Me aftësi të kufizuara dhe me të drejta të shkurtuara
Nga Gentian Çala –
Në ditën e Individëve me Aftësi të Kufizuara, dëshiroj që në radhë të parë tu uroj shëndet dhe sa më pak andralla të gjithë pjestarëve të shoqërisë sonë, të cilët kanë aftësi të kufizuara trupore apo mendore.
Ka disa kohë që dëgjoj në media kritika dhe denoncime të qytetarëve mbi pengesat për përfitimin e pagesës së invaliditetit , të cilat ndërlidhen me mosfunksionimin apo riorganizimin e komisioneve të KMCAP-së, kryesisht për ata persona me aftësi të kufizuara që trajtohen me ndihmë ekonomike, ku duket se puna nuk ka vazhduar që nga muaji mars.
Një qytetare me raportoi se nga Shërbimi Social i Pushtetit Vendor i është thënë se nëse fletë drejtimi nuk shqyrtohet nga Komisioni këtë muaj, do ti duhet që të pajiset me fletë drejtimi të re. Kush do të japë përgjigje për 10 muajt që qytetares ju mohua pagesa e grupit të dytë të invaliditetit (duke qenë se fletë drejtimi për në KMCAP-ë është përpiluar që në mars)?!
Nuk mjafton që këta individë të përballen fizikisht dhe psikologjikisht me sëmundjen apo paaftësinë e tyre, nuk mjafton stigma dhe margjinalizimi që ndjejnë, por krejt pa dashje u shtojmë edhe ne ndijesinë e braktisjes apo të refuzimit.
Ndaj, sot, në ditën e Personave me Aftësi të Kufizuara i bëj thirrje Qeverisë që ti japë zgjidhje ngërçit të krijuar në vitin e fundit dhe qytetarët të paguhen prej ditës së parë që kanë plotësuar dokumentacionin. Mosfunksionimi i komisioneve KMCAP nuk është përgjegjësi e qytetarëve, por e institucioneve, të cilat duhet të kishin gjetur një zgjidhje për personat me aftësi të kufizuar edhe në rrethanat e pandemisë.