Më 30 qershor Evropa kërkon zgjidhje për “telashet” e veta

Nëse Evropa do të bëjë siç ka bërë gjithmonë, duke zgjedhur emëruesin më të vogël të përbashkët për ta përfaqësuar, qytetarët e kontinentit do të vazhdojnë të largohen nga projekti evropian, ndërsa pjesa tjetër e botës nuk do e marrë seriozisht. Për këtë arsye është rasti t’u kërkohet udhëheqësve evropianë, duke perifrazuar markezin De Sade, që të bëjnë “edhe një sforco” për të qenë evropianë. O sot, o kurrë!

Evropa e re i ngjan shumë të vjetrës. Testi i parë postelektoral, emërimet në krye të Unionit – presidenca e komisionit, presidenca e Këshillit Evropian dhe Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme – ka krijuar një konkurrencë sa të mbipopulluar, aq edhe të papëlqyeshme.

Një samit i jashtëzakonshëm është thirrur për në 30 qershor, në tentativën për të zgjidhur situatën e shkaktuar prej takimit të javës që kaloi. Programi zyrtar parashikon një darkë mes udhëheqësve politikë, dhe mundësinë e një mëngjesi në 1 korrik, në rast se kalojnë një natë të vështirë.

Nuk ka nevojë të dramatizohet, sepse Evropa ka funksionuar gjithmonë kështu, me gjeste skandaloze që prodhojnë kompromise natën vonë. Por në këtë rast shfaqet një tension shqetësues franko-gjerman, që meriton të analizohet.

Të domosdoshëm, por të pamjaftueshëm

Eshtë rregulli i pashkruar i Bashkimit Evropian: mirëkuptimi franko-gjerman është i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm për të ecur përpara. Nuk mund të bëhet asgjë nëse Parisi dhe Berlini nuk bien dakord, dhe në këto momente nuk është kështu.

Parlamenti Evropian i lindur nga zgjedhjet e majit premtonte të ishte ndryshe, falë mungesës së një shumice të konservatorëve dhe socialdemokratëve, të cilët zakonisht ndajnë përgjegjësitë e qeverisjes. Këtë herë, për të patur një shumicë nevojitet kontributi i liberalëve, ku bëjnë pjesë eurodeputetët e “République en marche” (partia e presidentit francez Macron), apo ajo e Të Gjelbërve.

Mbetet fakti që konservatorët siguruan numrin më të madh të votave dhe si pasojë pretendojnë presidencën e Komisionit për njeriun që kanë në krye të listës, bavarezin Manfred Veber. Por Macroni nuk do t’ia dijë, sepse thotë që ai nuk ka mjaftueshëm eksperiencë dhe nuk është në gjendje të mishërojë një fillim të ri. Dhe nuk është i vetmi që e mendon kështu.

Pak i nervozuar, kreu i grupit të CDU në Strasburg e ka quajtur Macronin një “antigjerman”. Ndërkohë Berlini është kundër emërimit të Michel Barnier (francez) dhe të Margrethe Vestager, e preferuara e Parisit. Të dy të pranishëm në G20 e Osakës në 27 dhe 28 qershor, Merkel dhe Macron do të bënin mirë që të ndërprisnin këtë lojë të dëmshme.

Si mund të dilet nga kjo situatë? Pikësëpari duke u vetëdijësuar se përplasja nuk është në lartësinë e asaj që është në lojë. Tashmë e dobësuar, Evropa do të bënte një vetëvrasje nëse do të vazhdonte të ushqente përçarjet me shenja nacionaliste mes shteteve, pikërisht në një moment kur bota vazhdon të ndryshojë pa pjesëmarrjen e kontinentit të vjetër, dhe akumulohen kriza në të cilat zëri evropian do të ishte absolutisht i domosdoshëm.

O sot, o kurrë!

Për këtë mjafton të kujtojmë sulmin e padenjë që bëri dy ditë më parë presidenti i SHBA, Donald Trump, ndaj Vestager, fajtore sepse guxoi të taksojë gjigandët amerikanë Apple dhe Google. “Kjo grua e urren Amerikën”, tha Trump për Fox. Po të dëgjosh Trumpin, të vjen të mendosh se Vestager do të ishte një presidente e shkëlqyer e Komisionit.

Nëse Evropa do të bëjë siç ka bërë gjithmonë, duke zgjedhur emëruesin më të vogël të përbashkët për ta përfaqësuar, qytetarët e kontinentit do të vazhdojnë të largohen nga projekti evropian, ndërsa pjesa tjetër e botës nuk do e marrë seriozisht. Për këtë arsye është rasti t’u kërkohet udhëheqësve evropianë, duke perifrazuar markezin De Sade, që të bëjnë “edhe një përpjekje” për të qenë evropianë. O sot, o kurrë!

Pierre Haski

France Inter – Bota.al

SHKARKO APP