha McCain, kreu i Komitetit për Shërbimet e Armatosura të Senatit amerikan, gjatë një interviste për CNN.
Sa u përket sulmeve ajrore të nisura ditët e fundit në Siri nga Rusia, faktin që shënjestrat e fundit duken se kanë qenë kampet stërvitore të grupeve rebele, që kanë marrë trajnime ushtarake nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) në Katar dhe Arabinë Saudite, është konfirmuar edhe nga komandanti më i lartë i grupit të rebelëve, që lufton prej vitesh ndaj forcave të Presidentit Bashar al-Assad.
“Rusia është duke sfiduar këdo, duke theksuar se nuk ka alternativë tjetër veç Bashar al-Assadit”,- tha Haj Ali, i cili shtoi më tej se avionët rusë janë identifikuar nga anëtarë të grupit të tij, të cilët dikur kanë shërbyer si pilotë të forcave ajrore siriane.
Grupi i tij e konsideron veten si pjesë të “Ushtrisë së Lirë Siriane”, që u krijua nga dezertorë të ushtrisë siriane pas nisjes së trazirave. Në fakt, ditët e sotme, ky grupim është një aleancë e lirë e grupeve të rebelëve pa një komandë qendrore dhe pa struktura kontrolluese.
Grupet e rebelëve duket se janë eklipsuar së tepërmi në Siri, për shkak të rritjes së papritur të xhihadistëve të Shtetit Islamik apo të Frontit al-Nusra, degë e al-Qaedas.